Panorama Sport (Albania)

“Ançelotit do i vidhja... flokët, Juventusi favorit në Champions”

Pep Guardiola, batuta me Sakin dhe Karleton

-

"Festivali i Sportit", i organizuar në Trento të Italisë, kishte mbledhur në skenë tre ekspertë të futbollit të bukur, Arrigo Sakin, Pep Guardiolën dhe Karlo Ançelotin. Por, ndërsa ish-trajneri i Milanit dhe i kombëtares së Italisë bëri më tepër rolin e moderatori­t të panelit, duke ua lënë skenën dishepujve të tij, ai që tërhoqi më shumë ishte dialogu i Pep Guardiolës, i cili shpalosi gjithçka përmban karriera dhe idetë e tij mbi futbollin, duke nisur nga stili "tiki-taka" e deri te batutat finale me Karlo Ançelotin. "Tiki-taka" - "Ky pseudonim që i kanë dhënë idesë sime të lojës nuk më pëlqen shumë, sepse duket diçka tallëse, joserioze, por ndërkohë është krejt e kundërta. Në të njëjtën kohë nuk dua kurrsesi që të mburrem se jam unë shpikësi i kësaj mënyre loje. Nuk kam shpikur asgjë... Ne te Barcelona fituam me 7 lojtarë të rritur në rangjet e të rinjve, me një grup që kishin bërë një udhëtim të përbashkët që në moshë të vogël. Më pas gjetëm edhe lidhjen e duhur mes lojtarëve dhe stafit tim. Kuptoheshi­m, sepse ne dhe ata kishim mësuar dhe punuar mbi një mënyrë loje prej vitesh, - bën hyrjen e tij trajneri i Mançester Sitit. - Madje, nëse doni ta dini, mësuesi im, i yni te Barcelona ishte Johan Krujfi, njeriu më i rëndësishë­m për idenë e futbollit total. Ishte ai që na i hapi sytë te Barcelona. Na ndihmoi që të kuptojmë mënyrën e të parit të futbollit. Ishte si të shkoje në shkollë çdo ditë. Na bëri që të dashurohes­him me këtë stil loje, pavarësish­t rezultatit. Së bashku me Arrigo Sakin, Krujfi ishte njeriu që ka ndryshuar më shumë futbollin dhe jo më kot, shumë lojtarë që kanë kaluar nga ata të dy janë sot trajnerë. Krujf dhe Saki na hapën një botë të re, shtuan dashurinë për këtë sport, ku kryefjala është spektakli, ndonëse fatkeqësis­ht nuk fiton gjithmonë ai që luan më mirë. Pastaj, te Barcelona ishte edhe një grup që duke punuar shtoi edhe bindjen në vetvete, ishim një grup që ishim gati të kafshonim botën. Kishim uri dhe dëshirë. Ishim konstantë për shumë vite dhe nëse ajo skuadër vazhdon të përmendet ende sot, do të thotë se diçka të mirë e kemi bërë. 'Tikitaka' është një koncept loje jo i përbërë nga pasime pa fund, por një mënyrë që duke zotëruar lojën, ta dërgojmë ne topin aty ku duam, kur duam dhe si e duam ne". Mesi e Ronaldo - Pep Guardiola më pas u ndal te lideri i Barçës së tij dhe lideri aktual i Barcelonës: "Leo është një kafshë kompetitiv­e, e egër, fituese. Kush përpiqet që të ndihmojë të tjerët që të jetë kompetitiv dhe fitues, urren që të humbë dhe mbi të gjitha vazhdon të luajë sikur të jetë ende një fëmijë i lumtur. Dhe në eventet e mëdha, nëse skuadra e shoqëron, e ndihmon, ai bën gjithmonë diferencën. Së bashku me Kristiano Ronaldon janë dy fenomene, që na kanë mësuar dhe shoqëruar në një epokë fantastike. Prej 15 vitesh që të dy shënojnë nga 50 gola në sezon dhe për ne është diçka e bukur që kemi mundur të stërvitim ndonjë prej tyre, por edhe thjesht t'i kemi parë në aksion apo edhe luftuar kundër tyre, pasi janë jo vetëm dy fenomene, por edhe dy stimuj për kundërshta­rët", vazhdoi spanjolli. Champions-i - Në fund, Pep foli për ambiciet e Mançester Sitit në Ligën e Kampioneve sivjet: "Suksesi më i madh për ne, në historinë e këtij klubi ishte arritja në gjysmëfina­let e këtij turneu. Nuk e di nëse sivjet jemi gati për të fituar Champions-in, sepse nuk kemi një histori mbi shpatulla. Favoritet janë ato që kanë bërë gjëra të mëdha në këtë turne, si Reali i Madridit, Barcelona, Bajerni i Mynihut, por sivjet mbi të gjitha Juventusi. Ata e blenë Kristiano Ronaldon, këtë kampion të madh të këtij sporti për t'u dhënë një mesazh të gjithëve: 'Sivjet e duam ne kupën' dhe realisht për mua janë skuadra favorite për suksesin final. Këtu kam dy mësues, dy trajnerë, dy kolegë si Saki dhe Ançeloti që kanë shkruar historinë e tyre në Champions, ndaj ata e kuptojnë mjaft mirë atë që dua të them. Çfarë do t'i vidhja Ançelotit? Sigurisht flokët... Madje, edhe Arrigo ka të njëjtën dëshirë si unë, - thotë Guardiola duke përhapur të qeshura në sallë, ndërsa në fund, i hap dyert edhe Serisë A. - Një aventurë në Itali? Pse jo, talentin e keni, nuk ju mungon. Një ekip që luan ' alla Guardiola'? Më pëlqen shumë Sasuolo, bën një loje sulmuese".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania