Panorama Sport (Albania)

Zbardhen oraret, derbi milanez në gjysmëfina­le

-

Liga e Serisë A ka bërë zyrtare ditën e djeshme datat dhe oraret e kompletuar­a të fazës së 1/8-ave të Kupës së Italisë. Pritshmëri e madhe, sigurisht, për debutimin e skuadrave të Kategorisë Superiore italiane. Do jetë Lacio-Novara sfida që do hapë "vallet", më 12 janar (ora 15:00); në të njëjtën ditë zbresin në fushë edhe Milani dhe Juventusi; kuqezinjtë dhe bardhezinj­të i presin përballje më të ndërlikuar­a se romanët: do ndeshen, të dyja në transfertë, respektivi­sht me Sampdorian (ora 18:00) dhe Bolonjën (ora 20:45). Interi dhe Napoli do jenë të angazhuara ditën pasardhëse, secila si pritëse: zikaltrit me Beneventon (ora 18:00); "axurrët" me Sasuolon (ora 20:45). "Big"-u i fundit, Roma, do presë më 14 janar në "Olimpico" modestët e Virtus Entelës (luhet në 21:00).

"KUJDES" DERBIN - Megjithatë, ndeshjet "e vërteta" priten në çerekfinal­e dhe gjysmëfina­le (fazat pasardhëse, në rend kronologji­k). Gjithmonë nëse gjithçka shkon "sipas planeve" të favoritëve. Menjëherë pas 1/8-ave mund të përballen Milani me Napolin, Lacio me Interin, Fiorentina me Romën dhe Juventusi me Atalantën: kaq sa u takon çerekfinal­eve. Mund të ketë derbi milanez në gjysmëfina­le (edicionin e kaluar u ndeshën në 1/4-a: fitoi 1- 0 nga skuadra e Xhenaro Gatuzos, me autor goli Patrik Kutronen në të 104-ën), një hap larg finales: ndodh nëse kuqezinjtë kalojnë fillimisht Sampin e më pas Napolin (dhe në krahun tjetër Interi bën të njëjtën gjë më Beneventon e Lacion) "kushërinjt­ë" e Milanos do mund të takohen sërish përtej ndeshjes së fazës së dytë të Serisë A (e programuar për datën 17 prill 2019). Në krahun tjetër Juventusi (gjithmonë nëse nuk e ndal hapin në dy fazat e radhës), mund të ndeshet në gjysmëfina­le me njërën mes Fiorentinë­s ose Romës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania