Panorama Sport (Albania)

Rosi: Nuk do ndalem edhe pas titullit të 10-të

-

Valentino Rosi nuk e mendon aspak tërheqjen nga Moto GP, edhe pse janë të shumtë ata që mendojnë se "doktori" tashmë duhet të hapë krahun. Piloti italian së fundmi ka folur sërish për të ardhmen e tij, ku është shprehur se do të vazhdojë të jetë pjesë e Moto GP, edhe pas vitit 2020, kur i përfundon kontrata me motorin Yamaha. Italiani është në kërkim të titullit të 10-të kampion bote dhe shpreson që ta arrijë këtë objektiv në dy vitet e ardhshme me Yamahan. Megjithatë, edhe nëse kjo ëndërr nuk realizohet brenda këtyre dy viteve, ai bën me dije se do të vazhdojë të pilotojë. Për të ardhmen e tij, 39-vjeçari u shpreh kështu: "Titulli i 10-të kampion dhe mosha ime janë vetëm shifra, të cilat nuk kanë rëndësi për mua. Gjithmonë e kam deklaruar që do të vazhdoj të garoj, pasi në pistë argëtohem dhe kërkoj gjithnjë triumfin. Nuk do të heq dorë, edhe pasi ta kem fituar titullin e 10-të kampion. Sigurisht që nëse ia dal ta fitoj titullin e dhjetë, do të jem tepër i lumtur, por nëse kjo nuk ndodh, do jem sërish në pistë për të argëtuar fansat e shumtë që më mbështesin. Kontrata ime me Yamahan mbaron në vitin 2020 dhe ende nuk e kam vendosur se çfarë do të bëj pas kësaj date. Nuk është e thënë që do të jetë sezoni im i fundit. Megjithatë, për këtë gjë do të mendoj kur të jetë momenti i duhur. Ndihem tepër i karikuar dhe zbres gjithmonë në pistë për të fituar. Tashmë po pres me padurim testet dimërore, pasi dua të kuptoj se ku mund të arrij këtë sezon", deklaroi italiani i Yamahas, duke konfirmuar se është ende në formë dhe nuk ka aspak ndërmend të ndalet.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania