Panorama Sport (Albania)

Burreli shfryn ndaj Veleçikut, Ajazi është i papërmbajt­shëm

- Dritan Kurti

Burreli “shfryn” ndaj Veleçikut. Të besuarit e Elvis Plorit kanë marrë një trepikësh të artë falë fitores së thellë 5-2. Dhe duhet thënë që “ylli” i ndeshjes ishte pikërisht Spartak Ajazi, që mban firmën e një triplete. Sakaq, golat e tjerë u realizuan prej Rahovës dhe Kurbneshit. Në kampin tjetër ishte Ditmir Ujkaj që realizoi një dygolësh, një prej të cilit nga pika e bardhë e penalltisë. NDESHJA - Sinjali i parë u takon pikërisht vendësve, që rrezikuan me gjuajtjen e Lekajt, por reagimi i portieri Verdha ishte i duhuri. Dy minuta më vonë tentoi Ajazi dhe ia doli me sukses, duke zhbllokuar shifrat në 1-0. Në të 26-ën, sulmuesi i Burrelit mund të kishte shënuar sërish, por topi kalon ngjitur vetëm me shtyllën e djathtë. E megjithatë, të njëjtin gabim nuk e bën në të 32-ën, teksa dyfishon rezultatin në 2-0. Në të 39ën reagojnë koplikasit me atë të Lamit, por goditja e tij gati perfekte nga goditja e dënimit, stampohet vetëm në shtyllë. Kjo ishte mundësia e vetme e miqve për këtë fraksione loje. Katër minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Rahova shfrytëzon më së miri pasimin e Kurbneshit dhe i gjendur i vetëm përballë portierit, nuk fal dhe 3-0. Në minutën e 58-të është Ujkaj që ngushton shifrat për Veleçikun, ndërsa shënon nga një goditje dënimi. Topi i harkuar nuk pengohet nga askush dhe përfundon në rrjetë. Por rezultati 3-1 nuk do të zgjaste shumë, pasi vetëm në të 61-tën Ajazi shënon golin e tretë personal dhe të katërtin për Burrelin. Por nuk mbaron me kaq, pasi vendësit në të 76-ën i vendosin “vulën” serisë së golave me anë të Kurbneshit. Atëherë kur gjithçka mendohej se kishte përfunduar 5-1, një dalje e gabuar e portierit të Burrelit, Vuksanoviç­it, sipas gjyqtarit kryesor ishte penallti. Gjuajtja i besohet Ujkajt, i cili nuk gabon. Në minutën e dytë shtesë, koplikasit shënojnë golin e dytë dhe gjithçka mbyllet në shifrat 5-2. PLORI - Elvis Plori u shpreh tejet i kënaqur për fitoren, ndërsa pas ndeshjes trajneri i Burrelit tha: “Ndeshjen e kishim vlerësuar maksimalis­ht. Na eci mbarë, pasi e mbyllëm pjesën e parë me rezultatin 2-0. Sa i përket Veleçikut, mund të them se ishte pak i dehur nga suksesi me Erzenin dhe erdhi shumë butë në këtë ndeshje. Jam plotësisht i bindur që arbitrimi nuk ndikoi aspak te golat, pasi u shënuan plot pesë të tillë”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania