Panorama Sport (Albania)

Kola: Luaja derbi me këpucët që më dha Rumenige

"7-3 i paharruesh­ëm, Tirana të fitojë edhe me autogol"

- ADELA MERKO

Dikur mungonte luksi, por emocionet që ofronte një derbi ishin shumë herë më të mëdha se sot. Një ndeshje që nuk u përngjan të tjerave, ku përballë vendosen dy klube të një qyteti. Një duel që shkakton entuziazëm dhe rikthen në mendje kujtime pa fund. Dhe kush më mirë sesa Agustin Kola mund të na rrëfejë pak nga e shkuara... Ka luajtur dhjetëra takime kundër Partizanit, por 7-3 nuk do ta harrojë kurrë. Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", ish-bomberi rrëfen edhe një histori të papërmendu­r deri më sot. Nëse lojtarët e tjerë asokohe këpucët i siguronin nga ish-Ndërmarrja e Mjeteve Mësimore, ai i mori nga kombëtarja gjermane. Në ndeshjen e humbur nga Shqipëria me shifrat 8-0, i "fituar" doli pikërisht Kola, i cili falë Karl Hainz Rumeniges, siguroi jo pak, por 8 palë këpucë "Adidas".

Profesor, cili ka qenë i fundit derbi që keni luajtur? (Mendohet gjatë) Në vitin '96 ose '97. Kohë e vështirë, por pa nisur rrëmuja.

Goli më i bukur që keni shënuar ndaj Partizanit cili është?

Në derbi që të gjithë golat janë të bukur. Edhe më i shëmtuari të jetë, më mjaftonte që të kalonte vijën fatale.

Kjo pyetje duhet t'ju jetë bërë shpesh, por cili është derbi që ju ka shijuar më së shumti?

Pa dyshim 7-3, i cili mbeti edhe "orari zyrtar". Ishte një takim shumë i bukur dhe i luftuar. Shkoi 3-3, mund ta kishin fituar edhe ata, por fati donte që ne të bënim edhe 4 gola.

Ndonjë një ndeshje që do të donit ta fshinit nga memoria ekziston?

Çdo humbje të shkaktonte mërzitje. Ne fshiheshim, prisnim që të errësohej për t'u larguar nga stadiumit.

Ishte vetëm çështje turpi apo i druheshit përballjes me tifozët?

Thjesht na vinte zor. Tifozët na kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës. Ishte çështje turpi. Ndryshe nga këta të sotmit, që pasi rrihen dalin duke u zgërdhirë nga stadiumi.

Cili ka qenë kundërshta­ri më i vështirë që keni hasur në derbi?

Mbrojtësit e gjatë në përgjithës­i kanë qenë gjithnjë të fuqishëm. Ferit Rragami, Kristaq Ekserko, Nand Ocelli ishin kundërshta­rë të vështirë. Por në fund të fundit ishin shokët e mi.

Meqenëse përmendet shokët, kush është miku më i mirë që keni pasur te Partizani?

Të them të drejtën, unë i kam pasur të gjithë armiq në fushë dhe miq jashtë fushe. Taq Ekserkon do e veçoja ndër të tjerët, e kam pasur vëlla. Kemi qenë në Mjeshtërin­ë Sportive bashkë, por pasi mbaruam shkollën u ndamë, unë te Tirana, ai te Partizani.

Si ishin përballjet tuaja në derbi?

Shok të ngushtë e kam, por unë edhe vëllait tim i kam thyer gjurin kur e kisha kundërshta­r. Luanim futboll në lagje dhe ai përfundoi në allçi.

Si i siguronit këpucët e futbollit asokohe?

Partizani dhe Dinamo i merrnin nga Kina në mos gaboj, ndërsa ne të 17 Nëntorit i merrnim nga ish-Ndërmarrja e Mjeteve Mësimore. Unë për vete i mora në Gjermani, në vitet '80 kur shkova me Kombëtaren. U mundëm 8-0. Kam shkuar bashkë me Rumenigen në dhomat e zhveshjes dhe kam marrë 8 palë këpucë.

I morët nga kombëtarja gjermane?

Po. Kur mbaroi loja, më mori për dore Rumenige dhe më tha zgjidh. I mora këpucët dhe i përdora deri sa e mbylla me futbollin. I fala Ben Mingës një palë.

Po si ka mundësi që kishte aq shumë të numrit tuaj? Ishin këpucë të lojtarëve, por edhe në valixhe që i kishin me bollëk. Ishin "Adidas" dhe 41 e ½.

Vështirësi të tjera keni hasur?

Të them të drejtën, jo. Unë s'e kam dashur atë sistem, por

realisht na kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës.

Nëse ju kishit fatin që t'i merrnit nga Rumenige këpucët, të tjerët si ia bënin?

Nga mjetet mësimore. Prodhim vendës. Në fillim ishin me taka sholle, më pas dolën me plastike.

Në këmbë si rrinin, kishin diferencë?

Zëre se ishe me nallane (qesh).

Dhurata a keni marrë para apo pas një derbi?

Nuk mbaj mend, por për mua dhuratë më të madhe nuk ka sesa mbështetja që kam marrë nga tifozët. Ajo ishte kënaqësia më e madhe.

A e keni ndërruar ndonjëherë fanellën në derbi?

Jo, kurrë. Nuk bëhej fjalë.

Po pse ndodhte kjo?

Asokohe nuk është se ndërrohesh­in fanellat në fakt. Unë po të përmend vetëm një rast: Pas një derbi me Partizanin, ishte një tifoz në tribunë dhe më kërkoi fanellën. E hoqa dhe ia dhashë. Por të nesërmen më thirrën dhe më bën namin. "E di kujt ia ke dhënë", më thanë. "Ai është burgaxhi e i deklaruar".

Pati ndonjë pasojë?

Më kërkuan që t'ia merrja sërish. Por nuk mundesha, pasi as nuk e njihja. Thjesht e bëra dhuratë, pastaj unë nuk shkova t'ia çoja në burg. Mbeti me aq. Ne na donin në fakt. Ministrat na ndalonin në rrugë, madje na donin më shumë se Partizanin dhe Dinamon. Dhe e di pse na donin? Prej shpirtit që kishim si ekip në fushë.

Sa vite ka që i mungon ai shpirt Tiranës?

Nga vitet '90 e tutje nuk e shoh fare në futbollin shqiptar në tërësi, por edhe në jetën e përditshme. Ne ishim rritur me një tjetër frymë, madje edhe mësuesit na kërkonin fillimisht që të ishim njerëz. Edhe trajnerët në të njëjtën linjë ishin. Po femrat si ju trajtonin në atë kohë?

Po çfarë të them unë?! Më mirë do ishte të pyesnit femrat. Mund të them vetëm që na trajnonin siç është Ronaldo e Mesi në vitet e sotme. Nuk flas vetëm për femrat, por të gjithë njerëzit na shihnin me një sy tjetër.

Kush ka qenë lojtari më i rrezikshëm që ka pasur Partizani, i cili mund t'ju ndëshkonte në çdo kohë?

Si Partizani dhe Tirana kanë qenë ekipe që e bazonin lojën te kolektivi. Dinamo kishte Zërin, Përnaskën apo Demollarin, pasi luante ndryshe taktikisht. Ndërsa te mbizotëron­te grupi.

E keni parë ndonjëherë veten pas një derbi?

Pas çdo derbi, humbje apo fitore, ulesha me shokët në lagje. Ata më kërkonin të dilnim, por nuk pranoja. Ata habiteshin, por unë e kisha bezdi se më dukej sikur po shisja mend.

Po videot i rishihnit?

Nuk ritransmet­oheshin, por ne i shihnim. Na çonin te Kinostudio dhe shihnim ndonjë film, por edhe disa ndeshje i kemi parë.

Si ju dukej vetja?

Emocione të forta dhe shihja vetëm gabimet te vetja. I thosha shpesh vetes "ore pse ke ec këtu, pse nuk fugon?" Isha kritik. Profesor, të kalojmë pak te Tirana aktuale, si ju duket tani? Shoh rritje në lojë që nga ndeshja e parë. Isha i bindur që nuk do të humbnin në Korçë. Gjithnjë e kanë treguar që ndaj të fortave prodhojnë futboll të bukur. I vlerësojnë të tilla takime. Edhe për derbin e së premtes kam një thirrje për tifozët. Shpresoj që t'i lenë sharjet në kor e sherret dhe të shijojmë futbollin, në fund të fitojë më i miri. Futbolli është "luftë", por brenda normave të lejuara. Le të tregojnë se janë ekipe për t'u marrë shembull. Vetëm në kryeqytet mund të shohësh futboll.

Si mund ta thyejë Tirana dominimin prej 13 ndeshjes të Partizanit dhe mbi të gjitha kur sheh që ka bollëk lojtarësh të huaj dhe që nuk e kanë luajtur kurrë një derbi?

Kjo është anë pozitive për ne. Të paktën nuk do të kenë presion. Ne dikur nuk na zinte gjumi para ndeshjes, ndaj ishim edhe të ngarkuar.

Mund të jetë kjo ndeshja e duhur për të thyer mallkimin? Edhe mundet. Partizani nuk është ai që ka qenë. Edhe pse ka marrë pikët, nuk shoh ndonjë ndryshim të madh në lojë. I shoh skuadrat të barabarta. Pastaj derbit janë specifike, mund të fitojë edhe ekipi që nuk prodhon as futboll.

Mund të na bëni një parashikim?

Si tifoz, them që do të fitojë Tirana.

Kush mund të vendosë?

E çfarë rëndësie ka. Me gjysmë goli, mjaft të fitojë Tirana. Nuk na ngelet hatri edhe nëse vendoset nga një autogol (qesh).

Po gjykimi në Korçë si ju duk?

Nuk dua të merrem me moviolë, por më pëlqen diçka te Tirana dhe presidenti. Nuk merret hiç me gjyqtarët apo mediat. Ata merren me ekipin dhe kjo është gjë e mirë.

Ze Maria nuk e njeh derbin tonë, por ka luajtur InterMilan. A do e ndihmojë ky fakt?

Ai i ka provuar derbet dhe në çdo vend të botës janë të njëjta. Nuk flasin për nivel, por për emocionet. Ai e di se çfarë kërkohet. E di që duhet ta fitojë. Tifozët mund të pranojnë edhe 10 humbje, por duan vetëm fitoren ndaj Partizanit.

Ka pasur një konflikt publik mes trajnerit dhe Karabecit. Si e gjykoni?

Kur ke një lojtar të mirë, nuk mund të të interesojë ta mbash jashtë planeve. Nuk është çështje shiriti, pasi mund ta mbajë kushdo. E kam tek angazhimi dhe përkushtim­i që ai lojtar ka. Karabeci ka nerv në fushë. Pastaj nuk e hodhi Tiranën poshtë as kur ranë, as kur ka pasur oferta. Nuk mund të mbash inat edhe nëse gabon. Për të mirën e punës duhet të ulen dhe të flasin. Edhe në familje ka përplasje, por jo inate.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania