Panorama Sport (Albania)

Kombëtaret për turp, U-17 pëson 6 që në të parën

U- 17/ Nisje skandaloze e kualifikue­seve

-

Kombëtarja U-17 e Shqipërisë shpërfytyr­ohet nga moshatarët e saj çekë, duke u mundur në shifrat e thella 0 me 6. Tripleta e Vojatshke dhe golat e Svobodës, Hlozek dhe Sejk na hedhin në "tapet". E para u mbyll 0 me 4, ndërsa në të dytën miqtë shënojnë edhe dy herë të tjera, duke dominuar tërësisht sfidën. Kuqezinjtë bënë shumë pak, ku pothuajse nuk rrezikuan asnjëherë për të shpresuar te goli i flamurit.

NDESHJA - Shqipëria e nis si mos më keq ndeshjen, pasi brenda pak minutave sheh t'i shënohen tri gola. Fillimisht, Vojatshke godet në zonë dhe pret Ceka. Në të 13-ën sërish ky futbollist brenda zonës godet dhe kësaj here e ndal në rrjetë. Pa kaluar mirë pak minuta lojë, sërish Vojatshke dyfishon, pasi driblon në zonë dhe më pas e ndal sferën në rrjetë. 0 me 2 pa kaluar ende 20 minuta lojë, por nuk mbaron me kaq. Në të 23-ën është Svoboda në zonë që nuk e ka të vështirë të realizojë me portën pothuajse të boshatisur. Tanët nuk janë kurrkund dhe luhet vetëm me një portë. Ritmi i lojës bie disi, me çekët që administro­jnë dhe kuqezinjtë që bëjnë përpjekje sporadike për të rrezikuar, por janë sërish miqtë ata që shënojnë në të 42-ën me anë të Hlozek. 0 me 4 dhe në këto shifra mbyllet edhe fraksioni i parë i lojës. E dyta nis ashtu si e para, me gol për miqtë dhe është sërish Vojatshke që na ndëshkon, duke i dërguar shifrat 0 me 5. Ndeshja bëhet e mërzitshme dhe ka qarkullim të dendur të topit nga ana e çekëve, të cilët janë komodë me avantazhin e pesëfishtë. Minutat kalojnë dhe tanët mundohen me anë të një krosimi nga goditja e dënimit, por harkimin e Bisenit nuk e shfrytëzon askush. Në fund ka kohë edhe për një tjetër gol të miqve me anë të Sejk, duke i dërguar shifrat në 0 me 6. Kështu, Çekia na jep leksione futbolli, duke na shënuar 6 herë dhe dominuar në çdo aspekt me një triumf tenistik. Vladimir Mema

 ??  ?? Çast nga ndeshja e djeshme FOTO: F.Hazizllari
Çast nga ndeshja e djeshme FOTO: F.Hazizllari

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania