Panorama Sport (Albania)

Daniel Lekndreaj: Sfida kundër vëllait, emocion i veçantë

-

Nuk është një duel i zakonshëm i basketboll­it. Janë dy vëllezërit Dodë Lekndreaj i Vllaznisë dhe Daniel Lekndreaj i Partizanit, të cilët në ndeshjen e fundit ishin kundërshta­rë në fushën e lojës. I larguar nga Vllaznia së fundmi për Danielin që tashmë vesh fanellën e Partizanit, edhe si ndeshje e parë mund të ketë qenë përballja më e vështirë që mund të ketë pasur, për shkak se në ekipin tjetër ishte vëllai i tij.

"Kisha shumë emocione në fakt. Më e vështirë do thosha se ishte përballja me vëllain sesa me Vllazninë. Por ky është sporti dhe në fillim nuk e di sesi më dukej. Megjithatë, u mundova që të bëj më të mirën time në fushën e lojës edhe pse përballë kisha vëllain dhe natyrisht që për asnjërin prej nesh nuk ishte e lehtë. Të them të drejtën, më përpara nuk kishim folur aq shumë për ndeshjen duke ia lënë gjithçka fushës së lojës". Fillimisht dy vëllezërit Lekndreaj u munduan t'i qëndrojnë larg njërit- tjetrit duke mos preferuar të përplasen. "Po, është e vërtetë. Në fakt edhe pozicionet i kemi të ndryshme, por gjithsesi u munduam që të mos afrohemi shumë, në mënyrë që të mos kishte asnjë fërkim mes nesh sepse patjetër që çështja e familjes bën punën e vet dhe kjo ndeshje ishte pak ndryshe. Mbase ishte edhe përballja jonë e parë dhe kjo na bëri që të jemi të dy të kujdesshëm sepse asnjëherë nuk i dihet. Ruajtëm qetësinë". Megjithatë, ende pa mbaruar mirë ndeshja mes Vllaznisë dhe Partizanit, Danieli nuk ndalej poshtë tabelës së ish-skuadrës ku përballë kishte edhe vëllain Dodën. "Gjatë lojës u mësuam dhe nuk mund të shmangej ndonjëherë edhe lufta poshtë tabelës. Kështu e ka sporti. Vllaznia mbeti me dy lojtarë më pak dhe kështu vëllai u detyrua të kujdeset për mbrojtjen, ndërsa unë kisha për detyrë për të shënuar dhe u mundova ta bëj çdo herë, edhe pse aty ishte vëllai. Jemi profesioni­stë dhe nuk kisha zgjidhje tjetër, pavarësish­t të gjithave". Danieli edhe kësaj radhe kundër ish- ekipit të tij nuk lëshoi aspak, por bëri më të mirën, duke shkëlqyer me Partizanin. Kjo nuk është energji negative ndaj qytetit të tij sipas Danielit, por thjesht bëri detyrën. Partizani fitoi 96-74 ndaj Vllaznisë në Shkodër. "Në fakt, t'ju them të drejtën, jo vetëm ndaj Vllaznisë, por jam munduar që të jem njësoj ndaj çdo skuadre që kam përballë. Ajo është puna ime dhe për atë punë kam shkuar te Partizani. Kësaj here qëlloi Vllaznia dhe nuk lidhje fare që të kem ndonjë inat apo gjëra të këtij lloji. Shkodra është qyteti im, te Vllaznia u rrita dhe gëzoj respektin maksimal, por tani jam pjesë e Partizanit dhe çdo skuadër, qoftë edhe Vllazninë i shoh si kundërshta­re sepse kështu funksionon kudo. Patjetër që më vjen keq për mënyrën sesi ka përfunduar kjo skuadër sepse nuk e meriton". Daniel Lekndreaj tregon përse u largua nga Vllaznia për të shkuar te Partizani.

"U largova sepse nuk po shihja asgjë që ia vlente të qëndroja. Stërvitja jo e mirë, kushtet jo, paga gjithashtu, një lloj keqtrajtim­i i ekipit dhe shumë gjëra që nuk më pëlqyen dhe që nuk shkonin. E vetmja gjë që na mban ne lojtarët është stërvitja dhe seriozitet­i, ndaj zgjodha një ekip tjetër duke parë gjithë këto probleme". Në rast se Vllaznia e basketboll­it rikthehet ajo skuadra pretendent­e, Danieli ka dyshime se çfarë mund të bëjë. "Për momentin jam te Partizani dhe nuk di çfarë të them. Çdo gjë duhet që t'ia lëmë kohës. Për momentin i jam përkushtua­r Partizanit dhe i falënderoj që arritëm të gjejmë akordin. Shpresoj që skuadra ime të rritet edhe më shumë në ndeshjet e ardhshme dhe të arrijmë objektivat tona". Në ndeshjen Vllaznia-Partizani ai që kishte më shumë emocione ishte babai i dy vëllezërve, Tahir Lendreaj. Danieli thotë se babai i tyre ishte me të dyja ekipet, me Vllazninë dhe me Partizanin. "Babai e kishte të vështirë se është edhe shumë tifoz, por besoj që ka qenë edhe me Vllazninë edhe Partizanin, sepse nuk ka sesi të na ndajë. Rëndësi ka që ne të bëjmë më të mirën kudo që të jemi. Vllaznisë i uroj suksese dhe shpresoj të dalë sa më shpejt nga vështirësi­të ku ndodhet, por për këtë duhet të mendojnë seriozisht për ekipin". Daniel Lekndreaj është vetëm një nga të larguarit, sepse nga Vllaznia pati një eksod lojtarësh e trajnerësh, për shkak të gjendjes ku ka mbërritur ky ekip. Aktualisht kuqeblutë mbajnë vendin e fundit në renditje duke pasur 5 humbje dhe duke rrezikuar rënien në Kategorinë B. Senad Nikshiqi

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania