Agolli sfidë Mustafit, Liga e Europës tregohet e pamëshirshme me shqiptarët
Strakosha ndaj Marsejës dhe Frankfurtit, "malore" edhe për Grezdën
Nuk ka shumë buzëqeshje pas shortit të Ligës së Europës, i cili u hodh ditën e djeshme në Montekarlo. Sidomos për lojtarët e Kombëtares shqiptare, të cilët mësuan grupet ku do të bëjnë pjesë dhe rivalët e tyre. Dhe goglat këtë herë nuk u treguan aspak bujare, madje u treguan të pamëshirshme, duke i vënë në grupe të forta dhe ndaj rivalëve që duhen vlerësuar maksimalisht. STRAKOSHA- Mund të ishin Barcelona, Totenhemi dhe PSVja rivalët e Lacios në Europë nëse nuk do të përmbysej nga Interi në ndeshjen e fundit të kampionatit. Por, Tomas Strakosha do të përballet me Frankfurtin, Marsejën dhe Apollonin. Kundërshtarë që nuk krahasohen me ata të mësipërmit, por për nivelin e kompeticionit nuk janë aspak të lehtë. Ndaj Marsejës është një aromë derbi për lacialët, të
cilët do të gjejnë aty ish-trajnerin e Romës, Rudi Garsia dhe mesfushorin Kevin Strotman. Megjithatë, Lacio është një nga favoritet për të kaluar grupin. AGOLLI- Karabaku i Ansi Agollit do të jetë në grupin E të Ligës së Europës dhe do të ketë skuadrat rivale si Arsenali, Sportingu i Lisbonës dhe Vorskla Poltava. Për të ëndërruar kualifikimin, ekipi azer i kapitenit të Kombëtares duhet të luftojë me Arsenalin dhe Sportingun. Një derbi shqiptarësh në përballjet me "Topçinjtë" ku aktivizohet mbrojtësi Shkodran Mustafi. GREZDA-ABAZAJ- Eros Grezda sigurisht që ka qenë shumë i lumtur për transferimin te Rejnxhërsi, por pak i lumtur për shortin. Në fakt, kjo e dyta ka kaluar në plan të dytë në aspektin personal për sulmuesin e
Kombëtares shqiptare. Ai arriti kontratën me një nga ekipet më të mira në Skoci, ndërsa në aventurën europiane në Ligën e Europës duhet të përballet me Vijarealin, Rapidin dhe Spartakun e Moskës. Anderlehti i Abazajt pavarësisht se ishte kokë grupi nuk pati fat, pasi do të përballet me ekipe që kanë traditë në Europë si Fenerbahçe dhe Dinamo e Zagrebit. Te këta të fundit aktivizohet Amir Rrahmani, por Abazaj përveçse duhet të mendojë për kualifikimin, fillimisht duhet të bindë trajnerin që të aktivizohet me ekipin belg.