Panorama Sport (Albania)

Gol në limite, quajeni zona "Romanjoli"

-

Goli në minutën e 97- të ndaj Udinezes është më i vonuari i historisë mbi 100-vjeçare të Milanit. Me realizimin e tij, Romanjoli theu rekordin e Zapatës që në derbin e vitit të kaluar shënonte pesë minuta pas përfundimi­t të kohës së rregullt. Të dhënat e sfidës së fundit flasin për një skuadër kurajoze që beson deri në fund, teksa kuqezinjtë regjistrua­n ndeshjen e parë pa gol në Serinë A, pasi ishin ndëshkuar rregullish­t me të paktën një gol në 16 sfidat e fundit. Dy fitoret e Milanit vlejnë gjashtë pikë dhe ajo që bie në sy është kontributi i Alesio Romanjolit në këtë aspekt, i cili në të dyja rastet ka shënuar golin vendimtar në minutën e fundit të takimit.

LIDERI - Pas largimit të Leonardo Bonuçit, Romanjoli trashëgoi shiritin e kapitenit, por edhe detyrën për të komanduar prapavijën e Milanit. Lojtarët e mëdhenj dalin në pah pikërisht në momentet e vështira me mbrojtësin, i cili nuk lejoi që trysnia e rolit brenda skuadrës ta vinte poshtë. Kur "Djallit" i mungonin rezultatet, Romanjoli ishte i pari që merrte përgjegjës­i, duke besuar verbërisht te vetja dhe te shokët. Kritikat pas derbit ishin masakruese, por për 23-vjeçarin shërbyen si një stimul për të treguar vlerat e tij, çka ndodhi në ndeshjet pasardhëse ku paraqitjet e mira u shoqëruan me gola të rëndësishë­m. MOMENTI - Laciali i rritur në ekipet zinxhir të Romës është mësuar me vështirësi dhe më në fund po shfaq vlerat e tij. Pas ndeshjes me Udinezen nuk pranoi që ishte ky momenti më i mirë i karrierës së tij duke treguar haptazi ambicien për t'u ngjitur edhe më lart. Ai nuk kënaqet lehtë dhe mendon se momenti më i bukur do ende të vijë. Lumturinë për golat, Romanjoli e shprehu edhe në rrjetin social "Instagram" ku mesnatën e së dielës shkruante: "Momente si ky ëndërrohen që në fëmijëri, kur nis t'i japësh goditjet e para një topi". Megjithëse vetëm 23 vjeç, Alesio nuk është më një shpresë, por një premtim i mbajtur. E bukura duhet ende të vijë siç e thotë edhe vetë, e mbase mund të jetë si kapiteni i skuadrës që sezonin e ardhshëm synon të luajë në Champions.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania