Panorama Sport (Albania)

Gafa në Korçë dhe Tiranë, dënohen Flamurtari e Kukësi

Anësori e bën "baltë" në stadiumin "Selman Stërmasi"

-

Java e 13-të rikthen në skenë gafat e arbitrave, që ndikojnë direkt në rezultatet e ndeshjeve. Për të dërguar gjashtë arbitra, FSHF zgjodhi këtë herë si kryendeshj­en e javës atë mes Partizanit dhe Laçit, duke injoruar totalisht Skënderbeu-Flamurtari, e cila në dekadën e fundit ka prodhuar gjithnjë probleme arbitrare. Skënderbeu-Flamurtari 1-0

A.Beqiri, R.Avdo, M.Shazivari (Tiranë);

Skënderbeu-Flamurtari iu besua një gjyqtari që nuk ka stemën e FIFA-s dhe që jo pak herë është bërë protagonis­t me vendime të gabuara. Bëhet fjalë për Ardian Beqirin, i cili kishte si asistent ndërkombët­arin Rejdi Avdo dhe të riun Mario Shazivari. Në minutën e 4-t, pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Torasa, topi gjen Bathën, i cili devijon me kokë pranë shtyllës së dytë dhe "sfera" prek në gjoks Abazin e më pas përplaset te Bushiç, që gjuan dhe shënon. Në këtë moment Beqiri është i vendosur në një pozicion jo të mirë, ndërsa anësori Avdo vëren një prekje me dorë të Bushiç dhe menjëherë sinjalizon kryesorin. Beqiri e anulon golin, por pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me një rast delikat, pasi ekziston vetëm një prekje me bërryl e Bushiç, për më tepër me dorën të mbledhur. Në këto kushte, me një vendim më gjakftohtë, goli duhej akorduar i rregullt. Një rast tjetër për moviolë është ai i minutës së 64-t, kur Skënderbeu pretendon për 11-metërsh pas rrëzimit të Krasniqit brenda zonës për një ndërhyrje të Mustafës. Nuk është i këtij mendimi gjyqtari Beqiri, i cili vepron drejt, pasi kosovari i ka hequr topin Krasniqit përpara se ky i fundit të rrëzohej. Mirëpo, në këtë rast mund të jepej edhe një faull me dy kalime, sepse topin e kthyer nga Mustafa, Koliçi e mori me dorë dhe nuk e largoi me këmbë. Kukësi-Teuta 1-1

K.Meta (Tiranë), R.Preça (Elbasan), A.Koçiaj (Tiranë);

Një gol i anuluar i Kukësit në minutën e 34-t, kur rezultati ishte 0-1 në favor të Teutës, ka shkaktuar polemika të mëdha pas ndeshjes. Pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me një moment ku anësori Ani Koçiaj ka gabuar. Rexhinaldo del i vetëm me Hidin dhe shënon, por anësori ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Në momentin e shërbimit të Shkodrës, pamjet tregojnë se Sidibe dhe Shkalla janë në një vijë me sulmuesin e Kukësit, Rexhinaldo.

Kësisoj, goli nuk duhej anuluar. Në minutën e 40-të kemi një pretendim tjetër të verilindor­ëve, teksa pas devijimit të topit me kokë në zonë nga Rexhinaldo, kërkohet penallti për prekje me dorë të Shkallës. Gjyqtari Meta vazhdoi lojën, duke vepruar drejt, pasi pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me një largim të topit me gjurin e djathtë nga mbrojtësi i Teutës. Ndërsa në minutën e 92-të, pati një tjetër gabim nga anësori, kur Ndreca doli i vetëm para Frashërit. Aksioni u konsiderua në pozicion jashtë loje, por këtu gaboi sërish Koçiaj. Mendoni nëse do të

ishte shënuar gol... Partizani-Laçi 1-0

K.Kola (kryesor), D.Rexha dhe E.Ganxhi (anësorë), E.Jorgji dhe O.Sokoli (arbitra të linjës);

Një ndeshje shumë e luftuar, me ndërhyrje që kalonin edhe caqet, veçanërish­t të kurbinasve. Në minutën e 83-të, Elvi Berisha bëri "karate" ndaj Ibrahimit dhe u ndëshkua direkt me të kuq. I turpshëm më pas ishte gjesti i lojtarit, i cili tenton të mbajë nga duart kryesorin Kola. Një rast që me siguri do të kalojë në Disiplinë. Luftëtari-Tirana 2-1

E.Hamiti, R.Çokaj

(Lezhë), H.Lisaku (Durrës);

Në minutën e 44-t kemi një ndërhyrje horror në mesfushë të Hoxhallari­t ndaj Ramadanit, por çuditërish­t kryesori Hamiti nuk jep as faull për një rast që ishte në limitin e kartonit të kuq. Në minutën e 52-të vepron drejt pas pengimit në zonë të Xheksonit nga Doka, duke akorduar penallti për Luftëtarin. Edhe në minutën e 79-të, kur Kobinah pretendon penallti pas duelit me Ramadanin, pamjet filmike i japin të drejtë kryesorit, që jep faull në favor të Luftëtarit, pasi ka qenë ganezi ai që ka mbajtur fillimisht nga fanella kundërshta­rin.

Vendim i drejtë edhe ai i minutës së 94-t, këtë herë nga anësori i FIFA-s, Çokaj, i cili anulon golin e Atingës për pozicion jashtë loje. Pas shërbimit të Halilit, Atinga është më i avancuar se kundërshta­rët.

Kastrioti-Kamza 3-0

L. Alla, D.Korreshi, E.Malo (Lushnjë)

Rasti i vetëm për moviolë ishte ai i minutës së 33- të. Plaku rrëzohet në zonë në përpjekje për të goditur topin pas duelit me Çelën. Arbitri vazhdon lojën dhe pamjet filmike i japin të drejtë, pasi nuk kemi të bëjmë me penallti.

 ??  ?? Çast para ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari 1-0
Çast para ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari 1-0

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania