Panorama Sport (Albania)

Mavraj: Luajmë edhe për trajnerin

"Panuçi ka besimin tonë të plotë, ja çfarë i ka munguar Shqipërisë në këtë periudhë"

- LEONIDHA MUSAJ

“Trajneri ka besimin tonë maksimal", kështu u shpreh ndër të tjera kapiteni i Kombëtares, Mërgim Mavraj në deklaratën e dhënë në konferencë përpara Uellsit. Sipas tij, është koha për të analizuar shumë gjëra, por pa harruar që çdo gjë ka ndryshuar si nata me ditën nga më parë dhe se ndoshta duhet kohë që ekipi të forcohet siç ka qenë. Mavraj bën thirrje që ndaj Uellsit të tregohet çdo cilësi e Shqipërisë që nuk është shfaqur së fundmi.

Duket se ju është kthyer optimizmi. Çfarë presim ndaj Uellsit?

Besoj që presim shumë gjëra nga kjo ndeshje. Besoj se pritet reagimi i skuadrës, një rezultat i mirë, por edhe për nga mënyra e lojës që të tregojmë vlerat tona që na kanë bërë të fortë në vitet e kaluara.

Si është marrëdhëni­a me shokët e skuadrës, sepse te secili u vu re zhgënjim për atë që ndodhi? U kërkuat falje?

Po, patjetër! Biseduam direkt në dhomat e zhveshjes, por edhe të nesërmen. Normalisht që nuk i kreva detyrat e mia si kapiten dhe i kërkova falje skuadrës. I kërkova falje trajnerit. Besoj se e pranuan çunat. Kjo është një gjë që mund të ndodhë dhe këtë e dinë të gjithë. Duhet të mundohemi të afrohemi mes nesh dhe të fokusuar te ndeshja.

Opinioni është kundër trajnerit. Mos ndoshta ju personalis­ht dhe një pjesë e lojtarëve duhet të ndihen përgjegjës në rast largimi të tij?

Nëse ndodh diçka, çdo lojtar, çdo pjesëtar i stafit dhe çdokush ka përgjegjës­i. Normalisht që nëse në fund fare nuk kryen detyrat që jep trajneri, edhe lojtari është përgjegjës. Normalisht që edhe ne si lojtarë e ndiejmë veten shumë keq kur ndodhin gjëra të tilla. Më dhembte në shpirt kur shihja ato që i ndodhën trajnerit dhe nuk është aspak në ndihmë të skuadrës. Gjërat që na i thotë trajneri për t'i zbatuar në ndeshje, kemi treguar edhe më parë që na sjellin sukses dhe janë çelësi për të fituar. Nga ana jonë ka shumë, shumë besim.

Në Ligën e Kombeve kemi pësuar 8 gola, shumica për gabime individual­e të mbrojtësve. Ju jeni lideri i repartit, pse nuk funksionon mbrojtja?

Besoj se nuk mund të jetë asnjëherë sulmi fajtor për të pësuar gola. Normalisht që nuk i kemi treguar vlerat tona si skuadër për të mbrojtur portën dhe nuk është vetëm kapiteni apo reparti i mbrojtjes përgjegjës për golat. Nuk kemi treguar performanc­ën e duhur për t'i fituar këto ndeshje me Izraelin dhe Skocinë. Ky është gabimi kryesor.

Ndaj Uellsit është një hap tek e ardhmja. Si e parashikon Mavraj mbrojtjen për të ardhmen se çfarë mund të përmirësoj­më?

Mua si lojtar nuk më takon të përgjigjem për pyetje të tilla. Nuk është detyra ime që të formoj një skuadër për vitet e ardhshme. Normalisht që kemi shumë lojtarë, të cilët tregojnë vlerat e tyre në stërvitje. Edhe çunat që luajtën në mbrojtje në ndeshjen e fundit kanë shumë kualitet dhe besoj se e ardhmja e Shqipërisë do të jetë e tyre.

A ka një lider dhe çfarë nuk funksionon në këtë aspekt? Siç në gjashtë muaj kemi folur shumë për gjëra që na mungojnë dhe besoj se janë përmendur shumë gjëra: Karakteri i skuadrës, cilësia e skuadrës, lojtarët, lideri... Janë shumë gjëra që nuk po i tregojmë. Por, pavarësish­t kësaj, ka edhe skuadra që nuk kanë një lider, siç janë figurat që ne të gjithë i njohim, por prapë kanë sukses, duke luajtur futboll të mirë. Besoj se po na mungon vetëbesimi, të cilin ta sjell suksesi. Normalisht që është mirë të kemi një lider që në momente të vështira bën gola, të largon nga situata e keqe. Por, jemi akoma në Shqipëri dhe asnjëherë nuk e kemi pasur një që bën diferencën. Dy liderë janë në botë që e nxjerrin vetëm ekipin nga vështirësi­a.

A ka shfaqje egoizmi nga lojtarët?

Jo, aspak. Brenda grupit çdo gjë është në rregull. Nuk ka asnjë shenjë çrregullim­i në ekip. S'lejojmë faktorët e jashtëm të luajnë kundër.

Prej vendit të fundit në grup në Ligën e Kombeve dhe asaj që thatë se e ardhmja është e të rinjve, mos ndoshta ky është fundi i ciklit në Shqipëri dhe duhet të presim cikël të ri për t'u ringritur?

Po nëse erdhi fundi i ciklit, çfarë do bëjmë? Të ndalojmë gjithçka e të presim derisa të vijnë lojtarët më të mirë derisa të formohet vetvetiu një grup i mirë? Puna do të vazhdojë! Është normale që një cikël apo skuadër si e jona, që kemi përjetuar gjëra shumë të mira, kërkon kohë për t'u rinovuar. Ama, besoj se gabojmë nëse i krahasojmë ekipet. Futbolli lëviz dhe Shqipëria nuk është më siç ka qenë. Pritet më shumë nga ne dhe ndoshta kërkon kohë të zhvillohem­i siç kemi qenë.

Hapa pas, në rezultate dhe në renditjen e FIFA-s. Cila është arsyeja?

Nuk është vetëm një, kemi disa për këtë gjë. Normalisht që të bëjnë rezultatet të biesh. Është shumë e vështirë të përcaktosh një gjë që mungon, janë shumë dhe është momenti i duhur për t'i analizuar. Kemi edhe një mundësi tjetër kualifikim­i dhe në përgjithës­i shqiptarët e kanë treguar se në momente të vështira janë kthyer edhe më të fortë.

Edhe De Biazi i doli në krah Panuçit. E ndieni që të merrni përsipër përgjegjës­inë për episodin dhe t'u thoni diçka tifozëve?

Futbolli nuk është vendi i duhur që të tregohet trimëria dhe që një njeri të marrë përsipër çdo gjë. Edhe kur nuk luan mirë, ka gjëra që përmirësoh­en. Shpeshherë kam thënë që trajneri, nga skuadra dhe nga çunat, ka përkrahjen maksimale dhe asnjëherë nuk ka ndodhur diçka që tregon të kundërtën. Ne si skuadër nuk kemi asnjë problem as me misterin dhe as me situatën që të punojmë më shumë që ta ndihmojmë edhe trajnerin. Ndoshta nesër (sot) do luajmë edhe për trajnerin.

E thoni përkrahjen, por nuk duket se kjo ekziston në fushë? Kur dalim në fushë, nuk është se s'e përkrahim trajnerin. Nuk luajmë as kundër trajnerit, as për inat të tij. Janë pjesë e futbollit dhe ndodhin në çdo skuadër. Nuk ka lidhje pse erdhi trajneri, pse u largua apo pse iku. Ne po mundohemi. Apo edhe kartoni që mora, ishte nga mbingarkim­i që dëshiroja shumë të tregoja se donim të fitonim.

Ju duhet një mbrojtës më i shpejtë në krah, mbase edhe më i shkurtër?

Pyetjet duhen ndryshuar në Shqipëri, sepse mënyra e lojës që kemi bërë me këtë aktualisht, është si nata me ditën.

Për më mirë apo për më keq?

Nuk ka më mirë apo më keq. Kemi bërë një zhvillim të madh në Shqipëri me futbollin tonë, qarkullojm­ë topin, krijojmë dhe normalisht që mbeten hapësira për kundërshta­rin. Po fokusohemi vetëm te mbrojtja, por mënyra e lojës ka ndryshuar. Dhe kur luan në sulm, kur mundohesh të bësh shumë presing, normalisht që krijohen hapësira. Nuk na ndodh vetëm neve. I ndodh edhe Kielinit, edhe Bufonit apo cilitdo që mund të përmendim.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania