Apolonia zgjedh Kulen për stolin: Ja çfarë do ndryshojë
Klubi fierak ka prezantuar dje teknikun e ri
Dorëheqja e trajnerit Miho pas humbjes me Elbasanin i ka vënë në lëvizje drejtuesit fierakë, në kërkim të trajnerit pasues. Pasditen e djeshme, administratori i klubit, Olsi Bregu, ka prezantuar përpara grupit të lojtarëve teknikun Marenglen Kule, i njohur si “trajner emergjence”, por ende pa vendim definitiv nëse do të jetë ky trajneri deri në fund të sezonit. Kule ka qenë edhe sezonin e kaluar drejtues teknik i Apolonisë, së pari si ndihmës i Kashamit dhe, pas largimit të teknikut kavajas, iu besua detyra si kryetrajner në pjesën fundore të kampionatit. Gjatë këtij sezoni, Kule ka drejtuar ekipin e parë të futbollit të femrave të Apolonisë, skuadër që aktualisht pozicionohet në vendin e tretë të këtij kompeticioni. “E pranoj këtë përgjegjësi për të mirën e skuadrës, që është njëherësh e mira jonë e përbashkët. Unë e kam ndjekur gjithmonë me vëmendje ecurinë e ekipit dhe e vlerësoj punën e bërë deri tani, por unë kam filozofinë time. Pjesa juaj më e madhe më njeh dhe kjo gjë është pozitive. Ajo që duhet të synojmë të gjithë së bashku, me forcë dhe besim të plotë, është nxjerrja e Apolonisë nga kjo situatë”, ka deklaruar trajneri pa afat të caktuar, M.Kule, teksa më pas ka nisur seancën e parë stërvitore, bashkë me asistentët e tij, Orgest Çuko dhe Eduard Miço. Ndërkaq, bashkë me Mihon, kanë dhënë dorëheqje edhe asistentët e stafit të tij teknik: zëvendëstrajnerët Sokol Argjendari e Kosta Sera dhe përgatitësi atletik, Llazar Gjika, janë larguar “en bloc”. Përpara prezantimit të Kules, ish-stafi me në krye Mihon janë përshëndetur me ekipin.