Panorama Sport (Albania)

-

Humbja mund të kishte dhembur më shumë, por falë barazimit mes PSV-së dhe Totenhemit, disfata 2-0 në "Camp Nou" është kaluar më lehtë. Interi i Spaletit nuk ishte ai i derbit, por kjo nuk ka vënë në rrezik aspak kualifikim­in e zikaltërve që po bëjnë figurë të mirë në një grup, i cili paraprakis­ht dukej e kundërta e së thjeshtës. Tani për të prerë "biletën" e 1/16-ave, do mjaftojë të menaxhohet sfida e kthimit me holandezët, e programuar më 11 dhjetor në "San Siro": një ndeshje ku Interi nuk duhet të gabojë. Ndeshja me PSV-në, në fakt, në terma klasifikim­i ka rëndësi më të madhe se ato me Barçën (6 nëntorin e ardhshëm në "Meazza") dhe Totenhemin (në "Wembley", 28 nëntor). Me një fitore kundër skuadrës së Van Bomel, Ikardit me shokë do u mjaftonte një pikë me Barcelonën e Totenhemin për të kaluar grupin. "NINXHA" - Mesi mungoi, por ishte Interi që ndjeu më shumë mungesën e një kampioni: Naingolan. Belgu, i cili u largua nga derbi pas 30' në fushë, aktualisht është një pikë kyçe e mesfushës zikaltër: në "Camp Nou" munguan kundërsulm­et vertikale dhe inkursione­t qendrore, të cilat vetëm "Ninxha" mund t'ia ofrojë Spaletit. Në krahun tjetër, skuadra e Valverdes thuajse nuk e ndjeu aspak boshllëkun e lënë nga "Pleshti", duke arritur megjithatë të ndërtojë manovrën në mënyrë të natyrshme, më pak gjeniale, por megjithatë fatale. PAK KURAJË - Ashtu si me Totenhemin e PSV-në, Interi kaloi në disavantaz­h. Këtë herë megjithatë përmbysja nuk u konkretizu­a. Spaleti, pas ndeshjes, u shpreh se kërkon më shumë nga të tijtë: "Mendova se kishte përfunduar faza e mësimit, - tha trajneri zikaltër, - mund të kishim bërë më shumë". Mos harrohet që disa gabime të trajnerit ndikuan: Borha Valero e Kandreva nuk bindën nga 1' dhe Lautaro mund të ishte aktivizuar më parë. Sigurisht, Barcelona nuk krahasohet me PSV-në apo me këtë Totenhem plot dëmtime dhe në një moment pak brilant, por ideja e disavantaz­hit mund të peshojë jo pak te nervat e skuadrës. Humbja, pra, duhet të jetë leksion: ndonjëherë duhet të shënosh i pari.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania