Panorama Sport (Albania)

Partizani-Kastrioti, prova teknike për të shtunën

Hebaj, Mensah e Çinari vulosin kualifikim­in për “demat”

- ILIR CARA

Ndeshja e kthimit e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë mes Partizanit dhe Kastriotit është kthyer në një përballje stërvitore për të dyja ekipet, pasi fitorja 4-2 e të kuqve, para dy javësh në transfertë, duket se e kishte vendosur fatin e kualifikue­sit. Të kuqtë e fituan 3-0 takimin e djeshëm të luajtur në “Selman Stërmasi”, me gola të Hebajt, Mensahs dhe Çinarit. Por më herët, në minutën e 8-të Ibrahimi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, gjuajtje, e cila u ndal nga portieri i Kastriotit, Amarildo Çekrezi. Të dyja ekipet zbritën me ndryshime të dukshme në formacion, duke i kursyer titullarët për duelin e përbashkët që Partizani e Kastrioti kanë të shtunën për javën e 21-të të kampionati­t. Provat teknike në duelin e Kupës i pranuan të dy trajnerit pas ndeshjes, ku Bledar Devolli e quajti stërvitje të mirë me grupin e dytë të Kastriotit. Por si Gega, edhe Devolli kanë paralajmër­uar se të shtunën do të jetë ndryshe, pasi skuadrat priten të shpalosin arsenalin e tyre më të mirë për të fituar.

TAKIMI- Shumë debutime pati në ndeshjen e djeshme nga të dyja ekipet, ku te Partizani luajti për herë të parë 18-vjeçari Besnik Ferati, i cili bëri një paraqitje pozitive. Në pjesën e dytë u aktivizua edhe Kevin Mombilo, i cili debutimin e bëri si mbrojtës i djathtë. Ndërsa Kastrioti u besoi rezervave dhe prurjeve të merkatos së dimrit. Risia tjetër ishte shiriti i kapitenit te të kuqtë, i cili u mbajt nga mbrojtësi Renaldo Kalari. Partizani e dominoi totalisht takimin, i cili u vendos nga tri prurje të verës, nga të cilët pritet shumë, por që nuk kanë pasur shumë minuta në pjesën e parë të sezonit, Hebaj, Mensah dhe Çinari. Të tre dhanë sinjale pozitive për vazhdimësi­në. Në minutën e tetë Ibrahimi humbi mundësi për të shënuar nga pika e bardhë e penalltisë. Krutanët patën një mundësi shënimi në minutën e 30-të, por rezistenca e tyre bie në minutën e 34-t, ku Hebaj zhbllokoi rezultatin. 1-0 mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta nis me nga një zëvendësim për të dyja skuadrat. Në këtë fraksion loja u luajt në gjysmëfush­ën e Kastriotit, i cili për 45 minuta nuk ndërmori asnjë aksion drejt portës së Partizanit, duke e lënë portierin Xhika spektator në mot të ftohtë. Në minutën e 36-të Mensah finalizon asistin e Hebajt, ndërsa pesë minuta më pas Çinari shënon dhe vulos shifrat në 3-0. Skema e Kupës duket favorizues­e për të kuqtë, të cilët në turin e tretë ballafaqoh­en me Luftëtarin, ku takimi i parë do të luhet në kryeqytet.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania