Panorama Sport (Albania)

Gatuzo: Nuk isha skarco dje, por mos më bëni gjeni tani...

"Dua më shumë helm nga Kastijeho, Bakajoko dhe Kesi ishin fenomenalë"

-

Dy gola në frymën e fundit, gjashtë pikë në pak ditë dhe një renditje që tashmë qetëson shumë ujërat, madje edhe një "bishë" si Xhenaro Gatuzo. Trajneri i Milanit del nga transferta e Udines me shumë adrenalinë në trup, por mbi të gjitha, me ndjesinë se Milani i tij tashmë është më skuadër se kurrë. "Minutat shtesë mund t'i quajmë 'zona Romanjoli'? Më pëlqen kjo frazë, por unë nuk e harroj golin e Ikardit në derbi... Sot (dje) meritonim të fitonim, nuk ishte e lehtë. Udinezja, pas Interit dhe Romës është skuadra më fizike e kampionati­t dhe duheshin këllqe për të fituar këtu". BETIS DHE JUVE - Përsa u përket dy takimeve të radhës, ai lutet që infermieri­a të zbrazet: "Shpresoj të rikuperoj disa lojtarë, nga Çalhanoglu

te Higuain... 'Pipita'? Ndjeu një therje në shpinë, ku ka pasur probleme serioze që në moshë të re. Shpresojmë të mos jetë asgjë serioze, sepse e vërteta është që mungesat peshojnë, por ne duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Me Betisin në Ligën e Europës është decizive, pastaj presim Juven në 'San Siro'. Kam nevojë për

të gjithë".

INDIVIDËT - Në fund, trajneri Gatuzo shpërndan kompliment­e: "Kastijeho dhe Borini thyen ndeshjen në dysh. Spanjollit i mungon vetëm helmi në zonën e golit, por dua ta shoh të luftojë gjithmonë kështu. Pastaj dua të përgëzoj në veçanti Bakajokon dhe Kesin për punën e bërë në mesfushë. Ishin fenomenalë, ashtu sikurse Suso, të cilin kur e njoha vjet e donte gjithmonë topin vetëm në korsinë anësore, ndërsa tani zbret në qendër dhe përhap panik. Ky është Milani që dua. 9 pikë radhazi? Nuk isha një trajner skarco më parë, por nuk jam gjeni tani. Unë di të them se kur rezultatet vijnë, topi në këmbë nis të peshojë më pak".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania