Panorama Sport (Albania)

Shehi: Emocionues­e, por dua fitore në Durrës

"Kërkoj disiplinë taktike, me Tiranën nuk ishim mirë"

- LLAZI SARO

Rikthimi në Durrës për herë të parë si trajner është mjaft emocionues për Orges Shehin që do të jetë në vendin e lindjes si "timonieri" i kampionëve në fuqi. Kjo është ajo që e emocionon trajnerin e korçarëve në këtë ndeshje. Përpos kësaj, edhe përballja me Shkëmbin mbetet e veçantë, teksa Shehi në një prononcim për "Panorama Sport" ka bërë me dije se nuk duhet parë si ndeshje mes Shkëmbit dhe Shehit, por Teutës dhe Skënderbeu­t. Korçarët, sipas tij, pas barazimit me Tiranën duhet të kenë përqendrim dhe disiplinë taktike në këtë takim që mbetet i vështirë.

Çfarë do të thotë për ju të keni përballë njeriun me të cilin nisët të bënit historinë si kapitenë të Skënderbeu­t?

E kam thënë që në fillimet e rrugës sime si trajner, në këtë pozicion do të ndeshem shpesh përballë me miq dhe me ish-shokë të ekipit. Kjo, edhe për vetë faktin se trajnerët e rinj janë të shumtë në këtë sezon. Emocionues­e është gjithashtu kur përballem me ish- trajnerët e mi, pasi vazhdoj t'u thërras mister. Ndërsa emocioni më i madh për mua do të jetë fakti që do të shkoj në Durrës për herë të parë si trajner.

Mendoni se e njihni ju më mirë Shkëmbin apo ai juve?

Më vjen çudi me pyetjen, pasi të njëjtët gjë ma thatë edhe ndaj Flamurtari­t të Ilir Dajës. Nuk është një përballje mes meje dhe Shkëmbit, por luan Skënderbeu kundër Teutës. Do të jenë dy ekipet që do të luajnë jo individët e veçantë.

Pas largimit të Shkëmbit nga Skënderbeu u fol për kontradikt­a mes jush dhe Bledit. Si ka qenë e vërteta?

Më duket paksa e pavend që të rikthehemi të diskutojmë rreth një çështjeje që për mua nuk ka vend aspak. Unë me Shkëmbin kemi qenë shokë në një kohë kur Skënderbeu filloi të dominonte në futbollin tonë dhe vijojmë të jemi shokë. Është e vërtetë që pasi ai la futbollin rrugët tona u ndanë, por jemi miq dhe nuk kemi pasur asnjë kontradikt­ë.

E pranoni edhe një barazim apo shkoni në Durrës vetëm fitoren?

Filozofia ime në këtë klub që në ditën e parë që kam marrë drejtimin e tij ka qenë që ekipi të japë maksimumin dhe të mos mendojë për rezultatin për aq kohë sa është duke luajtur ndeshjen. Nuk nisem nga kundërshta­ri për të caktuar objektivat, por nga fakti që dua gjithmonë maksimumin nga ky grup.

Është pak ironike që Skënderbeu­n e drejton një durrsak dhe Teutën një korçar?

Mua nuk më duket ironike fare. Përkundraz­i, unë në Korçë kam 9 vite dhe kam fituar shumë. Praktikish­t, është karriera më e gjatë e imja në një klub. Për këtë mund të them se është shtëpia ime e dytë.

Si vjen Skënderbeu në këtë ndeshje delikate?

Vijmë pas një ndeshjeje jo pozitive ndaj Tiranës, ku nuk kemi dhënë më të mirën tonë e për pasojë kemi barazuar me rezultatin 1-1. Kemi pasur probleme gjatë javës, por disa prej tyre i kemi rregulluar, ndërsa vetëm Hoxhaj na ka prishur punë me dëmtimin e tij. Por, do të mundohemi të jemi sa më kompaktë në lojë dhe të japim më të mirën.

Pas barazimit me Tiranën, fitorja është i vetmi rezultat?

Për mua më shumë sesa rezultati ka rëndësi disiplina taktike dhe loja e ekipit. Dua që ekipi kur të dalë nga fusha të jetë 100% i bindur se ka dhënë maksimumin e vet. Kjo më intereson më shumë sesa rezultati.

Pas atij fillimi të vështirë kur morët drejtimin e ekipit, a e kishit menduar se do të ishit në krye pas pesë javësh?

Në atë periudhë kur unë mora drejtimin e ekipit, situata ka qenë mjaft e vështirë dhe ju këtë e dini mirë pasi keni qenë pranë ekipit. Ka pasur shumë largime, lojtarë që ende nuk kishin vendosur se çfarë do të bënin me të ardhmen e tyre. Nga ana tjetër, ishte edhe mungesa e Europës që na dëmtoi, pasi ishim përgatitur të luanim në Champions. Vetëm në javën e fundit të fazës përgatitor­e ekipi u kompletua dhe pavarësish­t fillimit të vështirë u ambientuam. Jemi stërvitur dhe kemi punuar me shumë përkushtim dhe seriozitet. Besimi dhe dëshira janë sekretet tona.

 ??  ?? Shkëmbi dhe Shehi para një miqësoreje Skënderbeu-Teuta
Shkëmbi dhe Shehi para një miqësoreje Skënderbeu-Teuta
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania