Panorama Sport (Albania)

Homazhet për Mikel Jankun, Meta dhe Duka lartësojnë figurën e tij

Presidenti: Ka qenë si një model për shumë gjenerata në Shqipëri

-

Është përcjellë për në banesën e fundit ish-portieri i Kombëtares shqiptare dhe Partizanit, Mikel Janku. Legjenda e futbollit shqiptar u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, pasi humbi betejën me një sëmundje të rëndë. Të pranishëm në ceremoni ishin figura të njohura të sportit, politikës dhe gazetarisë, të cilët nderuan me respekt figurën e Jankut. Presidenti Meta ishte gjithashtu prezent gjatë homazheve për Mikel Jankun dhe gjatë fjalës së rastit tha se ai ishte një model për të gjithë si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. "Për një njeri të madh si Mikel Janku, fjalët sot janë të vështira për t'u thënë. Por ai ishte një figurë e madhe e futbollit shqiptar dhe më pas e gazetarisë sportive. Mikeli ishte njeri me integritet në shoqëri, një njeri që sot nuk mund të përshkruhe­t me pak fjalë. Figura e tij le të jetë një mesazh për gjeneratat e reja të shoqërisë shqiptare, të cilat duhet të mësojnë më shumë nga historia që Mikel Janku la pas. Ai ka qenë një model në fushën e lojës. Ka qenë një model edhe në të gjitha fushat e tjera. Dhe në këtë fluturim të tij të fundit dua të shpreh edhe njëherë nderimet dhe falënderim­et më të mira", tha presidenti Meta gjatë homazheve ditën e djeshme. Edhe presidenti i FSHFsë, Armand Duka, vlerësoi figurën e ish-portierit. ""Mikeli ishte dhe do të mbetet një nga figurat e shquara të futbollit shqiptar. Ai ka qenë model i një sportisti shembullor, i një njeriu me kulturë e qytetari, një drejtues pasionant në sport, por edhe një gazetar që sportit i mbeti besnik deri në fund të jetës së tij. Sot ai po ndahet vetëm fizikisht nga jeta, por historia e tij do të mbahet mend nga brezat. Federata Shqiptare e Futbollit gjendet pranë familjes së tij në këtë dhembje", tha Duka. Pak kohë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit e kishte vlerësuar Mikel Jankun me titullin "Nderi i Futbollit", ndërsa në 70-vjetorin e themelimit, klubi i Partizanit i akordoi Medaljen e Meritës.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania