Panorama Sport (Albania)

Rashford prish mallkimin, Zvicra shpërdoron pafund

"Luanët" të tmerrshëm në pjesën e parë, por i shpëton 20-vjeçari

- Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Anglia prish mallkimin e tri humbjeve radhazi në miqësoren kundër Zvicrës, të cilën e fiton 1-0 në "King Power Stadium" falë një goli të Markus Rashfordit. Pas një paraqitje shumë të dobët në pjesën e parë, "Tre Luanët" gjejnë rrugën e duhur kur sulmuesi i Mançester Junajtid shënon golin e tij të dytë në ndeshjet e fundit ndërkombët­are, pasi realizoi edhe kundër Spanjës në "Wembley". Ky rezultat do të thotë shmangie e humbjes së katërt radhazi, çka do të kishte ndodhur për herë të parë në historinë e kombëtares ishullore (humbën ndaj Kroacisë dhe Belgjikës në Botëror dhe Spanjës në Ligën e Kombeve). Zviceranët, të cilët vinin pas fitores 6-0 ndaj Islandës, krijuan raste të mira shënimi në pjesën e parë, por Shaqirit me shokë u mungoi saktësia në shënjestër: sulmuesi i Liverpulit humbi një gol të sigurt dhe goditi shtyllën. Sauthgejt bëri 9 ndryshime në formacion nga humbja 2-1 me Spanjën. Vetëm Meguajër dhe Rashford e ruajtën vendin në formacion. Batlend, që dukej shumë pak i sigurt me topin në këmbë, pasoi për Tarkovskin, i cili u kthye shumë ngadalë dhe Shaqiri përfitoi, por goditja e tij përfundoi jashtë. Erik Daier, i cili mbajti edhe shiritin e kapitenit në këtë ndeshje, pati një shans të mirë pas 17 minutash, por edhe ai goditi jashtë. Batlend tregoi vlerat e tij në portë me pritjet

me këmbë ndaj Gavranoviç dhe Rodrigez. Vendësit e mbyllën me fat pjesën e parë në barazim, por i ndëshkuan helvetët në minutën e 54-të. Një krosim i Kajl Uokerit nga e djathta gjeti të vetëm në shtyllën e dytë Rashfordin, i cili nuk gaboi dhe 20-vjeçari festoi

golin e tij të pestë me kombëtaren. Sauthgejt hodhi në fushë edhe Kejnin, Lingardin, Stonsin dhe Hendersoni­n në 15 minutat e fundit, çka i siguruan skuadrës së tij më shumë kontroll në mesfushë. Debutoi në shtëpinë e tij edhe Ben Çiluell, mbrojtësi i Lestërit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania