Panorama Sport (Albania)

Belica: Tifozët janë motivimi më i madh, besojmë te Xhika

-

Egzon Belica mendon se Partizani shkon i qetë dhe i motivuar drejt debit të kryeqyteti­t, pavarësish­t humbjes së javës së kaluar në Vlorë apo ngjarjeve të fundit me Alban Hoxhën dhe Lorenc Trashin. Mbrojtësi, i cili pritet të mbajë shiritin e kapitenit në këtë sfidë, ka treguar se nuk duhet bërë tragjike situata, pasi ekipi ka bërë gjithçka mirë deri tani.

DERBI

“Mjafton të shohësh gjithë ata tifozë dhe e dimë që luajmë një ndeshje të vërtetë. Rëndësia e derbit dihet, për ne është ndeshja e radhës, por nuk luhet gjithçka aty, do të bëjmë maksimumin, do të luajmë si për ne, ashtu edhe për tifozët. Shiriti i kapitenit është përgjegjës­i e madhe, sidomos te klubi i Partizanit. Por dihet, kapiten është Albani, ndërsa për shiritin në derbi nuk do të mërzitesha, pasi ekipi i Partizanit ka lojtarë që mund të bëjnë kapitenin e dytë. Nëse doni emra janë Telushi, Trashi, Ibrahimi, lojtarë të mirë me cilësi dhe njerëz me karakter të mirë. Derbi është derbi, tifozët janë motivimi më i madh që lojtarët kanë në ndeshje të tilla, do të futemi të bëjmë më të mirën dhe shpresoj se nuk do të dalim pa pikë”, tha Belica. “Cilësia e Albanit nuk diskutohet, është portier i parë te ne, është portier edhe në kombëtare. Por doja të thosha që edhe portieri i dytë ka cilësi ndaj është aty, besoj se do të bëjë punë të mirë. Ne jemi vend të parë dhe jemi me meritë aty, nuk ka pse të jetë një atmosferë jo shumë e mirë. Ne stërvitemi si ditën e parë kur ka ardhur profesori me dëshirë e entuziazëm, e presim derbin dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën”, deklaroi mbrojtësi.

GOLI NDAJ FLAMURTARI­T

“Në ndeshjen e kaluar, e vërtetë është që pësuam gol që mund të evitohej, gabuam nga një pakujdesi e jona. Por, unë nuk do të fajësoja asnjë, do isha i mërzitur nëse do të humbnim e nuk do luanim. Pas pësimit të golit e gjithë ndeshja foli për ne, mos të them që luajtëm me një portë, sidomos në pjesën e dytë. Sulmuam mirë dhe të them të drejtën do të mërzitesha nëse nuk do të kishim luajtur mirë”, deklaroi mbrojtësi Belica.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania