Panorama Sport (Albania)

Tripleta, Interi sot, derbi… flasin “heronjtë” e 2010-ës

-

Në Trento, me rastin e “Festivalit të Sportit”, është celebruar edhe Interi i tripletës. Është folur për arritjen historike e jo vetëm (dhe tifozët kanë thirrur emrin e Modriçit…). Fillimisht, Masimo Morati, ish-padron i asaj skuadre, kujtoi edhe shkëmbimin Ibra-Eto: “Fillimisht nuk pranova, por presidenti i Barçës trefishoi çmimin dhe në 5 minuta firmosëm. Besova te Milito. Ikardi njeriu i këtij derbi? Me të fitohet çdo ndeshje. Frikë për tripletë të Juves? Rekordet janë bërë për t’u thyer. Marota? Vendimin do e marrë ai, por e përsëris se do më pëlqente”. Ja disa nga komentet më “pikante”. HULIO SEZAR – “Pritësi i ëndrrave” është shprehur kështu: “Pritja më e bukur? Ajo ndaj Mesit, kur fituam tripletën: fantastike. Derbi më emocionues? Ai që fituam 2-0, me 9 lojtarë kundër 11 (Shnajder u përjashtua me të kuq): prita edhe penalltinë e Ronaldinjo­s… “.

MARKO MATERACI - Marko Materaci, ish-mbrojtës i Interit dhe protagonis­t absolut i 2010-ës, është ndalur nga mikrofonat e “Gazzetta dello Sport” (organizato­rëve), duke komentuar momentin e Interit të Spaletit në kampionat, në Champions, me një parashikim edhe për derbin e 21 tetorit: “Ikardi ka bërë histori në klub: ka qëndruar gjithë këto vite dhe ka shënuar 103 gola. Lautaro? Shpresoj të ndjekë të njëjtën rrugë. Liga e Kampioneve? Me 10 pikë kalohen grupet, më pas mund të ndodhë gjithçka. Inter-Milan? Është një ndeshje unike. Për fat të keq nuk fiton gjithmonë favoriti, ndaj them se nis favorit Milani (qesh)”. HAVIER ZANETI - Në marzhin e eventit nuk mund të mungonte Havier Zaneti, kapiteni i asaj skuadre: “Ikardi, flamur i zikaltërve? E uroj, e ka shumë për zemër Interin dhe e ka treguar. A mund të mposhtet Barcelona? Futbolli është i ekuilibrua­r, ndeshja duhet përgatitur më së miri, duke ditur se përballë do jetë një kundërshta­r i fortë. Më i forti mes Higuainit e Ikardit? Edhe ky është një ‘derb’ i bukur: të dy po luajnë në nivele të larta prej shumë vitesh. Lautaro-Ikardi bashkë? Këtë do e vendosë trajneri Spaleti. Është ai që i monitoron çdo javë, por janë lojtarë të mëdhenj, ndaj nuk do ketë probleme”.

DIEGO MILITO – Gazetarët e “Sky Sport” kanë ndalur Diego Militon, ish-bomberin e Interit: “Të rishohësh Interin në Champions pas kaq shumë kohësh është vërtet emocionues­e, jemi të gjithë më të vjetër, por kujtojmë shumë momente të përjetuara së bashku. Ky Inter është në rrugën e duhur. Derbi? Një ndeshje e veçantë, uroj të fitojnë. Ikardi? Është rritur shumë: një sulmues i madh, që tani në kombëtare; si ai po ashtu edhe Lautaro janë e tashmja e Argjentinë­s”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania