Panorama Sport (Albania)

Roben: “Anfield” është i frikshëm

"Klopin nuk e njoh, Guardiola më i miri në qarkullim. Ndoshta do kthehem në Angli"

- Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Në Francë kanë një shprehje për të: "Le Robben". Kështu e quajnë edhe në Holandë dhe Gjermani, ku ajo lloj lëvizjeje mban emrin e njeriut që e ka perfeksion­uar atë. E dini manovrën, duhet ta keni parë me qindra herë kur holandezi sulmon mbrojtësin e krahut, spostohet në qendër dhe shkarkon të majtën e tij. Sot ai është 35 vjeç dhe mbrojtësit e kanë parë ta bëjë këtë për 19 vite dhe ende nuk e kanë zbuluar mënyrën për ta ndalur. "Jo", thotë Arjen me vetëkënaqë­si gjatë një interviste për "Daily Mail". "Po gjete kohën e duhur, ata surprizohe­n ende. Koha është çelësi, gjithmonë. Gruaja ime më thotë ndonjëherë se duhet të jem shumë krenar për këtë, sepse njerëzit e cilësojnë si lëvizjen time, e kam bërë prej vitesh dhe është ende e suksesshme".

A ishte i vështirë vendimi për ta lënë Bajernin pas këtyre 10 viteve?

Ishte një hap i rëndësishë­m të largohesha pas një dekade nga një klub i shkëlqyer. U çlirova pasi e mora vendimin dhe e bëra publik. Vendimi i parë u mor, tani do vijë i dyti.

Por nuk jeni më i ri, jeni 35 vjeç. Mendoni të nisni karrierën e trajnerit?

Jo, jo, ende jo. Luaj ende dhe nuk e di për sa kohë akoma, por e kam thënë gjithnjë se për sa kohë ta shijoj dhe fizikisht të më lejojë që të luaj në nivelin që dua, atëherë do të vazhdoj. Por jam gjithashtu kurioz të shoh ku do të jem vitin e ardhshëm. Presidenti ynë thotë gjithmonë se nuk ka lojtarë të vjetër apo të rinj, por të mirë dhe të dobët. Nuk jam më i ri, jo në futboll të paktën. Por jam ende atje, luaj si mesfushor krahu në një prej klubeve më të mëdha të Europës dhe është diçka goxha speciale, prandaj duhet ta shijoj deri në fund.

Dhe ku do të jetë e ardhmja juaj?

Jam kurioz ta shoh ku do jem. Ndoshta në Angli, ndoshta në Spanjë apo diku tjetër, mund të jetë kudo. Të shohim.

Në Angli, atje ku do shkoni shumë shpejt në "Anfield"...

Nëse më pyesni se cili është stadiumi më i frikshëm për mua, është ndoshta ai i Liverpulit. Ke gjithnjë një rival të preferuar dhe një të frikshëm. Duhet të jemi shumë të fortë dhe të përqendrua­r. Nuk kemi më shumë djem të rinj. Kemi një skuadër me shumë përvojë. Të gjithë e dinë atmosferën që krijohet në "Anfield", që ndoshta është më e bukura në Europë. Kështu që është diçka që duhet të bëjmë kujdes. Por mendoj se jemi mësuar të luajmë në stadiume të tilla. Në këto ndeshje të mëdha nuk ka shumë sekrete. Vendosin detajet e vogla dhe cili është në formën më të mirë atë ditë.

Çfarë mendoni për Jyrgen Klopin?

Duhet të punosh me të për të thënë diçka. Sigurisht që duke e parë nga jashtë sheh se sa pasionant është për futbollin. Ai ka qenë i suksesshëm te Borusia e Dortmundit dhe është edhe tani te Liverpuli.

Keni punuar me Murinjon dhe Guardiolën gjatë karrierës suaj. Kë do zgjidhnit?

Kemi pasur disa menaxherë shumë të mirë këtu në klub. Kur e nisa këtu me Guardiolën, për shembull, i cili për mua është trajneri më i mirë në qarkullim për momentin, unë isha 29 vjeç. Dhe normalisht mendon se nuk ke më çfarë të përmirësos­h. Por, me të unë u bëra më i fortë dhe bëra disa hapa të vegjël për të përmirësua­r detajet. Ai është një njeri special sa i përket taktikës. E dashuron futbollin. Gjithashtu, ai dashuron të ketë edhe topin. Nuk i pëlqen të vraposh pas tij. Është interesant­e sesi jeton dhe merr frymë futbolli për 24 orë në ditë. E kam të vështirë të zgjedh se cila ishte periudha më e mirë e karrierës sime, por atë me të e kam shijuar me të vërtetë. Ishte viti me të pas Botërorit, ku ne nuk fituam Champions-in. Murinjo ishte një trajner i shkëlqyer, i cili bëri shumë që shpirti i skuadrës të bashkohej dhe te Çelsi ishte hera e parë që klubi fitoi titullin pas 50 vitesh. Për mua ishte një hap i madh përpara, sepse isha 20 vjeç. Ishte hera e parë që dilja jashtë Holandës.

Kur ktheni kokën pas, jeni i kënaqur për atë çka keni arritur?

Nuk është vetëm futbolli që kë ma dhënë kënaqësinë e madhe në jetë. Janë ndoshta edhe detajet më personale. Tifozët që vijnë të të takojnë në supermarke­t dhe të bëjnë një kompliment. Mënyra sesi të shohin si njeri. Mendoj se kjo më bën më shumë krenar sesa për atë që jam si futbollist, shpresoj që njerëzit ta kenë shijuar. Unë nuk mund të bëj më shumë. Ky është ai që jam.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania