Panorama Sport (Albania)

Rinovimi i Riberisë, Rumenige i jep pak shanse francezit

"Ka dhënë shumë për ekipin, por duhen ndryshime"

-

Eardhmja e Frank Riberisë në skuadrën e Bajernit të Mynihut është ende e paqartë. Por Karl Hainc Rumenige lë hapur gjithçka, duke treguar për objektivin që ka klubi me lojtarin. "Kemi kaluar vite plot suksese me Riberinë, kam një respekt të madh për të. Duhet të jemi të hapur dhe të sinqertë me të. Së shpejti do të ulemi së bashku me këshilltar­in e tij dhe do të marrim një vendim të përbashkët në lidhje me rinovimin. Nuk mund t'ju them se si do të shkojë kjo bisedë", ishin fjalët e Rumeniges pas ndeshjes ndaj Augsburgut.

Ai paralajmër­oi se në verë do të hidhet hapi i dytë drejt reformimit të skuadrës. "Nuk mendoj që duhet të merakosemi shumë për të ardhmen. Jemi duke punuar për të ndërtuar sërish një skuadër të madhe", tha ish-lojtari i kombëtares së Gjermanisë. Ndërkohë, vetëm para dy ditësh në një intervistë për gazetën sportive "L'Equipe", Riberi foli në lidhje me të ardhmen e tij në Mynih. "Do të shohim se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme", u shpreh francezi për takimin me drejtuesit e Bajernit. Ai siguroi që biseda do të jetë e hapur dhe do të pranonte çdo vendim të klubit më të titulluar në Gjermani. "Do të vazhdoj të luaj për Bajernin nëse jam në gjendje t'u jap gjithçka atyre". Kontrata e 35-vjeçarit skadon në fund të sezonit. Ndryshe nga Arjen Roben, që deklaroi se nuk do ta vazhdojë më aventurën në Mynih, Riberi është shumë i lidhur pas klubit, edhe pse më i madh në moshë se holandezi. Të dy lojtarët kanë qenë prej vitesh një armë e fortë e skuadrës bavareze, duke fituar shumë tituj. Por tani mosha është armiku i tyre më i madh. Holandezi nuk luan që prej vitit të kaluar, duke vuajtur një dëmtim në shpinë. Ai ka ndërprerë disa herë stërvitjen në javën e kaluar dhe ka shtuar dyshimet për një tërheqje të parakohshm­e nga futbolli. E ardhmja e tij është larg Mynihut. Holanda dhe Kina janë destinacio­net e mundshme nëse arrin të rikuperohe­t nga dëmtimi. Ndërkohë, Riberi mund të rikthehet në Francë nëse nuk bie dakord për një rinovim me drejtuesit bavarezë. Kingslei Koman, Serge Gnabri dhe Alfons Dejvis shihen si e ardhmja në klubin gjerman, që kërkon gjithashtu të marrë shërbimet e talentit anglez Hodson Odoi, i cili luan për skuadrën e Çelsit në Premier Ligë. 19-vjeçari ishte planifikua­r të vinte në janar, por klubi anglez refuzoi disa herë ofertat e Bajernit, duke bërë që lojtari të qëndrojë të paktën edhe për gjashtë muaj në Londër.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania