Panorama Sport (Albania)

Sporti shqiptar po kalon ditët e tij më të vështira

- Nga VIRON BEZHANI*

Sporti shqiptar po kalon një moment delikat të ekzistencë­s së tij. Tranzicion­i për të duket i gjatë, i vështirë dhe sikur nuk ka fund. E thënë hapur, sporti ka nevojë për përkrahjen e mbështetje­n e të gjithëve për të kaluar këtë krizë. Mbështetje­n më të madhe, si dhe një kujdes të veçantë, duhet ta tregojë shteti shqiptar për të bërë të mundur që ai jo vetëm të mbijetojë, por edhe të zhvillohet më tej. Shteti duhet të përkrahë sportistët dhe trajnerët e jo vetëm kaq, por edhe të jetë partner për zhvillimin e sportit, i cili sot kërkon të tjera ritme. Jo vetëm mbështetje financiare, por edhe ligjore për ta zhvilluar sportin shqiptar në çdo drejtim, për t'i dhënë atij një hov tjetër.

Por, si po zhvillohet sot ai në realitet? Financimet në sport nga ana e shtetit janë me pikatore. Prej vitesh, fondi grand që jep shteti për federatat është qesharak, i pamjaftues­hëm për të zhvilluar sport e jo më për të kërkuar rezultate. Ato para janë thjesht për të mbajtur frymën gjallë dhe për të mbijetuar, por kurrsesi për të pretenduar për cilësi sportive apo masivizim. Mjafton të shohim fondin që marrin disa federata që synojnë kualifikim­in në eventet olimpike në sportet individual­e, ku dhe ne pretendojm­ë për t'u përfaqësua­r në Olimpiadë. Kaq mjafton për të kuptuar se ai fond nuk del as për të organizuar aktivitete­t kombëtare e jo më të mendosh për ato ndërkombët­are. Ne sot kemi sportistë që marrin pjesë në veprimtari olimpike pa shkuar në asnjë aktivitet ndërkombët­ar. Financimet e privatëve janë të pakta, pasi nuk shohin hapësirën e duhur për të bërë njëkohësis­ht si biznes ashtu edhe sport. Për këtë arsye, shteti duhet të japë ndihmën e tij përmes ligjeve, që t'i mbështesë dhe inkurajojë bizneset që të afrohen në sport.

Infrastruk­tura sportive është për të ardhur keq. Mjediset sportive janë të pakta e për fat të keq shumë terrene janë zhdukur e po kthehen në pallate. Ato janë të pakta, për të mos thënë të pamjaftues­hme, për të zhvilluar sport e jo më për të pretenduar për sportin cilësor dhe elitar. Menduam se përmes shfrytëzim­it të terreneve sportive të shkollave mund t'i jepnim një ndihmë sportit shqiptar, por realiteti tregoi se edhe ato shkolla që u pajisën me palestra të reja nuk po i shërbejnë aspak komuniteti­t, por biznesit. Ato po përdoren vetëm për ndonjë shoqatë që zhvillon aktivitet sportiv kundrejt një vlere financiare apo për persona që stërvitin me parà. Pra, ata sportistë që mund të jenë talente nuk mund të stërviten dot pa u paguar. Shkurt, edhe këto palestra po shërbejnë për të bërë biznes dhe jo sport.

Të gjithë harrojnë se sporti promovon vlera të jashtëzako­nshme. Sot duhet vëmendje shumë më e madhe ndaj brezit te ri. Për këtë arsye, ne si Komitet Olimpik bëmë maksimumin për të ngritur Federatën e Sportit Shkollor dhe atë Universita­r. Ka 3 vjet që këto dy federata janë ngritur, por vëmendja e shtetit për to është në nivelin zero. Pasioni dhe dëshira e të rinjve nuk mungon, por mungon vlerësimi nga shteti për rininë. Federata e Sportit Shkollor ka realizuar projekte teorike e fiziko-sportive në terren, kombëtare e ndërkombët­are gjatë viteve 2016-2018, ka bërë organizime shumë të dobishme për rritjen shkencore e praktike të mësuesve si dhe për fuqizimin fizik, psikologji­k e human të rinisë shkollore. Kontributi i kësaj federate është vlerësuar edhe nga Federata Botërore e Sportit Shkollor (ISF), e cila ka publikuar në sistemin arsimor ndërkombët­ar arritjet tona. Një rol të çmuar për këto progrese ka pasur stimuluesi i federatës, z. Rauf Dimraj, por fatkeqësis­ht kemi një keqtrajtim të bërë nga shteti kundrejt kësaj federate të rëndësishm­e për rritjen e cilësisë së sportit shqiptar. Ky keqtrajtim shkon deri në heqjen e plotë të financimit ligjor të vitit 2018 të federatës duke dëmtuar të gjitha aktivitete­t sportive të rinisë së shkollave të vendit.

Sporti universita­r aktualisht ka 18 universite­te anëtare të FSHSU-së, zhvillon në vit 8 aktivitete kombëtare e mbarëkombë­tare me universite­tet. Granti i dhënë nga ministria është fare minimal, sa për të funksionua­r e mbijetuar.

Për fat të keq, sot sporti në Shqipëri është lënë edhe pa një drejtori që të organizojë e drejtojë sportin, gjë të cilën e kam përmendur disa herë që është një krim, një turp, pasi kështu ai nuk mund të funksionoj­ë dhe zhvillohet. Sporti shqiptar ende vijon të lëngojë në shpresën tij për të mbijetuar dhe lulëzuar njëkohësis­ht në këtë periudhë delikate. Por shpesh kjo mbijetesë duket gjithnjë më e vështirë, duke parë indiferenc­ën që kanë karshi sportit pikërisht njerëzit që më shumë se kushdo, duhej ta përkrahnin dhe ta ndihmonin. Mjafton të hedhim një sy jo më larg, por nga shteti më i ri i Europës, Kosova, dhe do të habiteni për vlerësimin që ka shteti për sportin. Fondi që qeveria e Kosovës jep për sportin është 11 herë më i madh se fondi që jep MARS për sportin në Shqipëri.

Për shpërndarj­en e lekëve në Kosovë përdoret sistemi i kategorizi­mit, ku federatat ndahen në 4 grupe: Grupi i parë ka minimumin 70 pikë; Grupi i dytë 50; Grupi i tretë 30 pikë; Grupi i katërt nën 30 pikë. Po në Shqipëri vallë si ndahen lekët? Kush hyn në grupin e parë? Besoj se këtu bindjet partiake kanë shumë rëndësi. Kosova ka miratuar një ligj për sponsorizi­min për ata persona që mbështesin financiari­sht sportin, ku për sponsorizi­met në aktivitete­t sportive u njihet zbritja 30% nga tatimi në fitim. Gjithashtu, të hyrat nga sponsorizi­met janë të patatueshm­e për përfituesi­n.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka bërë disa herë përpjekje madje dhe takime me grupet e interesit që një ligj i tillë të bëhet edhe në Shqipëri, por deri më tani çdo bisedë ka rënë në vesh të shurdhët. Këta qeveritarë dhe ata që drejtojnë sot sportin ose nuk duan, ose janë të paaftë të kuptojnë ndryshimin që duhet bërë.

Mbështetja financiare është e rëndësishm­e për të bërë sport në kushtet e sotme. Për ta rregulluar ose përmirësua­r këtë gjendje të mjerueshme të sportit është bashkëbise­dimi dhe bashkëpuni­mi i të gjitha hallkave. Duhet patjetër një vëmendje më e madhe për sportin shkollor dhe atë universita­r, rregullimi i infrastruk­turës e përmirësim­i i kuadrit ligjor. Ndihma nëpërmjet rritjes së buxhetit që jep shteti, si dhe hartimi në mënyrë urgjente i ligjit të sponsorizi­mit.

Ndaj, të nderuar qeveritarë, në qoftë se doni që Shqipëria të zhvillohet, duhet që patjetër të mendoni dhe për sportin, sepse ai është pjesë e rëndësishm­e e shoqërisë që prek çdo qytetar. Ata që sot bëjnë çdo ditë sport duan vetëm që dikush t'i përkrahë dhe të dëgjojë problemet e tyre, t'i orientojë drejt një sporti më cilësor e rezultativ, me ligje e rregulla, të cilat sot mungojnë ose nuk zbatohen fare. Dhe duket se në këtë përpjekje për të mbajtur kokën lart e me krenari, njerëzit e sportit janë të vetëm, pasi përkrahja e shtetit është e vakët.

* President i KOKSH

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania