Panorama Sport (Albania)

Habit Mançini: S'e bëj dramë nëse humbim në Poloni

Trajneri i Italisë, përpara Polonisë

-

Fitore ose të paktën nuk duhet të humbin në Poloni, për të shpresuar deri në fund, për të mos zbritur në "Serinë B" të Ligës së Kombeve, ndonëse fjala "zbritje" nuk duket se do t'i prishte gjumin Roberto Mançinit, siç konfirmon ai në konferencë­n për shtyp, përpara transfertë­s së sotme. "Objektivi ynë ishte ai që të bënim diçka të mirë në Ligën e Kombeve, të rindërtoni­m skuadrën, por kjo nuk bëhet në pesë ndeshje, dhe të shkojmë në Europian, ndonëse rruga deri në këtë synim tonin është ende shumë e gjatë. Nesër (sot) do të provojmë që të përmirësoh­emi, nëse është e mundur në një stadium që siç më kanë thënë do të ketë 60 mijë të pranishëm. Ky është një 90-minutësh që do të na vlejë për të bërë shumë eksperienc­ë. Vendi i fundit i mundshëm një dështim për ne? Unë di të them se në Poloni do të luajmë për të dalë të dytët në grup, për të fituar ndeshjen. Por edhe nëse humbim, nëse e mbyllim të fundit në grup, për mua nuk është një dramë e madhe. Fundja, pozicioni në Ligën e Kombeve nuk na mohon që të luftojmë për të shkuar në Europianin e vitit 2020, prandaj nuk e kuptoj pse duhet të përhapim panik. Madje, meqë e keni merak se mos ndoshta Italia rrezikon që të zbresë në Ligën B, e njëjta gjë mund t'i ndodhë edhe Anglisë, Kroacisë nënkampion­e bote, apo edhe Holandës, me çfarë kam parë unë gjendjen në grupe. Unë jam një tip që mendoj pozitivish­t dhe shpresoj se kështu do të shkojë. Por nëse ndodh e kundërta, nuk do të jetë fundi i botës". Për sa i përket kundërshta­rit, me të cilin barazuan në Itali dhe ndryshimev­e të mundshme që trajneri i Italisë pritet të bëjë në formacion kundrejt miqësores me Ukrainën, Roberto Mançini nënvizon. "Polonia në ndeshjen e parë direkte nuk besoj se bëri më shumë se ne, prandaj mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë, por ajo ishte një Itali tjetër. Në ndeshje me Ukrainën pashë një Itali që më pëlqeu për 60 minuta, por kur ndryshon shumë, duke bërë shumë zëvendësim­e në një miqësore, krijohet kaos dhe është normale që të dalë disi skuadra nga shinat. Çfarë do të ndryshoj nga ndeshja me Ukrainën? Ndoshta asgjë. Mund të konfirmoj të njëjtin formacion. Një muaj më parë, lojtarët që unë kam thërritur në ndeshjet e mëparshme nuk ishin ende në maksimumin e formës. Ekzistonte gjithashtu edhe rreziku i dëmtimeve, duke qenë se shumë lojtarë ishin të ngarkuar fizikisht nga faza përgatitor­e dhe ndeshjet me skuadrat respektive. Por këtë herë kam mundur të grumbulloj edhe lojtarë që nuk i kisha një muaj më parë. I provova dhe pashë rezultate shumë të mira ndaj Ukrainës. Prandaj, edhe me Poloninë do t'i besoj shumë formacioni­t që kisha zgjedhur në miqësoren e fundit", përfundoi Mançini.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania