Panorama Sport (Albania)

Shehi: Kalojmë krizën, titujt... “bonusi” ynë

“Koha për të reaguar, asnjëherë nuk do heqim dorë nga kreu”

- LLAZI SARO

Humbja e së sh tunës kundër Teutës ka qenë me të vërtetë një goditje e rëndë për bardhekuqt­ë, të cilët për herë të parë këtë sezon shohin dy rezultate jopozitive njëri pas tjetrit. Por, tani ekipi nuk ka kohë për të kthyer kokën pas sepse në prag është ndeshja me Kukësin dhe një humbje tjetër do të ishte fatale për Skënderbeu­n. Një gjë të tillë e di fort mirë Orges Shehi, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” bën me dije se ky ekip ka potenciali­n të ringrihet dhe ndaj Kukësit është ndoshta momenti i duhur.

Në fazën e parë ia dolët me Kukësin, po këtë herë çfarë prisni?

Është një ndeshje e fortë dhe një ndeshje e tillë besoj se nuk ka nevojë për komente më të detajuara, pasi luajnë dy ekipe që janë rivale për titull. Do të duhet, mbi të gjitha, të lemë pas ato që kemi kaluar tashmë dhe të përqendroh­emi vetëm te ndeshja e radhës. Një sfidë mjaft e rëndësishm­e për ne.

Luhet në Kamzë dhe në orën 14:00. A ju duket e përshtatsh­me fusha dhe ora për një duel ku përballen dy ekipe që kanë luftuar gati çdo vit për titullin?

Të them të drejtën, kur doli programi i parë, mendova se ishte gjithçka perfekte pasi do të luanim në “Elbasan Arena” në orën 18:00 që është një orar i përshtatsh­ëm për një sfidë të tillë. Por tani u vendos që do të luhet në orën 14:00 në stadiumin e Kamzës dhe mbetet për t’u parë se në çfarë gjendjeje do të jetë fusha, por edhe sesi do të përshtatet ekipi me këtë orar. Gjithsesi, është ekipi organizato­r ai që vendos për të tilla gjëra.

Jeni 4 pikë larg kreut, ju tremb fakti që me një disfatë do humbnit ndjeshëm terren në renditje?

Katër pikë nuk janë shumë për një kampionat kaq të gjatë. Ne kemi shumë javë përpara për të rikuperuar dhe gjithçka mbetet e hapur. Nuk duhet të mendojmë për ato që kanë kaluar dhe as për pikët e diferencës, por të bëjmë më të mirën tonë në këtë takim dhe të mundohemi të marrim maksimumin. Megjithatë, një gjë e tillë arrihet vetëm duke luajtur me maksimumin e mundshëm dhe

duke dhënë të gjitha energjitë që kemi në fushë deri në minutën e fundit.

A beson Shehi te titulli, apo me këtë Partizan mund të jetë mirazh?

Skënderbeu gjithmonë është i ndërtuar për titull, pasi është vetë ky emër që të imponon diçka të tillë tashmë. Nuk mund të bëj një përcaktim kaq të ngushtë, pasi nuk jemi vetëm ne dhe Partizani

në garë, por edhe ekipe të tjera. Kampionati është i gjatë, e përsëris, dhe duhet të bëjmë mirë në vazhdimësi.

Struga “bllokon” Lenën pas interesimi­t të Skënderbeu­t dhe Kukësit. A keni realisht nevojë për të në mesfushë?

Të them të drejtën, nuk di asgjë në lidhje me një tratativë të tillë apo interesim të

mundshëm, pasi jam i përqendrua­r vetëm te ndeshja e radhës që do të luajmë nesër (sot) ndaj Kukësit.

Kujt i druheni te Kukësi, sipas jush, a ka një lojtar që realisht mund t’ju hapë punë?

Nuk dua të ndaj Kukësin me lojtarë të veçantë, pasi është një ekip i fortë dhe nuk varet nga individët. Është një ekip që luan në grup dhe mbetet një rival për titull. Mund të them se në tërësi, Kukësi është një ekip i fortë dhe do të jetë një ndeshje mjaft e luftuar.

Në 6 vite histori të Kukësit, ndeshjet që janë luajtur me Skënderbeu­n janë në barazi të plotë (nga 10 fitore secila dhe 7 barazime). Jeni vërtet kaq të barabartë apo titujt që keni mbi shpinë bëjnë diferencën?

Kukësi, që në momentin që ka hyrë në Superiore nuk ka qenë thjesht kalimtar, por ka hyrë për të bërë mirë dhe ia ka dalë qëllimit. Ka qenë rival i fortë në vitet e kaluara ku kemi qenë dy–tri sezone në rivalitet të plotë për titullin. Më pas është tjetër gjë se kemi qenë ne që kemi fituar titullin kampion, por ka pasur ndeshje, të cilat kanë përcaktuar luftën drejt titullit.

Sa e vështirë ka qenë të rikthenit qetësinë në skuadër pas rezultatev­e në dy ndeshjet e fundit?

Unë që në fillim kam kërkuar qetësinë nga skuadra ime. Dhe një gjë të tillë kam bërë çdo ditë, që pas ndeshjes me Teutën. Kam kërkuar që ekipi të mos e ulë kokën dhe të mos bjerë në tapet nga një ndeshje apo dy të tilla. Duhet të dimë të reagojmë dhe mendoj se është momenti më i mirë për ta bërë një gjë të tillë. Ky ekip ka potencial për të kaluar këtë moment jo të mirë dhe jam i bindur se do ta kalojmë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania