Panorama Sport (Albania)

Nallbani: Mema gaboi që mori Tiranën, ja cili është problemi

"E keqja s’është trajneri, presidenti Halili mban afër njerëz kot. Ze Maria u luftua nga brenda"

- OLSI AVDIAJ

“Ardi bëri gabim që mori Tiranën". Blendi Nallbani një nga figurat e kryeqyteti­t kthehet të flasë për Tiranën e tij, me të cilën ka fituar një mori trofesh. Në një intervistë për "Panorama Sport", "Tata", ishportier­i i Kombëtares dhe debutuesi më i ri me fanellën kuqezi, ish-drejtues klubi te Tirana e aktualisht, shefi i klubit shumësport­ësh "Studenti", flet për futbollin shqiptar. Në plan të parë Tirana, e cila sipas tij ka humbur të qenit skuadra e madhe. Në analizën e tij, Nallbani flet edhe për Superioren me Skënderbeu­n, Partizanin që luftojnë për titullin kampion.

Tirana tani ka një drejtues të ri. Ai është Ardian Mema. Pardje a e ndoqët Tiranën në humbjen e radhës...

Tiranën e kam ndjekur, madje edhe të premten. Të them të drejtën më vjen shumë keq për trajnerin. Kam kaluar një pjesë të jetës time, duke luajtur me Ardin, që prej të rinjve, deri te skuadra e parë. Edhe mirë edhe keq më erdhi që u bë trajner i Tiranës. Do ta them publikisht që Ardi nuk duhet të ishte bërë trajneri i Tiranës në këtë moment dhe skuadrën e ka marrë në një moment të vështirë. Te Tirana është një situatë që nuk ka ngelur puna te trajneri, por ai do të fajësohet në fund për rezultatet. Skuadra, me atë që kam parë, ka luajtur mirë. Por, te Tirana dhe ekipet e tjera, ai që e ha është trajneri. Mirëpo janë disa momente që nuk është trajneri fajtor apo e keqja e ekipeve, ose më saktë e Tiranës.

Si ju është dukur skuadra në fushën e lojës dhe a

ngjason më Tirana me skuadrën e madhe?

Duket se nuk është më "Tirona" e dikurshme apo që kemi qenë ne. Ishim ndryshe dhe nuk na mposhtte njeri. E kam thënë gjithmonë, qëllimi i Tiranës ishte fitimi i kampionati­t dhe Kupës së bashku. Nëse fitonim Kupën e Shqipërisë dhe dilnim të dytët ishte dështim. Bëhej nami nga të gjithë, vetëm se fitonim Kupën. Imagjinoni tani ku ka përfunduar Tirana. Me sa po kuptohet, Tirana rrezikon të luajë sërish për mbijetesë. Flasim për deri tani. Çfarë do të ndodhë më pas, nuk e di.

Nuk është ekip për mbijetesë. Pavarësish­t ndeshjes së humbur dje, qe fati i Teutës, sepse nuk u bë ndonjë lojë kushedi se çfarë. Nuk është ajo Tironë që ne presim.

Cili është problemi te Tirana?

Problemi i Tiranës dihet cili është. Nuk ka nevojë që t'i themi ne gjërat. Presidenti­t Halili ia kam thënë gjërat në sy dhe ia them edhe publikisht në media, pasi ia dua të mirën. Afër tij, duhet të mbajë ish- lojtarë, njerëz që kanë dhënë kontribut për Tiranën. Njerëz që mund të japin për Tiranën, jo njerëz kot

apo të afërm apo miq. Dhe kjo është histori që shfaqet në çdo skuadër jo vetëm te shtëpia e Tiranës. Unë e di sesi është situata aty dhe po të më thonë nuk shkoj.

Si ju është dukur merkatoja e Tiranës?

Merkatoja e Tiranës nuk më është dukur kushedi se çfarë. Ka vetëm dy lojtarë të mirë apo cilësorë. Pa hyrë në paragjykim­e, janë nga Kenia, Gana apo diku tjetër, Tirana duhet ta mbyllë me kësi lloj historish. Klubi ka mundësi për më shumë. Nuk e di kush i kontrollon këta lojtarë që vijnë. Japin ndonjë provë apo janë lojtarë videosh. Gjithsesi, merkatoja është një pjesë. Ka edhe punë më të thella se kaq.

Te Tirana ka një mani. Ai që gabon, ulet në stol. Turtulli, Maveje, tani e kanë me Likën. Mund të ndodhë që një lojtar të gabojë dhe urgjent ta hedhin poshtë?

Të njëjtat situata kam kaluar edhe unë si lojtar. Në një moment që ishte mirë, të gjithë të dilnin në krah. Po të gaboje, të ekzekutoni­n. Portieri apo mbrojtësi kanë një pozicion të vështirë, sepse harrohen ato që ke bërë dhe të hedhin poshtë. Në lojë, portieri, mbrojtësi përballen me situata të atilla që mund të gabosh. Në Shijak gaboi Lika, Hidi, por nuk është puna për të kryqëzuar njerëz siç ka ndodhur këto javë te Tirana. Kjo është histori e tillë që kur të kap vala, faji i ngelet mbrojtësit apo portierit, pasi topi nuk ka ku shkon më tej.

Keni një këshillë për trajnerin e ri të ekipit?

U bë kohë e gjatë që nuk e takoj, kjo për vetë impenjimet që Ardi ka pasur. Do t'i thosha të mos e merrte Tiranën dhe kujdes nga njerëzit afër. Në stadium nuk shkoj, jo për Tironën, sepse për të ngrihem në mes të natës, por shoh njerëzit nëpër këmbë që nuk i honeps dot. Mjafton të shohësh tribunën VIP, por pa ofenduar njeri, ka plot njerëz që nuk kanë lidhje me futbollin. Por, këtu jetojmë, kjo është Shqipëria. Me sa di unë, oferta i është bërë edhe Sulejman Memës dhe ai nuk e ka pranuar. Është zgjedhja e Ardit, e respektoj. I uroj më të mirat e zemrës dhe shpresoj që takimet e ardhshme ekipi të ndryshojë dhe po i ecin punët. Për më tepër që këtu të shkarkojnë edhe për dy javë punë.

Faktikisht, Tirana shkarkon jo pak trajnerë...

Për mua, një trajner duhet të qëndrojë dy vite në ekip për të bërë diçka. Edhe largimi i Ze Maria ishte gabim. Nuk kishte ngel puna te Ze Maria. Trajnerët e huaj të Tiranës kanë qenë shumë të mirë, por janë luftuar nga brenda. E përsëris, Tirana nuk çalon te trajnerët.

Çfarë duhet të bëjë Tirana në këtë moment. Tani luan me Kukësin?

Keq është situata. Uroj të ndryshojë dhe të mos luajë për mbijetesë. Është turpi më i madh që Tirana në 11 javë ka nëntë pikë. Ne këto pikë i merrnim për tri javë. E kupton ku është katandis Tirona. Është një film shqiptar "Shtigje Lufte" ku ka një batutë tironse: "Kështu të jetë katandisur Shabani ynë".

Duke u larguar pak nga Tirana, cilën nga skuadrat shihni për titull?

Do ta nis nga Tirana që të shoh se mos ikën për poshtë. Nuk ka më kampionat për Tironën. Jam pak i zhgënjyer me Partizanin. U bë kaq vjet që lufton. E merr me vrull të madh si "Agushi" dhe shkon në vendin e vet, i treti, ose i katërti. Do t'u ngelet hatri, por kjo është e vërteta e hidhur. Skënderbeu më ka pëlqyer edhe pse nuk është ajo skuadra e madhe, por ka mbetur me mentalitet fituesi. Kur një ekip nuk fiton në ndeshjen direkte, është zor të shpallet kampion. Dhe më vjen inat dhe shumë keq, që si Tirana dhe Partizani, e kanë harruar se çfarë do të thotë trofe apo titull kampion. Janë dy ekipet histori të futbollit tonë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania