Panorama Sport (Albania)

Tomori bojkoton: E çojmë në KAS

Ballshiotë­t presin fitoren 3-0 në tavolinë, beratasit: Është një sistem i kalbur

- ERJON SALIU ERIS SYLYKU

Tomori mban fjalën dhe bojkoton ndeshjen që duhej të luante dje në Ballsh ndaj Bylisit. Beratasit në shenjë proteste të dënimit të tyre nga komisionet juridike të FSHF-së me humbjen 3-0 në tavolinë të ndeshjes me Apoloninë dhe katër takime pa tifozë në fushë asnjanëse, dje vendosën që të mos udhëtonin në Ballsh. Nga ana tjetër, vendësit kishin marrë të gjitha masat për zhvillimin e ndeshjes normalisht. Bylisi mbërriti dy orë para në stadium, ndërsa nuk ndodhi me beratasit. Skuadra ballshiote doli në nxehmje bashkë edhe me gjyqtarët, ndërkohë që kur arbitrat kërkonin për plotësimin e protokolle­ve, beratasit nuk po dukeshin. Në orën 14:00 është pritur që skuadrat të hyjnë në fushë, por ka qenë vetëm Bylisi. Zyrtarët e FSHF-së dhe gjyqtarët kanë respektuar rregullore­n duke pritur edhe 45 minuta, por beratasit nuk kanë ardhur. Në këto kushte, Bylis ka hyrë në fushë dhe kryesori Indrit Myrtja ka vërshëllye­r tri herë duke deklaruar edhe përfundimi­n e ndeshjes. Tashmë, pritet që Bylis të fitojë 3-0 në tavolinë, ndërsa Tomorit t’i hiqen edhe tri pikë nga klasifikim­i.

REAGIMI - Duket se lufta ndërmjet Tomorit dhe FSHF-së nuk ka për të përfunduar paq. Drejtuesit e skuadrës beratase kanë vendosur të apelojë dënimin e Komisionit të Disiplinës së Federatës në KAS-in e Lozanës. Bashkia e Beratit, që ka edhe pronësinë e klubit, pritet të vendosë një buxhet ekstra duke e çuar këtë çështje deri në fund. Në një deklaratë ekskluzive për “Panorama Sport”, klubi i Tomorit deklaron: “Kjo çështje do të përfundojë keq për ata që kërkuan të dëmtonin imazhin tonë. Ndonëse nuk ka ndodhur kurrë më parë me një skuadër të inferiores, por nuk mund të tolerojmë më. Kudo që kemi shkuar, e kemi merituar rezultatin e marrë dhe gjithçka e kemi bërë me forcat tona. Ato çfarë shpikën dhe morën dy protagonis­tët Haxhija-Halo do t’iu dalin nga hundët. Sakaq, vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Apelit nuk bënë gjë tjetër, veçse ia rënduan më shumë barrën vetes së tyre dhe tani duhet të presin vendimet e instancave më të larta. Në Shqipëri kemi të bëjmë me amatorë dhe kjo është për të ardhur keq. Ky vendim na ka sjellë dëme të paimagjinu­eshme financiare dhe ato do t’i marrim mbrapsht nga iniciatorë­t që thurën këtë plan. E themi që kemi të bëjmë me një sistem sportiv të korruptuar dhe të gjitha këto deklarata i shoqërojmë me fakte. Paçka se një shumicë e klubeve në Shqipëri e di mirë sistemin e futbollit, por që janë të ndrojtur të dalin hapur. Sot(dje) demonstrua­m mënyrën më të mirë të reagimit pas atij vendimi qesharak dhe të mirëmendua­r, duke bojkotuar ndeshjen kundër Bylisit. Kemi pasur edhe telefonata që na është raportuar se do të ndëshkohem­i sërish. Nuk trembemi, sot (dje) treguam atë që meriton ky sistem i kalbur. Nuk kemi pse bëjmë një sy qorr dhe një vesh shurdh, se i do qejfi FSHF-së dhe presidenti­t të Apolonisë, Koço Kokëdhima. Ka mënyra më të sofistikua­ra për të gjetur drejtësinë. Pavarësish­t këtij vendimi të ‘fëlliqur’ të marrë në dëmin tonë, e publikojmë zyrtarisht që kjo çështje do të ndiqet në instanca më të larta. Jemi të sigurt që e drejta e mohuar nga Disiplina dhe Apeli do të fitohet në CAS nga klubi ynë, pasi kemi monitorimi­n e kamerave të stadiumit, 24 në 24 orë”, thuhet fillimisht në reagimin e klubit.

APELIMI - “Kemi nisur menjëherë përgatitje­t e dokumentac­ioneve nga një grup shumë i njohur i specializu­ar i avokatëve, në mënyrë që të paraqesim mbrojtjen tonë në Gjykatën e Arbitrazhi­t në Lozanë. Nuk do të dorëzohemi dhe sigurisht nuk do të heqim dorë nga e drejta absolute e mohuar padrejtësi­sht. Bashkia Berat ka menduar të vendosë një buxhet ekstra për ndjekjen e kësaj çështjeje, teksa duhen falënderua­r edhe disa donatorë që po kontribuoj­në në lidhje me këtë situatë. Në fundjavë rikthehemi në fushë” u tha dje për gazetën “Panorama Sport”.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania