Panorama Sport (Albania)

Shtohen borxhet, Neziraj fiton 15 mijë € në gjyq

Edhe pse u largua me mirëkuptim, kurrë nuk i shlyen rrogat

-

ERMAL SIKA

Nuk kanë fund gjyqet te Flamurtari. Vetëm një ditë pasi u zbulua se Ernest Gjoka fitoi të drejtën për të marrë 26 mijë euro me vendim të Dhomës së Zgjidhjes së Konfliktev­e, tashmë listës së gjatë të debiteve u shtohet edhe një ish-lojtar. Bëhet fjalë për Haxhi Nezirajn. Mesfushori me tipare sulmuese ka fituar të drejtën për të marrë nga klubi 15 mijë euro për rroga të palikuidua­ra. Kujtojmë se kosovari ishte pjesë e kuqezinjve në sezonin 2017-2018 dhe më pas u transferua te Drita e Gjilanit. Por “divorci” nuk u kalua pa pasoja, pasi ai e paditi ish-klubin për disa rroga të marra në kohën kur luante në Vlorë. E ndërsa vendosi që të largohej me mirëkuptim­in e drejtuesve dhe mori premtimin se do të paguhej, kjo gjë nuk ndodhi kurrë. I vendosur para kësaj situate, ish-lojtari ndoqi rrugën ligjore dhe e çoi në gjyq Flamurtari­n. Tashmë vlonjatët janë të detyruar që të depozitojn­ë në llogarinë e lojtarit një shumë prej 15 mijë eurosh. Kujtojmë se kontrata i mbaronte në majin e 2018-ës, por u largua që në janar.

“DIVORCI” - Erdhi me bujë te Flamurtari, por u largua pa mbyllur sezonin. Madje, vlonjatët i bënë dalje në mënyrë aspak të hijshme. Mesfushori i ardhur nga Luzerna dhe me një CV realisht të pasur, doli shumë shpejt jashtë planeve të ish-trajnerit Shpëtim Duro. Në një kohë që ekipi ishte grumbullua­r në Antalia, Neziraj u detyrua që të stërvitej me ekipin e të rinjve të Flamurtari­t. Asokohe për “Panorama Sport” edhe Sinan Idrizi deklaronte se kosovari duhej të largohej, pasi nuk ishte në nderin e mesfushori­t që të stërvitet me ekipin e të rinjve. “Neziraj ka qenë një djalë me të vërtetë realist, i civilizuar, i mirë dhe korrekt. Ideja është që një djalë, i cili vjen nga Zvicra dhe trajneri nuk e ka në planet e tij, nëse ai do të vazhdojë të qëndrojë në Vlorë sa për të marrë rrogën është problemi i tij. Unë do të respektoj kontratën. Por nuk i bën mirë atij dhe figurës që përfaqëson që të stërvitet me ekipin e të rinjve sa për të marrë ato para. E përsëris, klubi i qëndron çdo lloj detyrimi që ka ndaj tij. Unë nuk kam pse t’i kërkoj largimin në mënyrë të drejtpërdr­ejtë. Trajneri nuk e ka në plane, nuk e ka marrë as në Antalia. Është një djalë shumë i mirë, por nuk është në planet e ekipit. Kontrata e tij është deri në fund të majit, por nuk është në dinjitetin e tij që të qëndrojë në Vlorë, në një kohë që trajneri nuk e ka në plane”, deklaronte numri një i klubit. Sakaq, vetë Haxhi Nezeriaj në atë periudhë për gazetën pati thënë: “Për momentin, trajneri Duro nuk më ka në planet e tij. Në këto kushte unë po stërvitem me të rinjtë. Nuk dua të flas për situatën, në të cilën unë ndodhen aktualisht dhe që stërvitem me ekipin e të rinjve. Nuk e di pse trajneri ka marrë këtë vendim. Nuk më ka dhënë arsye, më ka thënë që nuk jam në planet e tij. Nuk kam debatuar fare me trajnerin, as fjalën nuk ia kam kthyer, kam qenë nën urdhrat e tij dhe kam respektuar çdo vendim. Nuk dua ta komentoj më tej këtë gjë”.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania