Panorama Sport (Albania)

Ngec Dortmundi, Bajerni fiton dhe afrohet në -2 pikë

Golat e Goreckës dhe Tiagos u japin trepikëshi­n kampionëve

-

Bajerni merr fitoren e dytë radhazi ndaj Maincit në transfertë, duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes. Skuadra e Niko Kovaç tani duket se ka kaluar përfundimi­sht krizën, duke u rikthyer te fitorja. Është e treta radhazi së bashku me atë të arritur në fushën e AEK-ut në mesjavë për Champions. Ndaj Maincit, bavarezët treguan edhe njëherë forcën e tyre, duke triumfuar me rezultatin 1-2 me golat e Goreckës dhe Tiagos.

PJESA E PARË - Bajerni nis mirë lojën dhe që në fillim të saj ushtron një presing të madh te kundërshta­ri, i cili detyrohet të tërhiqet prapa. Serge Gnabri është i rrezikshëm në krahun e majtë dhe që në minutën e 13-të kroson bukur në zonë për Levandovsk­in që gabon në goditje. Më pas është David Alaba që godet nga jashtë zone, por topi kalon sipër traut të portës së portierit Myler. Në të 27-ën është Joshua Kimish që godet fort dhe topi përplaset në shtyllë. Goli i parë vjen në minutën e 39-të, Joshua Kimish shërben saktë për Leon Goreckën që godet nga fare pranë, duke dërguar topin në rrjetë. Bajerni tani ka nën kontroll ndeshjen, duke e dominuar totalisht atë. Vendësit duken të pafuqishëm ndaj skuadrës së Kovaçit, e cila tregohet është shumë e fortë për ta. Pjesa e parë përfundon 0-1 në favor të bavarezëve.

PJESA E DYTË - 45 minutat e dyta fillojnë menjëherë me gol nga vendësit, të cilët kapin në befasi skuadrën e Bajernit. Daniel Brosinski jep një top në zonë për Boetius që dërgon topin në rrjetë në minutën e 48të. "Opel Arena" shpërthen në festë. Por, bavarezët nuk demoralizo­hen dhe vazhdojnë sulmet e tyre në drejtim të portës. Kovaç vendos të fusë në lojë Frank Riberinë në vend të Serge Gnabrit që ka harxhuar shumë energji. Francezi shfaqet menjëherë i rrezikshëm në krahun e majtë. Goli i avantazhit nuk vonon për Bajernin që në minutën e 62-të e gjen atë me anë të Tiagos. Spanjolli shërbehet nga Robert Levandovsk­i që jep një asist në brendësi të zonës. 1-2 për bavarezët, të cilët shpërblehe­n për lojën e tyre. Vendësit përpiqen të reagojnë dhe në minutën e 74-t Daniel Borinski tenton të godasë nga brenda zonës, por topi i tij bllokohet në momentet e fundit nga mbrojtja mike. Një minutë më pas është Sançez që shfaqet rrezikshëm në portën e Mylerit. Në të 78-ën Martinez provon

sërish për Bajernin, po spanjolli është i pasaktë. Katër minutat shtesë nuk sjellin asnjë ndryshim dhe Bajerni arrin fitoren e dytë rresht, duke u ngjitur në vendin e dytë vetëm dy pikë pas Borusias së Dortmundit që ndodhet në vendin e parë.

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania