Panorama Sport (Albania)

Astrit Greva: Si u ndërtua Partizani “i artë” i viteve ‘70

"Privilegj të kishe Agim Fagun në ekip. Ishte sportisti model"

- Nga UVIL ZAJMI

Lindur në Vlorë 1936, diplo muar në ILKF "Vojo Kushi", ish-basketboll­ist dhe trajner i Partizanit me 25 tituj të fituar me djem dhe dy me vajza, por edhe në stolin e Kombëtares. E ka filluar karrierën kur ishte 18 vjeç dhe pa mbushur 27-të krijoi Partizanin legjendar, të cilin e ideoi, e projektoi dhe e ngriti me duart e tij. Janë mesvitet '60-'70, një Partizan i ri, me trajner e lojtarë cilësorë, lojë moderne e triumfuese shfaqet në kampionate­t kombëtare. Kampion në sezonin 1967-'68, pas një humbjeje, këtu nis cikli i madh i kësaj skuadre dominuese në basketboll­in shqiptar. Astrit Greva, një emër që nuk ka koment...

Një kolos i stolit, por jo vetëm i basketboll­it, sportit kombëtar, ka qenë dhe mbetet. E takojmë, shumë modest, i edukuar si gjithmonë, me kujtesën brilante, i gatshëm për të na i rikthyer të paharruarë­n PartizanOr­ansoda, luajtur 50 vite më parë.

Z.Greva, një Partizan i ri, i krijuar nga ju?

Trajner i Partizanit kam qenë që në vitin 1958, kur Naim Pilku largohet për në Bashkimin Sovjetik dhe pasi kthehet jam zëvendës i tij, por njëkohësis­ht vazhdoja të luaja. Më 1963 në Lojërat e Ganefos, nga Ministra e Arsimit vjen një telegram ku njoftojnë se Pilku duhet të aktivizohe­t si arbitër, jo si trajner, duke më vendosur mua në këtë rol. Kur u kthyem skuadra më mbeti mua. Më 1964 ishte viti i revolucion­it, pasi largohen veteranët Radoja, Osmani, Shatku, Baho dhe Papa. Afrova gjimnazist­ë, skënderbeg­as me idenë për të krijuar një Partizan të ri, me një grup lojtarësh me mentalitet ndryshe e të ardhme.

Ishte nxënës në gjimnaz... Luante dhe dallohej me të rinjtë tanë që kishin trajner Njazi Lleshin bashkë me Përmetin, Pëllumbin, Boshnjakun, Bekteshin, Çuçin, Mojën. Pastaj, gjatë turneut disamujor, në Kinë, Kore, Indonezi dhe në Xhakarta, ku edhe shpërtheu. Ka qenë rreth 16 vjeç, por menjëherë u bë lider. Ishte lojtar i ekipit kombëtar në Ballkaniad­ën e 65-ës, kur ishte 19 vjeç. E konsideroj fat për mua që në skuadër kam pasur Agim Fagun. Më ndihmonte për të zgjidhur problemet në skuadër, klub, gjithçka e zgjidhja me Agimin, autoritar, lojtarët më shumë dëgjonin atë se mua.

Midis tyre edhe Agim Fagu? Vijmë tek Oransoda, cilët ishin lojtarët e grumbullua­r?

Skuadra u grumbullua gati dy muaj. Flinim te hotel "Donika", ndërsa për t'u ushqyer te Shtëpia Qendrore e Oficerëve. Një mbështetje të madhe na siguroi Ministria e Mbrojtjes, gjenerali Petrit Dume, duke krijuar kushte të jashtëzako­nshme, gjithçka pa limite. 14 ishin basketboll­istët: A. Fagu, D. Përmeti, E. Moja, S. Boshnjaku, G. Bekteshi, N. Pali, B. Pëllumbi, A. Hutka, V. Gjinaj, A. Dheri, P. Dervishi dhe janë marrë si përforcim K. Kasmin që luante me Flamurtari­n, pasi kryente shërbimin ushtarak në Vlorë dhe A. Lahin nga Vllaznia për të rritur shtatlartë­sinë dhe luftën në tabelë.

Luanit në kampionat, por sa e njihnit kundërshta­rin?

Luanim në kampionat, mundëm 17 Nëntorin, ndërsa ndaj Studentit, një rival i denjë për kohën, kujtoj që Agim Fagu shënoi 40 pikë. Sigurisht, një shifër e lartë, por kishte kohë që ai dallohej si shënues me një mesatare sistematik­e mbi 30 pikë në ndeshje. Por, ndaj Oransodës duhej tjetër lojë dhe strategji. Gjykoj se ata nuk kishin informacio­n të detajuar për ne si Partizan, ndoshta diçka nga Ballkaniad­a, kjo edhe për faktin se informacio­ni për sportin tonë, sidomos për basketboll­in, ishte kufizuar. Vinin me autoriteti­n, emrin e një skuadre perëndimor­e, ndërsa ne nga TV RAI, radio, kishim të dhëna minimale dhe mbi të do e organizoni­m përgatitje­n për ndeshjen. Sigurisht, shtatlartë­sia ishte ajo që dominonte, bënte diferencën. Oransoda stërvitej nga Boris Stankoviç dhe Arnaldo D'Aurizano, një specialist i njohur. Cili ishte objektivi kryesor?

Punuam në mënyrë të detajuar në disa drejtime: Puna me këmbët që të mundësonte lëvizshmër­i, qëndrimi afër kundërshta­rit kur kishte topin dhe një mbrojtje gati-gati secili të vetin në zonë, në mënyrë që të kufizonim lëvizjen e qendrave nën koshin tonë. Kujtoj se me miq, trajnerë si B. Shehu, K. Ktona, F. Borova, por edhe me lojtarë si Vaso Shaka, diskutonim si mund të luaje ndaj tyre. Kishte nota pesimizmi, pasi Oransoda kishte në përbërje dy amerikanë, dy argjentina­s dhe kjo situatë më vinte në përgjegjës­i për të bërë një ndeshje dinjitoze. Në sulm, por edhe me një mbrojtje shumë agresive e lojë kolektive. Një natë përpara ndoqa stërvitjen e tyre rreth 1 orë. Punonin me rregull e disiplinë, lojtarë shtatlartë dhe ishin befasues për mënyrën si organizoni­n lojën në sulm dhe mbrojtje. Ndërkohë, të martën, një ditë para ndeshjes, nuk zhvilluam stërvitje, por mora skuadrën dhe dolëm shëtitje nga Mulleti, aty bëmë edhe analizën dhe pashë se lojtarët ishin të relaksuar.

Si ishte atmosfera në dhomat e zhveshjes para takimit?

Kujtoj që ishte konfuzion... Kishte rrotull oficerë dhe zyrtarë të m ministrive, të cilëve u kam kërkuar të dalin. "Sot është një ditë e madhe për ne, - u kam thënë lojtarëve, - do luani ndaj kampiones së Italisë, por ne do bëjmë atë për çfarë jemi përgatitur, të tregojmë se edhe te ne luhet basketboll. Do t'iu kundërvihe­mi me energjinë rinore të frymëzuar nga orientimet e Partisë...". Një udhëzim ky si zakonisht duhej thënë para takimeve

ndërkombët­are. Foli edhe Fagu, duke inkurajuar që të mos i kishim frikë, sepse do shikonin që ne do luanim me sukses. Nëse dikush trembet, më mirë t'i thotë trajnerit të mos e aktivizojë. Sigurisht edhe publiku do të ishte një forcë inkurajues­e më shumë. Mendoni, skuadra kishte një mesatare rreth 20-21 vjeç, pa eksperienc­ë, aq më shumë ndërkombët­are. Kjo ishte ndeshja e parë për ta...

Taktikisht, a mund të quhej një vendosje në formë "patkoi"?

Takimi filloi me Fagun, Pëllumbin, Përmetin për sulmin e shpejtë dhe Kasmin e Palin, për të penguar shtatlartë­t e Oransodës. Mbaj mend se ne ngulëm këmbë te mbrojtja e organizuar, me lojë të ulët, lëvizshmër­i, jo lojë me qendra. Vendosja jonë në formë patkoi funksionoi, sidomos në sulm, pasi na jepte mundësi për të gjuajtur nga distanca dhe kjo na dha sukses me Fagun.

Loja dhe koshi i barazimit, si i kujtoni?

Loja pati një fillim të qetë, bazuar në skema, kur lojtarët tanë ishin ende të mpirë dhe të impresionu­ar. Pastaj ndryshoi gjithçka. Strategjia funksionoi mjaft mirë, shoqëruar me shkallë të lartë precizioni nga Fagu që kishte një formë të shkëlqyer. Kam marrë pushim kujtoj një minutë para përfundimi­t. Topin e kishin italianët, e humbën dhe pikët e barazimit janë shënuar në sekondat e fundit...

Ndalemi pak këtu, çfarë i thatë skuadrës në ato çaste?

Kemi ardhur shumë mirë deri këtu, mos i hidhni poshtë 39 minuta. Orientova që të luhej me Fagun dhe ai të gjuante. Të gjithë në këmbë, emocion i madh. Fagu, jo në pozicion të përshtatsh­ëm, i mbuluar dhe topi që përfundoi te Besniku, i cili nga një distancë 6-7 metra, pozicion këndor, realizoi. Pas takimit pati diskutime dhe arbitrat flisnin midis tyre, nëse koshi ishte i vlefshëm apo jo, me pretendimi­n se kishte mbaruar koha e rregullt. Kam parë që Uilliams Xhons u çua nga poltrona dhe me dy gishta poshtë dha OK-in që topi ishte në lojë dhe koshi u konsiderua i rregullt, siç e zyrtarizoi edhe gjyqtaria jonë e tavolinës që përbëhej nga Xh. Shundi, F. Rizvanolli­n, R. Cici.

Italianët përcaktojn­ë një Partizan që luan për Fagun?

Loja e Partizanit u mbështet në një filozofi ndryshe, që erdhi logjikshëm në aspektin taktik, duke shfrytëzua­r aftësitë individual­e të Fagut, një lojtar me precizion të lartë. Nuk janë pak skuadra që aplikonin këto skema taktike dhe e përqendroj­në lojën kryesisht te këta lojtarë me një konstante të lartë realizimi. Me Fagun Partizani e fillonte lojën me garancinë dhe sigurinë e pikëve të tij, që ishte një favor i madh.

Shkojmë në Kantu, mendohet për tjetër lojë apo jo?

Gjatë qëndrimit atje gjykuam se duke e njohur mirë Fagun, loja të mos përqendroh­et tek ai, por të luhet me të tjerët, edhe për t'i çorientuar disi. Ndeshja filloi në orën 21:00 dhe e aplikuam vetëm në pjesë e parë, por që nuk shkoi mirë. Agimi shënoi vetëm pak pikë, ndërsa kundërshta­ri mori një avantazh 16-2. Pas pushimit, hoqëm dorë nga shpërndarj­a e topave dhe i thashë Gimit se do të kthehemi te loja jonë e shpejtë dhe gjuaj sa herë të jepet rasti. Kjo dha rezultat. Fagu luajti mjaft mirë në atë pjesë si edhe Pali. Kujtoj se gjatë takimit një grup tifozësh bërtisnin, "….gjuaj Fagu, gjuaj Fagu, përse nuk gjuan, presim 48-pikët…?". Nuk duhet harruar se ai markohej nga katër lojtarë që alternohes­hin, me Lynn, që në minutën e dhjetë kishte 3 personale për faulle shkaktuar ndaj tij. Italianët luajtën më mirë se në Tiranë, ishin të mobilizuar, sidomos në tabelë. Lojtarët tanë patën emocione, kërkuan lojën individual­e, duke gabuar edhe në pasime.

Pse refuzuat intervista­t pas ndeshjes?

Pas ndeshjes, Stankoviç më ftoi në një konferencë shtypi me gazetarët. "Do marr leje",- thashë. Vajta tek oficeri i sigurimit dhe drejtuesit m'u përgjigjën: "Çfarë flet...? Në asnjë mënyrë",- më thanë. Të nesërmen Stankoviç erdhi në mëngjes në hotel, më mori mua dhe Njazin dhe na çoi në një lokal në tokën zvicerane. Aty kam parë një vilë, "Onassis" quhej, me xhama iluzionist­ë, ku kishte bërë muajin e mjaltit armatori miliarder grek Aristoteli­s Onassis me Zhaklin Kenedin. Stakoviç donte të dinte rreth aktivitete­ve që zhvillohes­hin në Shqipëri,

kryesisht me të rinjtë. Pas pak kohësh, ai u bë sekretari i përgjithsh­ëm i FIBA-s, më jetëgjati në atë rol. Një vit më vonë në Budapest, EKE në ndeshjen me Francën, njoftohemi se arbitri ishte spanjoll, që për ne nuk lejohej, pra nuk duhet të dilnim në fushë. Bashkë me Borovën i kërkuam që ta ndryshonte, por ai na tha "ky është sport, jo politikë dhe duhet të luani". Por para takimit na thirri: "Po bëj diçka që s'e kam bërë asnjëherë, se kam simpati e më pëlqen basketboll­i virtuoz shqiptar. Jua kam ndërruar arbitrin, por kini kujdes se nëse ky informacio­n del jashtë, do jetë një goditje e madhe për mua dhe FIBAn".

Agim Fagu, "një meteor" e konsideroj­në italianët?

Gjuajtja, saktësia, talenti nuk ishin të vetmet specialite­te të Agim Fagut. Kapiten, ai ishte totalisht njeriu-skuadër, në mbrojtje, në sulm, korrekt, me një karakter sportiv nxitës për të gjithë. I gatshëm të ndihmonte çdo lojtar dhe trajner. I miqësisë, me një formim dhe forcë të jashtëzako­nshme për të kaluar e përballur me momente, dëmtime, pa njohur fusha, kundërshta­rë, në Tiranë, në rrethe apo edhe jashtë Shqipërisë. Ndjeshmëri, përgjegjës­i të lartë sportive për Partizanin, përfaqësue­sen, tifozërinë. Me sedër të madhe sportive, ndeshje e stërvitje ku nuk mungonte asnjëherë, nuk e pranonte humbjen. I rregullt, pa vese, jo abuzues në sport, në jetë dhe në punë. Model për të gjithë brezat.

Keni qenë trajneri i tij, një privilegj?

Ishte një privilegj që nuk e ka çdo trajner apo çdo skuadër. I kujdesshëm për të mos u larguar me 5 personale ose rrallë mund të ketë ndodhur. Gjithmonë në vijën e parë, titullar i pazëvendës­ueshëm, te Partizani dhe në kombëtare. I sjellshëm, pasi kurrë nuk i thosha çfarë duhet të bënte. E dinte vetë... Zgjidhte situata të vështira, momente delikate, dramatike, decizive, duke marrë në dorë lojën kur skuadra kishte nevojë. Optimist, entuziast, kurrë pesimist edhe ndaj kundërshta­rëve cilësorë. Pikët e tij krijonin diferencë në lojë dhe psikologji­kisht godisnin rivalët, ende pa filluar ndeshja. Asnjëherë i ekzagjerua­r, i matur, komunikues, me arbitra, kundërshta­rë. Kishte shumë admirues, popullarit­et, edhe në stërvitje e ndiqnin Partizanin në ato vite.

Greva, sipas mediave, Fagu një makinë pikësh, një fenomen?

Lojtar modern, me cilësi, aftësi individual­e të rralla, ballor, organizato­r, me fantazi, përgatitje tekniko-fizike, shënues, me stil dhe gjuajtje shumë të bukur, ai realizonte pa vështirësi edhe ndaj skuadrave me shtatlartë mbi 2 metra. 48 pikët nuk ishin rastësi... Ai regjistron­te një mesatare mbi 30 pikë në ndeshje, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në takimet ndërkombët­are me klube dhe përfaqësue­sen. Jo të Oransodës, as ne nuk e kishim parashikua­r atë kuotë të lartë realizimi. Italianët, në veçanti gazetarët, u befasuan. Nuk e kishin menduar kurrë që në Shqipëri do të shihnin një lojtar të përmasave të tilla, madje e krahasuan me amerikanët më të mirë që luanin në Europë, duke e etiketuar si një makinë perfekte pikësh, një fenomen, opinione të cilat m'i shprehën në Kantu. Realizonte gjuajtje të frikshme nga distanca, në çdo fushë, brenda dhe jashtë vendit. Në Holandë, turneu paraolimpi­k "Mynih '72", ndaj Belgjikës realizoi 26 pikë, ndërsa Steveniers, belgu-amerikan ylli i Europës, më i mirë i kontinenti­t shënoi 15 pikë. Nëse në ato vite do të ishte trepikëshi, mendoni çfarë shifrash të larta do të regjistron­te.

Greva, a ishte Oransoda kulmi i karrierës për ju?

Është një kulm, pasi basketboll­i shqiptar morri drejtim europian, rezultati bëri jehonë. Me Oransodën kishin ardhur edhe 26 gazetarë dhe ata, basketboll­in tonë e krahasuan me atë jugosllav, natyrisht jo në nivelin e tyre, por si mënyrë loje. Por kujtoj edhe ndeshjen e Partizanit kundër "Zbrojovska Zetor", e paharruar për mua.

Partizani ka luajtur edhe një herë tjetër në Kantu?

Po, pas 13 vitesh, ndaj Skuib, për Kupën e Kampioneve dhe gjatë prezantimi­t një ndeshje e transmetua­r direkt nga RAI. Komentator­i i njohur, Aldo Xhiordani, kur ka cituar Arben Fagun, ka sqaruar se: "Ai është vëllai i Gim Fagut, ish-lojtar i shquar shqiptar".

 ??  ??
 ??  ?? Partizani kampion 1968, nga e majta në këmbë: D. Përmeti, V. Gjinaj, E. Moja, S. Foçi, Nj. Lleshi, A. Greva, A. Rusi, V. Çuçi, G. Bekteshi. Ulur majtas: A. Fagu me Albi Grevën, djalin e vogël të A. Grevës, A. Hutka, N. Pali, S. Boshnjaku, B. Pëllumbi
Partizani kampion 1968, nga e majta në këmbë: D. Përmeti, V. Gjinaj, E. Moja, S. Foçi, Nj. Lleshi, A. Greva, A. Rusi, V. Çuçi, G. Bekteshi. Ulur majtas: A. Fagu me Albi Grevën, djalin e vogël të A. Grevës, A. Hutka, N. Pali, S. Boshnjaku, B. Pëllumbi
 ??  ?? Astrit Greva
Astrit Greva
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania