Panorama Sport (Albania)

Luftëtari “ngujohet” në parket, sytë nga Shkurtaj

Sulmuesi bluzi ka një muaj që nuk shënon

- Tomor Shehu

Luftëtari mbylli përgatitje­t për ndeshjen ndaj Skënderbeu­t me një seancë në pallatin e sportit në Gjirokastë­r. Reshjet e shumta të shiut gjatë paradites së djeshme në qytetin e gurtë bënë që trajneri Gentjan Mezani të zhvendosë ekipin në parket. Klubi vendosi që askush nga kreu i pankinës apo lojtarët të mos prononcohe­shin para sfidës në Korçë. Situata dukshëm nuk është e mirë, jo vetëm se skuadra vjen pas tri humbjeve radhazi, por në këtë periudhë lojtarët kanë qenë të shpërqendr­uar. Rezultati pozitiv në Korçë mund të ndryshonte tërësisht ambientin te bluzinjtë, që kohët e fundit më tepër e kanë pasur mendjen te zgjidhja e ngërçit financiar sesa te fusha e lojës. Në këto kushte, jo më kot të premten presidenti Grigor Tavo bëri një mbledhje urgjente, duke sqaruar para ekipit çështjen financiare dhe vendosur ultimatum katër pikë për dy ndeshjet e fundit për këtë vit. Futbollist­ët e kanë të qartë tashmë se për të merituar pagat, duhet të japin gjithçka në fushë, në të kundërt klubi do të aplikojë gjoba. Ky grup futbollist­ësh u ndërtua në verë për të qenë në luftë për Europën, por pas 16 javësh kampionat e sheh veten në zonën e ftohtë të tabelës. Sulmuesi - Vasil Shkurtaj ka qenë në hije në tri ndeshjet e fundit, ashtu si në tërësi skuadra bluzi. Autori i gjashtë golave nuk gjen rrugën e rrjetës që prej 11 nëntorit në fitoren 2-1 kundër Tiranës. Rastet për të shënuar nuk i kanë munguar sulmuesit në të tria takimet e humbura ndaj Teutës, Kukësit dhe Kamzës, por nuk ka ditur t'i shfrytëzoj­ë. Shkurtaj është lojtari më i paguar te Luftëtari dhe drejtuesit presin më tepër nga ai në dy ndeshjet e fundit. Në këtë periudhë, sulmuesi ndoshta ka qenë shumë i shpërqendr­uar, pasi në drejtim të tij ka pasur interesime nga disa skuadra, por gjithsesi e ardhmja e Shkurtajt është në dorë të vetë klubit bluzi. Situata - Një pjesë e mirë e futbollist­ëve të Luftëtarit janë në provë nga klubi në këto dy ndeshje të mbetura. Edhe pse drejtuesit nuk kanë shprehur publikisht asgjë, fakti që titullarë si Ruçi, kapiteni Ramadani dhe fantazisti Rroca kanë bërë shkresa zyrtare, duke vendosur në dijeni edhe FSHF-në për pagat e pamarra, kanë lënë shije jo të mirë. Gjithsesi, edhe ata janë të varur nga vendimi që do marrë klubi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania