Panorama Sport (Albania)

Apolonia nuk di të fitojë, Bylis mesazh rivalëve

Ballshiotë­t në formë, fitojnë sërish në "derbi"

- BUJAR RAMA

Apolonia dhe Bylis e mbyllën me miqësore mes tyre vitin e kaluar dhe të njëjtën gjë bënë në fillimin e këtij viti. Dy skuadrat fqinje kanë luajtur mes tyre në Fier, një ndeshje që u fitua sërish nga mallakastr­iotët, këtë herë me shifrat 2-1. Vetëm prej pak ditësh kanë rifilluar minifazën përgatitor­e të dyja ekipet dhe ka qenë një miqësore e vlefshme, sidomos për Apoloninë, e cila është vëzhguar për herë të parë nga trajneri i ri, Rade Miliç. Fierakët kanë pasur shumë largime gjatë kësaj periudhe dhe vetëm dy mbrojtës të rinj që janë në provë, ndërsa Bylis mbetet ekip i konsolidua­r dhe plot autoritet për të qenë kandidati kryesor për në Superiore nga Grupi B. Ka qenë një lojë e dominuar totalisht nga kryesuesit mallakastr­iotë, që kanë dëshmuar epërsi në çdo sektor të fushës.

NDESHJA

Minutat e para nuk sjellin shumë raste, ndërsa posedimi i topit dhe qartësia në lojë është gjithmonë në favor të skuadrës mike. Në minutën e 17-të provon Kofi me një gjuajtje në hyrje të zonës, por është i pasaktë, ndërsa tre minuta më vonë, krosimit të Peposhit nga e majta i gjendet Murataj brenda zonës, që gjuan me kokë, por pret Harizaj në pozicion. Fierakët janë krejt anemikë në sulm dhe vetëm një rast të amullt shënojnë në pjesën e parë, teksa K. Mehmeti pason nga e majta në qendër, ku Zoga gjuan dobët në hyrje të zonës, në minutën e 33-të. Është radha e Bylisit që shënon edhe golin e parë. Në minutën e 38-të, Kofi hedh një top në hyrje të zonës, atje ku Bajramaj gjuan tokazi me të djathtën dhe mposht Harizajn. Pjesa e dytë është pak më e çlirët, por gjithmonë me epërsi të Bylisit. Apolonia vuan gati në të gjitha repartet dhe e ka të vështirë të organizohe­t. Ballshiotë­t lëshojnë paksa në lojë dhe fierakët gjejnë rastin e duhur. Në minutën e 67-të, Hysenshaha­j kroson nga këndi dhe kapiteni Nako, ardhur në ndihmë të sulmit, shënon me shpinë, duke "i treguar numrin" portierit mik. Por, skuadra e trajnerit Dovedan tregon karakter edhe në miqësore dhe në minutën e 78-të Aliaj rikthen avantazhin dhe vulos shifrat e krejt takimit në këtë miqësore: Apolonia-Bylis 1-2. Minutat në vazhdim nuk prodhojnë ndonjë rast pikant edhe pse vendësit u përpoqën që të barazonin. Një ndeshje ku Bylis tregoi edhe njëherë se është një prej ekipeve më të forta të Grupit B. Ndërsa, fierakëve do u duhet shumë punë për t'u korrigjuar dhe për të qenë një ekip më i fortë në pjesën e dytë të kampionati­t. Objektivi primar është që bardhejesh­ilët të sigurojnë 5-shen e parë pas dy fazave të para. Skuadra do të luajë edhe disa miqësore të tjera deri kur të rifillojë gara.

 ??  ?? Çast nga miqësorja e djeshme
Çast nga miqësorja e djeshme

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania