Panorama Sport (Albania)

Ferrari fluturon në Monza, Raikonen merr "Pole Position"

-

Raikonen dhe Fetel fluturojnë në Monza dhe bëjnë që Ferrari të dominojë provat zyrtare të zhvilluara dje pasdite, të vlefshme për garën e Çmimit të Madh të Italisë në Formula 1. Dy pilotët e "kokëkuqes" kanë arritur të triumfojnë, duke siguruar dy vendet e para në vijën e nisjes, me Kimi Raikonen që regjistroi kohën 1'19"119, duke siguruar "Pole Position" para fansave të shumtë të Ferrarit. Me këtë rezultat, finlandezi arrin të vendosë rekord të ri në pistën e Monzës. Në xhiron e fundit, Raikonen arriti të mposhtë kolegun e tij të skuadrës, Sebastian Fetel, që u rendit në vendin e dytë. Ndërkohë, kampioni në fuqi i botës, Ljuis Hamilton, u rendit në vendin e tretë. Ajo që ra në sy ishin diferencat shumë të vogla ndërmjet tre pilotëve të parë, duke premtuar një garë spektakola­re në ditën e sotme. Lufta për "pole" ishte shumë e fortë, pasi kohët vinin duke u përmirësua­r xhiro pas xhiroje, me pilotët që dhanë më të mirën e tyre për të arritur një vend në vijën e parë, i cili është shumë i rëndësishë­m në Itali, pasi është një pistë që favorizon shpejtësin­ë. Raikonen, Fetel dhe Hamilton zhvilluan xhiro spektakola­re dhe treguan që janë shumë më të shpejtë se rivalët e tyre, ndërsa në vendin e katërt u rendit Valteri Botas me makinën tjetër Mercedes, i cili la pas vetes makinën Red Bull të Daniel Riçardos. Dhjetëshja e parë plotësohet me Groszho (Haas), Sainz (Renault), Oçon (Force India), Gasli (Toro Roso) dhe Stroll (Uilliams). Sesioni i parë i provave zyrtare solli eliminimin e Perez (Force India), Lëklerk (Sauber), Hartlej (Toro Rosso), Erikson (Sauber) dhe Vandorn (MkLaren). Më i shpejti gjatë sesionit të parë ishte Sebastian Fetel. Në përfundim të sesionit të dytë të provave kualifikue­se u eliminuan pilotët Magnusen (Haas), Sirotkin (Uilliams), Alonso (MkLaren), Hulkenberg (Renault) dhe Riçardo (Red Bull). Australian­i nuk zbriti fare në pistë dhe sot do ta nisë garën nga vendi i fundit, pas modifikime­ve që ka bërë në makinë, ndërkohë që edhe në këtë sesion, më i shpejti ishte Fetel. Gara e Monzës do të startojë sot në orën 15:10 dhe pritet të jetë shumë emocionues­e.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania