Enea Jorgji: Ju tregoj gjykimin në Europë
Pas ndeshjeve të Europa Ligës, në Ligën e Kombeve: Ja dallimet me futbollin vendas
Arbitrat shqiptarë kanë marrë një tjetër vlerësim nga UEFA. Pas arritjes në fazën e grupeve dy javë më parë në ndeshjen Aek Larnaka- Ludogorets, trupa e bluzave të zeza, me Jorgjin kryesor, do të mbajë drejtësi në ndeshjen e Ligës së Kombeve mes Hungarisë dhe Estonisë.
"Europa Ligë" - Ndërkombëtari ka treguar emocionet në arbitrimin e disa ditëve më parë në fazën e grupeve të Europa Ligës. "Normalisht i emocionuar, kjo nuk diskutohet. Janë vite të tëra pune që ne përpiqemi të bëhemi sa më të mirë dhe të arrijmë rezultate sa më të mira. Pjesëmarrja në një kompeticion të tillë, sidomos në fazën e grupeve, ishte një goxha arritje". Diferenca me Shqipërinë - "Ndryshon sepse është vetë niveli i skuadrave që e bën dallimin. Por nuk mund të thuash që nuk ka edhe në kampionatin shqiptar ndeshje me nivele të mira. Në kompeticionet europiane përballesh me skuadra të mira, me skuadra me emër dhe cilësi mjaft të mira". Liga e Kombeve - "Aktivizimi në Ligën e Kombeve pas herës së parë në Armeni me Lihtenshtejnin, eksperiencë e bukur edhe atje, besoj se do të jetë pak më e lehtë në përshtatshmëri sepse është eksperiencë e provuar në të shkuarën. Ne do të përkushtohemi dhe do të japim më të mirën sepse ndeshjet kombëtare, sigurisht që japin sadisfaksionin e tyre".
Karriera - "Çdo njeri mundohet dhe ëndërron për më të mirën, e cila është relative. Të vazhdojmë që të punojmë dhe nëse na u dha shansi dhe mundësia për të arritur në grupet e Europa Ligës dhe me ato cilësi që kemi dhe i shfaqim në fushë mund të arrijmë edhe më tepër. Se sa do të arrijmë, varet në dorën tonë dhe pak nga fati pasi është profesion që ka nevojë për fat. Shpresojmë që sa më lart". Të rinjtë - "Gjithmonë e reja është pozitive dhe jep tjetër spunto në çdo fushë, jo vetëm në fushën e arbitrimit. Mendoj se kemi elementë shumë të mirë, elementë që premtojnë. Me pak mbështetje nga ne dhe nga opinioni dhe faktorët e tjerë, do ia arrijmë dhe në të ardhmen do të kemi arbitrim me nivel të konsiderueshëm dhe mund të përfaqësohemi denjësisht", ka deklaruar gjyqtari me stemën e FIFA-s, Enea Jorgji.