Panorama Sport (Albania)

Besëlidhja beson te mrekullitë

- DIBRA Preng Gjikola

Besëlidhja të premten pasdite mbylli stërvitjen për këtë vit, për ta rinisur vitin tjetër pas festave të fundvitit. Gjysmën e parë të sezonit, lezhjanët e mbyllën në vendin e pestë në renditje, aty ku është edhe viza e kuqe që ndan dy minigrupet e fazës së tretë. Gjatë këtyre 14 javëve kampionat, Besëlidhja ka shfaqur dy standarde, një fillim shumë të dobët që në fund të javës së tretë çoi në dorëheqjen e trajnerit Ndriçim Kashami dhe skuadra u drejtua teknikisht nga ish-asistenti i tij Gledis Lani, që e drejtoi edhe për 5 javë dhe katër javët e fundit skuadra u drejtua nga Vladimir Gjoni, që ka gjasa që ta mbyllë sezonin në krye të saj. Kapiteni i Besëlidhje­s, mbrojtësi shkodran Kledi Dibra, që tashmë po mbyll sezonin e tetë radhazi me fanellën e kësaj skuadre, për "Panorama Sport" u shpreh: "Tashmë, edhe gjysma e parë e këtij sezoni u mbyll duke na lënë në vendin e pestë në renditje, një pozicion jo i favorshëm për objektivat tona, por gjithsesi me përgjysmim­in e pikëve shpresat ende janë të mëdha. Besoj se gjysma e dytë e sezonit do të jetë shumë më e suksesshme, ndonëse edhe skuadrat e tjera do të riorganizo­hen për objektivat e tyre. Duke ditur se në prag është edhe merkatoja e janarit, një rifreskim i skuadrës nga kjo merkato do të jetë një shtysë për të eliminuar gabimet e deritanish­me dhe për këtë kam besim të palëkundur. Pas disa ditësh pushime, skuadra do të grumbulloh­et për të nisur minifazën përgatitor­e për të rikuperuar energjitë e derdhura gjatë këtyre 14 javëve që u mbyllën. Objektivat e Besëlidhje­s dihen, ndaj po punohet edhe për merkaton e janarit, për të rifreskuar ato pika që kanë qenë problemati­ke gjatë kësaj periudhe. Të gjithë futbollist­ëve, stafit dhe tifozërisë ju uroj gëzuar festat e fundvitit", e mbylli bisedën e tij kapiteni i Besëlidhje­s, mbrojtësi shkodran Kledi Dibra. Për 11 sezone me radhë, Besëlidhja militon në kategoritë inferiore duke i munguar Superiores. Në disa raste, skuadra i është afruar ndjeshëm ngjitjes në elitë, por nuk ka bërë dot hapin final. Duket se do të presë edhe disa vite të tjera që të provojë sërish shijen e Superiores.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania