Panorama Sport (Albania)

Higuain, çfarë po të ndodh? Pa gol prej 2 muajsh

-

Çfarë po i ndodh Gonzalo Higuainit? Është kjo pyetja që të gjithë tifozët e Milanit po i bëjnë vetes prej gati dy muajsh, por ndoshta e njëjta pyetje mundon edhe Xhenaro Gatuzon, i cili e di mirë se pa golat e "Pipitas" nuk do ta ketë të lehtë që të ruajë deri në fund vendin e katërt në renditje. Numri 9 kuqezi nuk shënon tashmë prej shumë kohësh, e thënë ndryshe që nga 28 tetori kundër Sampdorias. Nga ajo ditë kanë kaluar jo pak, por 7 ndeshje, pesë në Serinë A dhe dy në Ligën e Europës, në të cilat argjentina­si ka agjëruar.

PAK URI - Siç referon mëngjesin e djeshëm "Gazzetta dello Sport", ajo që shqetëson më shumë nuk është fakti i të agjëruarit prej thuajse dy muajve, por për urinë dhe agresivite­tin që duket se po i mungon ish-juventinit. Dhe të mendosh se të gjithë e kanë parë sesa shumë raste ka pasur për të shkuar te goli, madje me shifrat që nënvizojnë se në dy takimet e fundit, kundër Olimpiakos­it dhe Bolonjës, 30-vjeçari e ka goditur portën 32 herë, por në asnjë prej tyre nuk ka pasur sukses. Këtë frenim të "Pipitas" e ka vënë re dhe nuk ka mbetur pa e përmendur as Xhenaro Gatuzo, i cili prej shumë ditësh me radhë, në çdo konferencë të fundit për shtyp e ka thënë qartë dhe hapur, se pret më shumë nga Gonzalo, jo vetëm në rang golash, por mbi të gjithë për një udhëheqje në fushë prej lideri, duke qenë se për momentin, ai është pa dyshim lojtari me më shumë eksperienc­ë dhe ai që ka fituar më shumë, në nivel kombëtar e ndërkombët­ar, sesa çdo individ tjetër i grupit kuqezi.

Sërish nervozizëm - Në transfertë­n e Bolonjës, "Pipita" arriti që t'i menaxhojë mirë nervat e tij, siç i kishte kërkuar edhe trajneri. Por edhe pse u përpoq, në minutat finale shpërthimi i radhës nervoz i Higuainit erdhi, pasi arbitri Mareska i ndërpreu një kundërsulm të mundshëm për një faull të shkaktuar në mesfushë. Gjendja e tij emocionale nuk është ndër më të mirat, sepse edhe përpara ndeshjes numri 9 i Milanit e pranoi vetë: "E di që për të shkuar në Champions duhen golat e mi dhe që unë duhet të qëndroj i qetë dhe i kthjellët". Dhe pas tri ditësh Higuain me shokë do të kthehen sërish në fushë, kundër Fiorentinë­s, në "San Siro" me argjentina­sin që shpreson të prishë këtë agjërim shumë të gjatë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania