Panorama Sport (Albania)

I mundi Egnatia, Turbina tërhiqet për 5 minuta nga fusha

Një penallti sjell revoltën e ekipit cërrikas

- Mariglen Miraka

Tension në Cërrik. Egnatia fiton dhe siguron një vend në pesëshen e parë, ndërsa Turbina “gozhdohet” në fund të tabelës. Ky 90-minutësh ka qenë më shumë se i luftuar dhe kjo duket qartë prej 9 të verdhëve të dhënë. Por më shumë se kartonët, ajo që ra në sy ishte revolta e vendësve që braktisën fushën pas një penalltie që morën kundër. NDESHJA – Loja nis me vendësit në sulm, por përpjekjet e tyre hasin “bllokadën” e mbrojtjes mike. Do të vinte minuta e 19-të që situata të merrte të tatëpjetën. Një nga lojtarët rrogozhina­s rrëzohet në zonë dhe gjyqtari Stefi akordon 11-metërsh. Te Turbina protestojn­ë të gjithë, aq sa stafi teknik dhe presidenti Gentjan Gjoka u kanë kërkuar futbollist­ëve të tërhiqen. E megjithatë, revolta zgjat vetëm 5 minuta. Lojtarët kanë hyrë në fushë për të vazhduar lojën dhe Dimo nga pika e bardhë shënon në minutën e 24-t. Vendësit nuk pajtohen me rezultatin 0-1 dhe kanë kërkuar menjëherë të barazojnë. Në minutën e 31-të, Bakiu jep një top për Sallakun, që përballë portierit Haremi shënon dhe barazon. Ky gol ka çliruar disi cërrikasit, që hidhen në sulm, por nuk janë efikas në gjuajtjet në drejtim të portës mike. Minuta e 38-të dhe Bërdufi pasi shmang një mbrojtës pengohet, kryesori Stefi vazhdon lojën, sepse sipas tij nuk ishte penallti. Protestojn­ë lojtarët e Turbinës, por dhe stafi drejtues bashkë me stolin. Në minutën e katërt shtesë të këtij fraksioni, Rexhepi i Egnatias në hyrje të zonës gjuan diagonal dhe mposht portierin vendës të Turbinës, Hasanbelli­un. Pjesa e dytë fillon mirë për Turbinën, që shihet edhe tepër e nervozuar. Në minutën e 56-të Sallaku pengohet në zonë, por gjyqtari vazhdon lojën, ndërsa drejtuesit ankohen te vëzhguesi dhe delegati. Vazhdojnë sulmet vendëse, por Çutra dhe Bërdufi nuk kanë shënjestër në të 62-ën dhe 77ën. Miqtë mund të shënonin golin e “nokautit” dy minuta para fundit, por Canka nuk tregohet i saktë përpara portierit mik. Koha e mbetur nuk ka sjellë asgjë dhe cërrikasit siglojnë humbjen e tretë rresht për 2019-ën. Në fund të takimit, drejtuesit e Turbinës kanë protestuar ndaj vlonjatit Altin Stefi.

 ??  ?? Momenti i tërheqjes së Turbinës
Momenti i tërheqjes së Turbinës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania