Panorama Sport (Albania)

Këshilla e Bufon, Xhixho: Më tha të jem luftëtar

-

Pak ditë më parë, rrjeti amerikan “ESPN” i kushtoi një emision mbi karrierën, por megjithëse ka vetëm tre vjet në nivelin më të lartë të futbollit italian, Xhanluixhi Donaruma është i vetëdijshë­m se ka ende shumë rrugë përpara tij. Duke folur për fillimin e përvojës me Milanin, 19-vjeçari deklaroi: “Nuk ndryshoi asgjë kur kalova në ekipin e parë, ndaj mendoj se jam i njëjti njeri. Kur kalon në ekipin e parë duhet të rritesh shumë shpejt, si në fushë, ashtu edhe në nivel njerëzor. Sot disa aspekte i shikojme një tjetër sy”. Me kalimin e javëve, Xhixho duket më i qetë dhe më i vendosur në fushë. Jashtë tapetit të blertë, dyshimet shtohen, sidomos për sa i përket numrit të telefonit më të rëndësishë­m që ka të regjistrua­r në rubrikë. “Numri i të dashurës ka shumë rëndësi dhe pas saj ndoshta ai i Mino Raiolës, menaxherit tim”, sqaron Donaruma. Edhe për kritikat duket se e ka gjetur ilaçin gardiani i Milanit, aq sa të jep përshtypje­n sikur nuk u druhet më. “Kritikat janë pjesë e profesioni­t dhe nuk do të mungojnë kurrë. Përpiqem t’i analizoj dhe t’i përdor në mënyrë konstrukti­ve, ndaj nuk mërzitem më kur flasin keq për mua. Diskutimi ndryshon te mamaja ime, ajo xhindoset shumë sa herë lexon kritikat ndaj meje”, tha talenti. Nga Xhixho te Xhixhi, duke nënkuptuar Bufonin. Raport special mes të dyve dhe këtë e dëshmojnë fjalët e portierit të Milanit, i cili për homologun që tashmë luan te PSG-ja tha: “Pas finales së Kupës së Italisë që humbëm 4-0 ndaj Juves, Bufon më këshilloi që të qëndroja i qetë. Nuk do ta falënderoj kurrë sa duhet për fjalët e tij”. Autori i shkrimit të ESPN, Rajt Tompson, saktëson se fjalët ekzakte të Bufonit kanë qenë: “Rri i qetë, bëhu luftëtar dhe ngrihu sa herë të rrëzohesh”.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania