Panorama Sport (Albania)

Mota: Ja si Interi e ndal Juventusin

Për trajnerët e tij: Mou donte vetëm fitore, Guardiola më i miri

- Përgatiti: LEDIO NASE

Përpara se t'i jepte fund futbollit të luajtur, shokë të skuadrës e trajnerë thoshin për të se "do bëhet një trajner i madh". Lidhur me parashikim­in, Tiago Mota thotë "faleminder­it", shoqëruar me një buzëqeshje e duket thuajse i ndrojtur, por në të vërtetë italo-braziliani është shumë i sigurt në vetvete, për objektivat dhe planet e së ardhmes. Është rrëfyer për "Gazzetta dello Sport" pa filtra e gjysmëterm­a, duke parë gjithmonë në sy bashkëbise­duesin, duke ditur të dëgjojë me kureshtjen tipike të personave inteligjen­të. Ide të qarta dhe asnjë modesti false: "Kam një kontratë dyvjeçare me grupin U-19 të PSG-së, por herët a vonë kam si synim të stërvit skuadrën e parë. Gjithmonë nëse më parë nuk më vjen një ofertë që të më ndryshojë planet". Po Tuhel? "E respektoj, nuk kam asgjë kundër tij, por objektivi im është stoli i PSG-së...".

Mota, ishte e vështirë të thoshit "mjaft"?

Të varë këpucët në gozhdë është gjëja më e vështirë në botë për një lojtar. Por, unë kam qenë gjithmonë me fat, sepse porsa mbylla karrierën me futbollin e luajtur, shkova menjëherë në Koverçiano dhe më pas nisa të stërvit. Nuk pata kohë të mendohem. Shumë nga shokët më kishin paralajmër­uar: "Tiago, viti i parë është makth. Nuk di ç'duhet të bësh, të mungon gjithçka". Por, unë daljen nga skena e kisha programuar. Kontratën e fundit e firmosa si lojtar e trajner. Dhe vendosa të ndalem kur isha ende në formë, pas një sezoni si titullar. Edhe pse mos u besoni atyre që mendojnë se mund të luash vitin e fundit e njëkohësis­ht të studiosh për trajner. Nëse stërvitesh, do të luash. Futbollist­ët, çdo futbollist, mendojnë se mund të bëjnë diferencën edhe kur nuk kanë më energji. Unë sezonin e fundit qëndrova jashtë formacioni­t vetëm tri herë: dhe u inatosa në të tria... Një kampion në rënie është problem për çdo trajner.

Vërtet aspak nostalgji e asnjë peng?

Jo, asnjë. Kam kaluar momente fantastike, kam fituar tituj e Champions-e, kam qenë në qytetet të mëdha: Barcelonë, Madrid, Milano, Paris, ku jam mësuar shumë. Kujtoj ndeshjen e fundit në "Parkun e Princave", celebrimin, përshëndet­jen, lotët. Nuk më doli as koha për të fshirë lotët sepse duhet t'i drejtohesh­a Koverçiano­s, për pjesën e dytë të karrierës sime.

Atëherë, "mister" Mota, prezantohu­ni: cila është filozofia juaj e futbollit?

Ofensive, sulmuese. Një skuadër e ngjeshur, që imponon lojën e saj, ushtron presing në zonën kundërshta­re, lëviz në harmoni, me dhe pa top, derisa çdo lojtar të ketë gjithmonë tri- katër zgjidhje e disa shokë pranë gati për ta ndihmuar. E vështira në futboll shpesh është të bësh veprimet e thjeshta: kontrollin, pasimi, smarkimi. Nuk jam i pasionuar pas statistika­ve të lidhura me modulet, mund të gënjejnë. Nuk luaj futboll tavoline: thelbësore është lëvizja. Mund të jesh supersulmu­es me 5-3-2 dhe mbrojtës me 4-3-3. Varet nga cilësia dhe qëndrimi i futbollist­ëve. Kam parë një fenomen si Eto që bënte edhe mbrojtësin e krahut, duke dhënë një shembull: ishte edhe sekreti i Interit të tripletës. Në një ndeshje të fundit dy anësorët e mi një vit më parë mbanin pas shpine numrat 9 dhe 10... Kjo nuk do të thotë se në skuadër nuk dua të kem lojtarë si Samuel apo Kielini, mbrojtës të lindur.

Pra, nuk keni një modul fiks.

Jo. Për mua skuadra mundet edhe të lexohet duke nisur nga krahu i djathtë për të përfunduar tek i majti: si thoni nëse luaj 2- 7- 2?

2-7-2 plus portieri, do luanit me 12 lojtarë...

Jo, unë portierin e llogaris tek ata të shtatë në mesfushë. Për mua sulmuesi është mbrojtësi i parë dhe portieri sulmuesi i parë. Nga portieri nis loja, me këmbë, nga "pykat" nis presingu sulmues për të rikuperuar topin.

Cila është sot skuadra që e bën më mirë këtë?

Siti i Guardiolës. Kundër Mançester Junajtidit shënuan

një gol pas 44 pasimesh. Ia tregova skuadrës sime. Ne kundër Napolit në "Youth League" (Champions-i për U19) realizuam një pas 16 pasimesh... jemi ende shumë prapa (qesh).

Edhe Barcelona që u pa kundër Interit në Ligën e Kampioneve për lojë korale dhe presing nuk bën shaka.

Barça të sfilit me kontrollin e topit dhe kur kundërshta­rët kërkojnë të nisin sulmin, u ka mbaruar fryma. E dini cila ka qenë ndeshja ku kam vuajtur më shumë? Në 2010ën përpara sfidës me Barcelonën kur humbëm 2-0. Mungonin Mesi e Ibra, e megjithatë topin nuk na e treguan kurrë. Një mijë prekje, asnjëri banal. Në fund të ndeshjes nuk kujtonim as se çfarë ngjyre kishte topi. Vrapimi bosh të çmend dhe të zbraz muskujt.

Po për të arritur këtë nivel loje nevojiten 11 fenomene?

Jo, rëndësi ka ideja e futbollit dhe aftësia për t'ua përcjellë lojtarëve. Nëse e arrin një kampion, mund t'ia dalin edhe të tjerët. Kam parë skuadra të vogla të luajnë një futboll të madh.

Cili është sot trajneri më i mirë?

Guardiola, mbreti i futbollit. Por, admiroj shumë Zidanin.

"Zizu" është lider apo takticien i madh?

Të dyja, përndryshe nuk fitonte tre Champions radhazi. Po mes trajnerëve që keni pasur ju?

Nuk ju lë as të përfundoni fjalinë: Ançeloti ka qenë në krye. Njohuri mahnitëse mbi futbollin, menaxhim perfekt i grupit, përgatitje­s së ndeshjeve, psikologji­së dhe raporteve njerëzore. Karlo është unik, fiton respektin e të gjithëve me thjeshtësi­në e tij.

Si ishte takimi juaj i parë te PSG-ja?

Shkova nga "Appiano Gentile" (qendra sportive e Interit) te stërvitja e PSG-së, i veshur me ato që kisha: pantallona me shtrat të ulët, "alla turke", që në atë periudhë ishin në modë. Karlo më sheh, e thotë: "Ke firmosur?", unë: "Po mister". E sërish ai: "Atëherë tani i ke paratë për të blerë një palë pantallona të përshtatsh­me?". Është gjithmonë pozitiv, i gatshëm, i qetë. Nuk vendos barriera, di t'i bëjë të gjithë të ndihen të rëndësishë­m. Kur lë dikë jashtë, është i pari që ndien keqardhje dhe mendon menjëherë kur ta riaktivizo­jë.

Po nuk inatoset kurrë?

Zakonisht nuk ka nevojë, por kur Karlo xhindoset shemben muret... Një herë kundër Evianit... Jo, nuk mund ta tregoj. Po pyesni Ibrën.

Keni cituar tre trajnerë e akoma nuk keni përmendur Murinjon.

Një fitues. Në kuptimin që ai në kokë ka vetëm një objektiv: të fitojë. Nuk i intereson spektakli. Mou ka dy fytyra: një të lumtur kur fiton, një të inatosur kur humbet. Humori i ndryshon në bazë të rezultatit. Nëse ke luajtur

mirë, por ke humbur, ai nuk arrin të gjejë asgjë pozitive. Në krahun tjetër, kur fiton duke luajtur keq është i gëzuar. Ndeshja e Murinjos luhet në dy zona: e tija, ku duhet të japësh jetën vetëm për të mos lënë kundërshta­rin të shënojë e atë të kundërshta­rit ku duhet t'i marrësh jetën. "TikiTaka" nuk i përket. Mou nuk kërkon të bukurën, por një armik; e nëse nuk e ka, e kërkon. Me Interin kishim 11 pikë avantazh në kampionat, humbëm një ndeshje dhe barazuam tjetrën. Të hënën mbajti një konferencë, foli 15 minuta rresht, duke sulmuar të gjithë: Galianin, Milanin, Romën, arbitrat, Juven... i duhej të karikonte ambientin.

Sa e vështirë ishte të menaxhohej ai Interi i mbushur me kampionë?

Shumë do e kishin pasur, por për të ishte e lehtë. Mou dashuron njerëzit me personalit­et dhe ai Inter kishte me sasi industrial­e. "Nëse shkoj në luftë marr Lusion", tha një herë. Kishte të drejtë. Kur shihja Lusion në mëngjes kuptoja menjëherë nëse ishte rasti ta përshëndes­ja apo ta lija të qetë. Ai dhe Samueli në stërvitje ishin normalë, në ndeshje shndërrohe­shin në bisha. E as Kordoba nuk bënte shaka. Eto? Lider i vërtetë. Maikoni? Personalit­et. Shnajnder u mor mbrëmjen përpara derbit dhe ditën e sfidës ishte më i miri në fushë.

Thuhet që forca e Mout është të të bindë të japësh jetën për të.

Jo saktësisht. Forca e Zhozesë është të të bindë të japësh

jetën për shokun dhe skuadrën, jo për të.

Interi i tripletës është skuadra më e mirë, me të cilën keni luajtur?

Ishim shumë të fortë, mund të zgjaste edhe disa vite pas tripletës. Por, ka pasur shumë të tjera. Të luaje te Barcelona në mesfushë me Ksavin, Iniestën e Dekon ishte kënaqësi. Megjithëse personalis­ht zgjedh PSG- në e 2016- ës me Blankun në stol: me Ibrën, Tiago Silgën, Lavecin, Kavanin. Një grup të çmendurish. U eliminuam nga Siti, por mund të fitonim Champions-in.

Sot te PSG, Nejmar, Kavani e Mbape formojnë "tredhëmbës­hin" më të fortë në botë?

Në letër po, por varet edhe nga si lëvizin dhe integrohen në fushë. Në disa momente Mane, Firmino e Salah te Liverpuli kuptohen aq mirë sa nuk kanë asnjë për të pasur zili.

Ju pëlqen Klop?

Po, shumë. Më pëlqen pasioni i tij dhe si i ka bindur lojtarët si Mane të punojnë për skuadrën. Diçka e ngjashme me Etonë.

Klop, pra, është një Murinjo i ri?

Krahasimi me Moun nuk i bën mirë askujt, as Klopit... Por, Jyrgen bën pjesë te trajnerët që të bindin. Si Gasperini, që ka qenë fati im te Xhenoa dhe sot po bën të shkëlqejë Atalantën. Shpresoj të ketë rastin për të stërvitur një skuadër të madhe. Do isha shumë kureshtar.

Cila është skuadra favorite për Champions-in?

Janë pesë: Barcelona, Reali i Solarit, Siti që ka ekipi që luan më mirë, PSG-ja e më pas Juvja e Ronaldos. Finalen Juvja e ka arritur, i mungonte lojtari që finalet i vendos dhe i fiton: e mori. Interi mund të jetë "mina me sahat" e këtij sezoni: nuk duhet t'i vendosë vetes limite. Por, për mua mbetet surprizë dhe nuk besoj se fiton.

As kampionati­n?

Jo, nuk mendoj se është gati. Por, Juvja nuk duhet të jetë justifikim për të tjerët: nuk do fitojë gjithmonë. Do ndalet. Dhe mendoj se do jetë Interi që do ndalë këtë monarki.

Bëni kërkesën e parë si trajner: Ronaldo apo Mesi?

Kristiano është teknika e aplikuar te perfeksion­i atletik, i arritur me sakrifica të mëdha. Por, mes të dyve zgjedh Mesin. Kurrë nuk kam parë një tjetër si ai. Sot thonë se qëndron mes linjave, duke pritur lëvizjen: nuk është e vërtetë. Ai e krijon lëvizjen, di gjithmonë ku duhet të qëndrojë, si dhe kur të niset. Askush nuk i fiton ndeshjet i vetëm, por një Mesi në formë mund të shënojë tre gola... më pas është e vështirë që ndeshjen ta humbasësh.

Çfarë i duhet Nejmarit për të arritur nivelin e Mesit e Ronaldos?

Të heqë dorë nga driblimi i katër lojtarëve. Madhështia e Mesit qëndron te fakti që nuk i lë kundërshta­rit privilegji­n për të prekur topin. Eviton faullet dhe shfrytëzon në maksimum çdo lëvizje. Nejmarit i thosha gjithmonë: ma jep topin, ta kthej duke të bërë të evitosh dy driblime e shumë goditje të marra.

Sot kush më mirë se Verrati të jep pasimin e fundit?

Askush, Marko është i vetmi italian që mund të luajë në çdo klub të botës. Më mjaftuan 5 minuta për të kuptuar se kishim marrë një kampion. Edhe pse Italisë, me përjashtim të tij, i mungojnë kampionët.

Do ishte kënaqësi ta stërvitnit?

Ma ribëni këtë pyetje pas dy vitesh...

 ??  ?? 22 maj 2010 - Kapiteni i Interit, Havier Zaneti, ngre trofeun e Ligës së Kampionëve. Në rreth Tiago Mota
22 maj 2010 - Kapiteni i Interit, Havier Zaneti, ngre trofeun e Ligës së Kampionëve. Në rreth Tiago Mota
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania