Panorama Sport (Albania)

Takaj: Na sulmojnë se mundim Partizanin

“E di kush i paguan dhe ku i hanë drekat parashikue­sit kundër nesh. KAS vendos në mars, ja e vërteta e vonesës së rrogave”

- JORGIS MEMO

Skënderbeu është në krizë dhe si kurrë më parë në epokën e suksesshme të klubit mbylli një vit me katër humbje radhazi në kampionat. Një situatë e papreceden­të që i ka shtangur të gjithë në Korçë, madje i ka humbur qetësinë karakteris­tike edhe vetë kreut të klubit. Një situatë e mbushur me hije dyshimesh për vazhdimësi­në, probleme të brendshme, “senatorë” që nuk po i përgjigjen trajnerit, vendimi i KAS-it që nuk po vjen dhe deri te vonesat e rrogave. Por, për të gjitha këto është vetë presidenti Ardjan Takaj që ka vendosur të flasë pas dy javësh të mbushura me polemika. Në intervistë­n ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti i bardhekuqv­e ka për të gjithë. U përgjigjet atyre që aludojnë për humbjet e Skënderbeu­t, sqaron dorëheqjen e Orges Shehit pas ndeshjes me Luftëtarin, si dhe zbulon për herë të parë se çfarë ndodh me rrogat. “Këtu i gjithë problemi është se pse mundim ne Partizanin. Kush do flejë mbi dafina dhe do të mendojë se ne nuk jemi për titull, do të bëjë gabimin më të madh. Nuk heqim dorë kurrë, do ta shikoni në fushë”, thotë ndër të tjera kreu i klubit korçar.

Zoti Takaj, katër humbje radhazi Skënderbeu i pësonte për herë të fundit në vitin 2010, kur luftonte për mbijetesë. Si e shpjegoni këtë situatë?

Situata është e rënduar dhe kjo nuk diskutohet, pasi janë rezultatet që e tregojnë. Duhet të pranojmë që skuadra po kalon një krizë dhe në gjithë këto vite që unë jam në krye të klubit nuk është parë kurrë një situatë e tillë. Çudia më e madhe është se Skënderbeu ka bërë katër humbje rresht dhe kjo nuk na trondit vetëm neve, pasi të gjithë besoj ishin mësuar me një skuadër që dominonte. Megjithatë, e kemi analizuar me kujdes këtë moment dhe kemi nxjerrë konkluzion­et tona.

Që do të thotë?

Katër humbjet e fundit i kam ndjekur të paktën 10 herë përmes videove. Ndeshjet janë parë dhe riparë nga të gjithë. Ajo që unë garantoj është se këto humbje nuk vijnë prej ndonjë problemi jashtë fushës. Diku ka ndikuar fati, diku arbitri, pastaj portieri dhe forma e dobët e disa lojtarëve që ne të shkojmë në këtë situatë. Të gjitha ndeshjet kanë specifikat e veta dhe nuk mund të thuash që është një krizë e përgjithsh­me. Sigurisht, në këto ndeshje kemi pasur edhe mungesa të vazhdueshm­e dhe duke ditur që Skënderbeu nuk është ai i sezonit të kaluar, mungesa e alternativ­ave në stol na ka penalizuar. Duke mos pasur një stol të fortë, jemi treguar të brishtë në këtë moment.

Ju mendoni se në këtë krizë kanë ndikuar vetëm çështjet sportive, jo faktorë të jashtëm që mund të kenë bërë që skuadra të humbasë besimin për vazhdimësi­në?

Jo, absolutish­t. Unë e njoh mirë ekipin që kam dhe kjo është thjesht një krizë sportive. Në këtë periudhë të vështirë i kam qëndruar shumë afër skuadrës dhe ju siguroj se brenda grupit nuk ka pasur asnjë problem. Harmonia është ajo që ka qenë, por së fundmi është shtuar nervozizmi, që vjen vetëm prej rezultatev­e të dobëta. Në momente të caktuara lojtarë të veçantë e kanë shfaqur këtë edhe në ndeshje.

Si e keni parë sjelljen e lojtarëve kryesorë si Vangjeli, Radas, Muzaka dhe a është e vërtetë se raporti juaj me ta nuk është më si më parë?

Marrëdhëni­et tona nuk është se kanë ndryshuar, por përgjegjës­ia e atyre në këto momente është shumë më e madhe. Normalisht, janë “senatorët” ata që janë përzgjedhu­r që në fillim për të tërhequr lokomotivë­n, e cila quhet Skënderbeu. Në këtë moment një gabim i tyre është sikur të jetë i portierit, pra, që vihet re shumë më tepër se i ndonjë lojtari tjetër. Unë, kur bëj mbledhje me ekipin, natyrisht do të kritikoj atë lojtar që pres më tepër, jo atë që aq ka mundësi dhe aq ka dhënë në fushë. Duke pasur shumë vite në skuadër, janë pikërisht këta lojtarë që duhet të nxjerrin nga kjo situatë ekipin.

Si është e vërteta me dorëheqjen e Orges Shehit pas ndeshjes kundër Luftëtarit?

Normalisht, erdhi dhe paraqiti dorëheqjen. Nuk ishte çështja se Shehi nuk e përballont­e dot këtë situatë, por ai mendoi se që të ecte puna, duhej bërë një ndryshim që gjërat të merrnin një tjetër rrjedhë. Edhe Orgesi është i ri në trajning dhe më tha se nëse ishte ai pengesa e kësaj pune, pasi rezultatet nuk po vinin, atëherë më mirë të bëhej një ndryshim dhe të merrte përsipër këtë situatë. Ai mendoi se një trajner tjetër mund të ndryshojë gjendjen, por unë kurrsesi nuk e pranova këtë, sepse kjo krizë iu ndodh edhe ekipeve më të mëdha se ne. Shikoni çfarë po ndodh te Reali i Madridit apo Bajerni i Mynihut, janë shumë ekipe që kanë kaluar kriza të tilla. Nuk i shpikëm ne këto kriza në futboll, por varet në çfarë momenti të kap. Pastaj, edhe Kukësi në fillim të sezonit ishte shumë pikë mbrapa, ndërsa tani e sheh veten afër kreut.

Jeni i ndërgjegjs­hëm se njerëzit që juve ju keni besuar merkaton në verë kanë dështuar me afrimet, pasi nga të gjithë vetëm Dejvi Bregu ka bërë diferencën në pjesën e parë të sezonit?

Nuk është aq e lehtë. Përshtatja dhe loja që bëhet kundër Skënderbeu­t nuk është si e ekipeve të tjera. Po të shikosh festën e Kukësit dhe skuadrave të tjera pasi na mundin ne, do të thotë shumë. Pra, nëse na mundin ne, e quajnë fitore të dyfishtë, pasi jemi kampionët. Problemi i të ardhurve në verë është ambientimi dhe sjellja si kampionë, duke përballur çdo situatë. Kur je kampion ke edhe pasoja të tjera, sepse kundërshta­rët luajnë shumë më të mobilizuar kundër nesh.

Në këtë periudhë ka pasur opinione të ndryshme nga ish-trajnerë, analistë, por jo vetëm, se Skënderbeu rrezikon të prishë kampionati­n, pasi nuk ka motivimin e duhur, duke qenë se nuk luan dot në Europë. Sa ju kanë shqetësuar këto?

Nuk më shqetësojn­ë fare mua këta që flasin kundër Skënderbeu­t, sepse e di ku e marrin rrogën. Unë e di nga kush paguhen dhe në çfarë vende i hanë drekat. Këtu i gjithë problemi është se përse mundim ne Partizanin, e kuptoni çfarë bëhet...?! Pastaj, kur mundemi ne, nuk e di se çfarë problemi kanë. Ata kanë problemin e miqve të tyre, nuk e kanë të vetin. Këta lloj njerëzish që dalin nëpër studio nuk e kanë pranuar Skënderbeu­n që kalonte katër ture në Ligën e Europës. Muça, për shembull, është parashikue­s. Këtu vetëm Skënderbeu ka shkuar në grupe, nuk di ndonjë skuadër që të ketë bërë si ne. Nuk jemi ne ekipi që luajmë një tur dhe merr plaçkat dhe ik në shtëpi. Nëse kanë burrëri, të flasin jo vetëm

kundër Skënderbeu­t.

Sa ka ndikuar pritja e stërzgjatu­r nga KAS te skuadra?

Lojtarët nuk e dinë fare këtë çështje. Vendimi nuk vjen para qershorit dhe ata nuk mund të ndikohen fare. Nuk na ka prishur punë kjo, pasi ndryshe nuk do të shisnim lojtarë. Kemi blerë në çdo moment futbollist­ë dhe në skuadër aktualisht kemi nga ata që i lakmojnë të gjithë. Të jeni të bindur ju se lojtarët e Skënderbeu­t nuk kanë fare humbje besimi dhe nuk dëgjojnë aspak se çfarë thonë lart e poshtë. Ata besojnë te klubi dhe projekti që ne kemi. Lojtarëve të mi iu është mësuar veshi aq shumë këto vite, saqë këta që flasin lart e poshtë nuk iu bëjnë fare përshtypje. Ne jemi një vend ku disa ish-lojtarë mendojnë se vetëm ata kanë luajtur futboll. Pra, Shqipëria nuk ka pasur më histori, por e kanë mbyllur ata djemtë e bukur që kanë luajtur dikur. Kjo është ajo që përcjellin në opinion, duke i menduar këta që luajnë tani lojtarë të dorës së katërt. Në sytë e mjeshtrave që na japin mend në televizion­e në Shqipëri është mbyllur futbolli që para 20 vitesh, nuk luhet më. Sa e lanë ata futbollin, në Shqipëri nuk ka më...

Thatë që nuk do të ketë vendim nga KAS para qershorit, më konkretish­t çfarë indice keni marrë?

Zyrtarisht, ne dimë që vendimi do të merret në muajin mars dhe do ta fitojmë atë çështje. Jemi lajmëruar për gjyqin, por datën nuk mund ta bëjmë publike, vetëm mund të them se është në muajin mars dhe me siguri deri në maj do të mësohet se çfarë vendimi do të merret.

Çfarë do të ndodhë në janar me skuadrën?

Klub më të investuar se Skënderbeu nuk ka, për këtë të jeni të bindur. Vetëm infrastruk­turën që ka të ngritur klubi ynë

është sa gjithë kampionati shqiptar. Garancia është maksimale, kështu që në janar do të bëjmë afrime. Jemi afër me tre lojtarë, bëhet fjalë për mesfushorë dhe sulmues. Nuk është se do të bëjmë ndonjë hata, sepse është një periudhë merkatoje që ka pak zgjedhje. Më tepër jemi fokusuar jashtë Shqipërisë dhe jemi në hapat e fundit të nënshkrimi­t me një mesfushor që është pjesë e një kombëtarej­e të huaj. Emrin nuk e them dot pa ardhur në Shqipëri, se tani po e morën vesh, e rrëmbejnë në rrugë (qesh). I kemi studiuar mirë, por merkatoja e dimrit, nga eksperienc­a që kam, më shumë na ka rezultuar e dështuar sesa efektive.

Ku do të shitet Fidan Aliti?

Në këtë periudhë kemi folur me shumë, por zyrtarisht si për hyrje dhe dalje nuk ka diçka konkrete. Mos prisni emra klubesh, ka sa të duash, por kur të firmosim do të jemi të qetë. Politika jonë është e qartë, në rast se ndonjë klub plotëson kërkesat tona për të blerë lojtarë, dera është e hapur.

Çfarë prisni nga skuadra në pjesën e dytë të sezonit?

Të presësh shumë nga ky Skënderbe, së pari, duhet të jesh realist, sepse janë bërë ndryshime të mëdha. Pastaj, ne shtatë pikë jemi larg kreut. Në këto katër humbje radhazi që pësuam, sikur një fitore të kishim marrë, do të ishim mirë tashmë. Në janar presim Partizanin në shtëpi dhe ju them që Skënderbeu nuk heq dorë nga titulli. Kush do flejë mbi dafina dhe do të mendojë se ne nuk jemi për titull, do të bëjë gabimin më të madh. Nuk heqim dorë kurrë, do ta shikoni në fushë tashmë.

Në ndeshjet e fundit në Korçë stadiumi ka qenë thuajse i boshatisur. Keni një koment për tifozët?

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania