Panorama Sport (Albania)

Dorëhiqet Nica: Amatorë, s'pranoj të më nxijnë fytyrën

"Lojtarë tekanjozë, stadiumet tregojnë gjithçka"

- VLADIMIR MEMA

Trajneri i Kastriotit, Stavri Nica, dha dorëheqjen në deklaratën për "Gol pas Goli" në "SuperSport", duke pranuar publikisht problemet e mprehta të futbollit shqiptar dhe duke u shprehur se nuk pranon t'i nxijnë fytyrën me këtë nivel diletant dhe problemati­k.

Paraqitje shumë e vakët dhe skuadra reagoi vetëm në disa episode...

Kjo gjë është pasojë e mënyrës si vijmë gjatë javës. Edhe në stërvitje e shoh që nuk janë të impenjuar. Sidomos lojtarët e huaj dhe ata që nuk kanë shumë mundësi për të vazhduar në Superiore. Shoh një ftohje, mosimpenji­m dhe mosorganiz­im si në kushtet e lojës, edhe në kushtet e impenjimit për stërvitjen dhe kushtet e stërvitjes. Të gjitha vijnë me radhë. Janë shumë detaje që, me keqardhje, më detyrojnë të mos jem më pjesë e kësaj mënyre pune dhe e kësaj skuadre. Kjo, sepse unë nuk e kam në karakter që të sillet skuadra si të dojë, t'i pësojë golat kur të dojë dhe të impenjohet kur të dojë, e kështu me radhë. Jam shumë i mërzitur për këtë mënyrë. Skuadra u mundua që të reagonte, mirëpo gjërat duhen vënë njëra pas tjetrës që të ngrihet në nivel. Megjithatë, nuk shoh perspektiv­ë.

Po thoni që e mbyllët me Kastriotin?

Sigurisht që e mbyll sepse unë nuk mund të sakrifikoj veten për lojtarë tekanjozë, për mënyrë jo të mirë organizimi pa kushte stërvitjej­e etj. Detyrohem të tërhiqem nga kushtet.

A keni folur me drejtuesit nëse do të bëjnë ndryshim?

Edhe në klube të tjera, edhe këtu, unë ngul këmbë sepse më vjen keq për futbollin, nivelin e ulët. Edhe ndeshja sot (dje) e tregoi se me këtë nivel të ulët, sigurisht që në këtë rast nuk funksionon ana profesiona­le. Në momentin që ana profesiona­le nuk do të funksionoj­ë në Shqipëri, ajo financiare e të tjera me radhë që dihen, nuk mund të rri vetëm për të marrë një rrogë, të joshem nga pagesa dhe të jem pjesë e këtij niveli. Kjo është situata. Më mirë shoh atë fukarallëk­un tim dhe nuk mund të bëhem pjesë absolutish­t, në asnjë kohë, derisa të kem fuqi për të punuar, e kësaj metode pune dhe me lojtarë që nuk janë profesioni­stë dhe vijnë vetëm sa për të marrë një rrogë. Apo edhe me lojtarë të huaj që kanë nivel shumë të ulët dhe janë tekanjozë. Pikërisht, dje (të shtunën), një lojtar nuk del në stërvitje sepse përtonte. Imagjinoni në çfarë derexheje (gjendjeje) janë këta dhe duhet të rrimë vetëm për të marrë rrogën. Absolutish­t jo, nuk jam dakord! Kështu që unë vendos të mos jem pjesë e një niveli kaq të ulët. Jemi në një nivel diletant në mënyrën e punës dhe ne duhet të ngulim këmbë. Ne që merremi me këtë punë duhet të ngremë zërin dhe nuk mund të vazhdohet kështu me këtë capitje kaq të vakur. Specialist­ët e di se çfarë mendojnë dhe çfarë flasin, por duhet të kenë më tepër kurajë. Përderisa nuk ka mundësi financiare dhe nuk ka mundësi për ta mbështetur futbollin, atëherë të gjendet zgjidhja.

Në të ardhmen do të vendosni për oferta nga klube të mëdha, pasi nga pjesa tjetër jeni i zhgënjyer?

Absolutish­t. Neve na gënjen mendja se kemi klube të mëdha dhe të vogla, por unë gjykoj që nuk kemi klube të mëdha sepse niveli është i ulët. Nëse do të ecim me këtë psikologji, sa për të ecur dhe sa për të gënjyer veten, le ta gënjejmë dhe të vazhdojmë. Por, këtë e tregojnë edhe shkallët e stadiumit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania