Panorama Sport (Albania)

Gega: Më të fortë se Tirana, Hebaj është gati

"Të ruajmë traditën në derbi, testi i parë edhe për mua"

- ILIR CARA

Skënder Gega e ka përjetuar derbin me Tiranën si lojtar, ku edhe ka shënuar, por nesër e përjeton për herë të parë si trajner. Ish-mbrojtësi i kuq nuk e shikon nën presion ekipin para kësaj sfide, e cila sipas tij duhet luajtur dhe fituar. Trajneri i të kuqve ka besim se do të ruhet tradita e pathyeshmë­risë edhe në derbin e nesërm. Në fund nuk mungojnë edhe mesazhet e tij për tifozët dhe ish-trajnerët, që mund ta kritikojnë në rast dështimi, të cilin ai nuk e mendon.

Vini nga një moment mjaft i mirë si skuadër në derbin e parë me Tiranën. A mendoni se rezultati i sfidës të së premtes do të jetë pikë referimi për të gjithë sezonin?

Unë mendoj se derbi ka specifikën e vet. Ka elementë shumë pozitivë për vijueshmër­inë. Nëse e kalojmë me sukses këtë ndeshje, patjetër që do të shikohet si një moment referimi. Natyrisht, do të shikohen edhe pikët, edhe loja në ndeshjen direkte me rivalin tonë historik. Derbi vlen për shumë arsye, për të rritur besimin tek ekipi, te lojtarët. Po kalojmë një moment të mirë që ka ardhur gradualish­t. Me ekipin po punoj që ta kuptojë se është vetëm fillimi, ndërsa rruga është e gjatë. Ende nuk jemi aty ku duhet. Besoj se kemi mundësi për t'u rritur më shumë.

Derbin e keni provuar vetë si lojtar në fushë. Çfarë emocionesh prisni nesër si trajner i Partizanit?

Besoj se janë emocione të tjera. Ndoshta edhe më të mëdha. Përgjegjës­ia është më e madhe sepse kur je futbollist emocionet shkarkohen me lojën. Si trajner ke përgjegjës­inë e krejt lojtarëve mbi supe, sepse ti i bën zgjedhjet. Kur je trajner ke 22- 25 lojtarë, ke staf, ke çdo gjë për ta kaluar nëpër duar. Do ta përgatisës­h ndeshjen në detaje. Presioni ekziston, edhe emocionet e ndryshme, por besoj te lojtarët e mi. Ne diskutojmë së bashku për të kaluarën dhe të sotmen e derbit me Tiranën, i kemi emocionet tona, por e presim me kënaqësi derbin.

A do të bëni ndryshime në formacion, apo do të vazhdoni si deri më tani?

Unë kam 25 lojtarë në dispozicio­n. Normalisht, kam aktivizuar edhe lojtarë të rinj. Deri ditën e ndeshjes do të shikoj për të vendosur se cilët do ta nisin nga fillimi sfidën me Tiranën. Është e vështirë, por edhe gjë e mirë kur ke mundësi zgjedhjeje, kur ka konkurrenc­ë në grup, kur lojtarët janë gati të japin maksimumin. Kam ndonjë dilemë të vogël, por deri ditën e premte do të shikojmë situatën dhe do të nxjerrim formacioni­n më të mirë në fushë.

Çfarë u premtoni tifozëve para derbit?

Tifozët janë lojtari ynë i 12-të. Jemi me fat që i kemi kaq të zjarrtë. Ata ishin një ndihmesë e madhe në fitoren e javës së kaluar kundër Flamurtari­t. Na mbështetën dhe jam i lumtur që ua kthyem me të njëjtën monedhë, duke fituar.

Si do të luani në derbin me Tiranën?

Sa i takon derbit, ne duhet të dimë si të luajmë, po përgatitem­i për këtë. Do të bëjmë më të mirën. Duhet t'i zgjidhim gjërat jo me emocione, por me qetësi, duke zbatuar detyrat në fushë. Do të tregohemi të kujdesshëm në të dyja fazat, në mbrojtje dhe sulm.

Hebaj ka qenë i dëmtuar. A do të jetë gati për këtë sfidë?

Rubini ka luajtur dje 90 minuta ndaj Tërbunit, në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë. Nuk ka shfaqur asnjë shqetësim gjatë lojës. Më parë kishte disa shqetësime, ndaj nuk rrezikuam, duke mos e pasur as në stol kundër Flamurtari­t. Tashmë është gati dhe do të jetë me skuadrën për derbin e së premtes.

Jeni pritur shumë mirë te Partizani. Ndërkohë, Tirana ka shumë kohë që nuk e fiton derbin me Partizanin. Çfarë historie do të jetë këtë herë me ju në stolin e kuq?

E para, në shtëpi ndihesh shumë mirë. Unë kam ardhur 18 vjeç te Partizani. Këtu jam rritur dhe e kam bërë karrierën. Kjo ka qenë arsyeja pse e kam pranuar pa kushte

BANDEROLA E ULTRASVE

detyrën e trajnerit të Partizanit. Deri tani kam gjetur ambientin e duhur. Ky klub ka histori të madhe, gjë për të cilën jemi të vetëdijshë­m të gjithë, nga presidenti e deri te punëtori i fundit. Partizani ka fituar shumë derbe në vitet e fundit, një ecuri që duhet të vazhdojë. Është një lloj ngarkese, sepse duhet ruajtur ky ritëm, por unë jam trajner këtu jo vetëm për derbin, por për të gjitha ndeshjet. Duhet të arrijmë objektivin, ndaj shpresoj që gjërat të shkojnë ashtu si duhet. Në fund fare unë kam ardhur për një mision të madh, që Partizani të shkojë aty ku duhet.

Në një derbi të vitit 1987 keni shënuar gol, në fitoren 32…

Është mirë t'i kthehesh pas historisë. Megjithatë, për mua janë gjëra që kanë kaluar. Sot jam 55 vjeç. Problemi im është si do të përgjigjem tani në rolin e trajnerit. Nëse bëjmë paraqitje të mirë dhe fitojmë, atëherë lidhet nostalgjia me të sotmen. Me rëndësi është të luajmë mirë 90 minuta, ashtu siç mendojmë ne. Të mos jemi emocionalë. Nëse kemi kualitetin e duhur, edhe më të mirë se Tirana, duhet ta fitojmë derbin.

Në ndeshjet e fundit Tirana ka pësuar rritje. A ju tremb ky fakt?

Neve nuk na tremb rritja e Tiranës. Kjo na bën më të ndërgjegjs­hëm për çka na pret. Tani e njohim Tiranën më mirë, e pashë kundër Skënderbeu­t dhe Luftëtarit. Është një ekip me dëshirë, që vrapon shumë. E kemi studiuar me detaje. Tirana nuk na tremb, por e respektojm­ë aq sa duhet. Do t'i marrim masat që të jemi në vendin dhe në kohën e duhur.

Më mirë të fitohet derbi apo të arrihen objektivat? Tifozët duan shumë triumfin ndaj Tiranës…

Me gjithë respektin që kam për tifozët dhe dashamirës­it e Partizanit, mendoj se futbolli është një punë që gatuhet sot, por nuk mund t'i marrësh frytet në moment. Nëse fitojmë derbin, do të ishte shumë shumë mirë. Dhe ne për këtë do të luajmë. Çdo trajner do të fitojë çdo ndeshje. Edhe unë kam një ambicie të tillë. Ndoshta ndeshjen më të mirë të karrierës e kam luajtur kundër vëllait tim, kam dashur të fitoj ndaj tij. Kështu është futbolli. Do ta fitosh derbin, por objektivi është pjesë e një projekti të klubit që duhet përmbushur patjetër. Kjo nënkupton maksimumin në çdo ndeshje.

A ka ndryshuar atmosfera e kohës së derbit tuaj si futbollist dhe derbit të sotëm, tashmë në rolin e trajnerit?

Patjetër që ka ndryshuar. Numri i tifozëve ka qenë më i madh atëherë. Ne nuk luanim dot me drita, ishin të ndaluara fishekzjar­rët, parullat, ndoshta edhe muzika. Nuk mund t'i krahasosh, është si e bardha me të zezën. Megjithatë, emocionet kanë qenë, njerëzit rrinin në ankth ndoshta edhe një javë pas derbit. Në atë jetë të zymtë dhe të vështirë, derbi ishte një lloj ngushëllim­i dhe gëzimi për tifozët.

A mendoni se jeni më lart se Tirana si ekip për momentin, ndonëse me diplomaci po mundoheni që të ruani një profil të ulët këtë vit?

Ne kemi objektivat tanë, të cilët i themi hapur. Nuk ka diplomaci në këtë mes, por objektivit­et. Javën e parë, të dytë dhe të tretë nuk mund të thuash se je për kampion. Do t'i shohim gjërat javë pas jave. Shpresoj që me Tiranën të shkojnë gjërat ashtu siç parashikoj­më. Ideja për të qenë kampion përforcohe­t dita-ditës nëpërmjet punës. Ne kemi kualitet, por mbi të gjitha grup. Kjo më intereson. Partizani po punon jashtëzako­nisht mirë, po sillet shumë mirë, brenda dhe jashtë fushe. Kjo është baza për të punuar.

A e konsideron­i derbin si një ndeshje të radhës në herën tuaj të parë si trajner? A e kuptojnë të gjithë lojtarët peshën e një sfide të tillë?

Historia e derbit është e madhe. Në kohën tonë kemi qenë "bio", si të thuash. Lojtarët vinin nga akademitë e klubeve, ndërsa sot kemi edhe të huaj në radhët tona. Kemi edhe lojtarë që vijnë nga skuadrat e tjera të vendit, por besoj se kanë përgjegjës­inë e duhur, e njohin se çfarë do të thotë derbi për Partizanin. Është shumë lehtë të lexosh se çfarë ka ndodhur me këtë fanellë, por duhet të shohim të sotmen. Ajo ka vlerë për momentin. Të japim maksimumin. Klub-lojtarë-trajner duhet të funksionoj­më si një familje.

A i druheni eksperienc­ës së paraardhës­ve tuaj, që kanë qenë të suksesshëm në ndeshjet derbi, pasi nëse dështoni në këtë takim mund të kritikohen­i nga këta ish-ë?

Unë nuk kam komplekse as me ish-ët, pasi ata kanë status të veçantë e të nderuar. Mund ta përdorin një humbje si dështim, por nuk ka dështim në futboll. Kur humbet, duhet të ngrihesh. Ish-ët kanë pasur problemet e tyre, kanë fituar derbe, kanë humbur edhe ndeshje të tjera. Kanë pasur edhe probleme të tjera që unë kurrë nuk do t'i analizoj. Megjithatë, nëse do të fitojmë, uroj që edhe ish-ët të bashkohen me gëzimin tonë.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania