Panorama Sport (Albania)

Çlirohet Kukësi, Kamza i bën dy... dhurata

Gjoka e nis me humbje, verilindor­ët kthehen pas tri javësh

- ABDULLA DUSHKU

Kukësi rigjen fitoren me dy... autogola. Frashëri dhe Teqja u kanë mjaftuar verilindor­ëve për të parakaluar Flamurtari­n dhe rimarrë vendin e 5-të. Kamza nuk gjen shpëtim as me Ernest Gjokën, pasi edhe dje u largua duarbosh nga fusha dhe rrjedhimis­ht mbetet e parafundit në renditje. Vendësit, edhe pse u munduan, nuk u shfaqën dot agresivë në zonën e 16shes, ndërsa për miqtë gjithçka u bë më e lehtë pas të 33ës minutë. Të besuarit e Armando Cungut u mjaftuan me "dhuratat" e marra dhe më pas thjesht sa menaxhuan avantazhin. AUTOGOLAT

Me mungesa të mëdha në të dyja kampet, që të dy trajnerët ishin munduar që në fushë të hidhnin më të mirët që kishin në dispozicio­n. Loja përqendroh­et në mesfushë dhe ngacmimet janë sporadike. Në të 6-ën minutë është Shkodra që harkon për Qaqin, por gjuajtja e tij me kokë devijohet prej Kirev në këndore. Tri minuta më vonë Çyrbja niset shpejt drejt zonës, por nuk e kontrollon siç duhet topin dhe mbrojtja e Kamzës neutralizo­n gjithçka. Pasiguria për pak sa nuk e ndëshkon Kukësin, megjithatë topi i harkuar prej Zisit nga e majta në qendër kontrolloh­et prej S.Frashërit. Kur Kamza krijon të parin rast për këtë pjesë, në të 27ën konkretish­t, i mohohet një 11- metërsh. Plaku harkon një top në zonë dhe Cuculi dukshëm e devijon me duar në këndore. Penallti e pastër, por kryesori Indrit Myrtja mendon ndryshe. Pas këtij momenti, situata merr për mirë për Kukësin. Ishte e 30-ta minutë kur Çyrbja kroson në zonë nga e djathta dhe gjen Ethemin, mesfushori gjen traversën me kokë, topi kthehet dhe E.Frashëri, i cili në përpjekje për ta larguar realizon autogol. Mbrojtësi nuk u beson syve, e megjithatë as tri minuta dhe kamzalinjt­ë ndëshkojnë sërish veten. Është Çyrbja që kroson sërish nga e djathta dhe topi pasi përplaset në tokë shkon te Teqja, mbrojtësi i ndodhur në presionin e Dzarias realizon tjetër autogol dhe 0- 2 për Kukësin. Kamza e humb toruan, aq sa vetëm në parën dhe të vetmen minutë shtesë për këtë 45-minutësh krijon një aksion të rrezikshëm. Mehmeti harkon një top perfekt nga goditja e këndit, portieri Stivi Frashëri kontrollon dhe i heq shansin korçarit tjetër, E.Frashërit, që të godasë me kokë.

MENAXHIMI

Takimi rifillon me formacione

dhe "panoramë" të njëjtë. Ka lojë agresive në mesfushë, por pa raste të rrezikshme. Kukësi e sheh vetën në pozita komode, ndaj tenton vetëm që të administro­jë avantazhin e dyfishtë. Kamza nuk heq dorë dhe pas të 60- ës "zgjohet".

Por, si Plaku dhe Martinena nuk i bëjnë dot ballë mbrojtjes dhe portierit mik. Verilindor­ët përgjigjen me Shkodrën, i cili në të 66-ën has rezistencë­n e Kirev, ndërsa në të 70- ën goditja fantastike e dënimit "stampohet" në traversë. Provon

edhe Roloviç nga kampi tjetër me një goditje dënimi për të ngushtuar shifrat, por shënjestra është për t'u harruar. 20 minutat e fundit shfrytëzoh­en vetëm për ndërrime dhe ndonjë nerv më tepër në fushë, ndërsa kur nis kronometri­mi i 4 minutave

shtesë, si Rexhinaldo dhe Melo përpiqen që të gjejnë golin e "nock out"-it, por pa rezultat. Ky 90- minutësh mbyllet me verilindor­ët që festojnë trepikëshi­n e parë pas tri javësh mungesë, ndërsa kamzalinjt­ë thellojnë edhe më shumë krizën.

 ?? FOTOT: F.Hazizllari ?? KAMZA-KUKËSI 0-2
Verilindor­ët duke festuar autogolin
FOTOT: F.Hazizllari KAMZA-KUKËSI 0-2 Verilindor­ët duke festuar autogolin

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania