Panorama Sport (Albania)

Për Liverpulin vë bast pasurinë, mbrojtja e Sitit e tmerrshme

- Nga LUIS VAN GAL

Klop e ka kthyer Liverpulin në një makinë luftarake, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Kështu që nëse ka një klub që unë do të vendosja paratë e mia për të fituar titullin, ai do të ishte Liverpuli. Skuadra e Liverpulit nuk është skuadra e cilësisë më të lartë kur vjen puna te kualiteti i futbollist­ëve. Në fakt, lojtarët më cilësorë janë te Mançester Siti. Por, në të njëjtën kohë, kjo është edhe dobësia e Guardiolës. Ai i stërvit skuadrat e tij vetëm në sulm, gjithnjë. Momenti që skuadra e tij duhet të mbrojë, ata duken të tmerrshëm. Liverpuli ka një skuadër që mund të mbrojë shumë më mirë. Kjo për shkak se Klopi i ka stërvitur ata që të jenë një forcë luftarake, e kanë apo jo topin. Kjo është ekzaktësis­ht ajo që i mungon skuadrës së Guardiolës në këto momente. Siti ka ide të shkëlqyera futbolli dhe një stil të shkëlqyer loje, por jo shpirtin e duhur luftarak. Mos më keqkuptoni, unë e dashuroj ende ta shoh sesi luan Siti. Por, mënyra sesi Klop e bën Liverpulin të luajë është absolutish­t fantastike. Përballja direkte më bindi se Siti nuk mund të mbrojë. Kur Liverpuli barazoi, kishte mjaftueshë­m mbrojtës të Sitit në zonë për ta parandalua­r golin. Por, pjesën më të madhe të kohës në Premier Ligë, Siti nuk ka pse të mbrojë, sepse ata e dominojnë shumicën e kundërshta­rëve. Kur ata përballen me një skuadër të fortë si Liverpuli, mund të shihnit se lojtarët e tyre nuk janë në gjendje të mbrojnë siç duhet. Ata duken të çorganizua­r. Liverpuli meriton duartrokit­je, sepse shumica e ekipeve nuk e detyrojnë Sitin në situata mbrojtëse. Liverpuli e bëri këtë në një pikë në pjesën e dytë dhe pamë që Siti ishte në telashe. Shikoni Firminon, ai mezi e preku topin, por km e tij për skuadrën ishin të pabesueshm­e. Klop ka Manenë gjithashtu dhe Salahun që vrapojnë pafund. Ata të tre ndihmojnë të tjerët për të mbrojtur dhe kanë edhe energjinë për të kundërsulm­uar dhe rifituar topin. Jam i kënaqur që Siti e mundi Liverpulin, sepse e bëri garën për titull më të bukur. Emocionet janë të mëdha në këto momente. Tri skuadra mund të shpallen kampione, sepse nuk mund të përjashtoj­më as Totenhemin. Por nëse ju më pyesni se cila nga pretendent­et ka skuadrën më të mirë, unë do thosha skuadra e Klopit. Lojtarët e Liverpulit kanë një dëshirë më të madhe për ta fituar titullin dhe kjo do t'i ndihmojë që ta fitojnë kampionati­n. Për mua, ata e duan atë më shumë se lojtarët e Sitit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania