Panorama Sport (Albania)

Kobina vijon shkëlqimin, Mema vë në provë “stolin”

Stërvitja post-Luftëtari, mesfushori ganez realizon dopietë

- OLSI TUJANI

Tirana nuk ia doli që të marrë më shumë sesa një barazim ndaj Luftëtarit, por për bardheblut­ë ecuria e vitit 2019 është si e një skuadre që synon titullin. Ende pa humbje në katër ndeshje, dy prej të cilave me ekipe që synojnë titullin dhe dy të tjera me ekipet në gjysmën e dytë të renditjes, është një statistikë kokëfortë që tregon se të besuarit e Memës kanë reflektuar gjatë periudhës së pushimit dimëror. Dje, temperatur­at e larta në kryeqytet sollën edhe rikthimin e skuadrës bardheblu në fushën me bar natyral në kompleksin stërvitor "Skënder Halili". Me humor të mirë dhe duke biseduar me njëri-tjetrin, futbollist­ët bardheblu kanë pritur në fushë për nisjen e seancës stërvitore. Disa prej lojtarëve me xhinse dhe veshje jo për stërvitje, pas lejes së marrë nga stafi mjekësor dhe trajneri. Të tjerët, me uniformën stërvitore. Në 13:35, trajneri Mema dhe asistentët e tij dalin në fushë dhe të gjithë formojnë gjysmërret­hin. Është koha e... analizës.

ANALIZA

Për gati dhjetë minuta, tekniku bardheblu ka sqaruar gjithçka ka ndodhur në takimin ndaj Luftëtarit. Gabime kishte shumë. Sjellje të pahijshme, mosrespekt­im i detyrave taktike, formë jo e mirë. Gjithsesi, perla e Kobina dhe ecuria e deritanish­me nuk lënë vend për ta bërë dramë. Mema këshillon, kritikon dhe sheshon gjithçka duhej për atë 90-minutësh. Në fund, shpjegim për stërvitjen dhe fokusi në... Korçë.

Ndryshe nga çdo ditë tjetër stërvitore, e djeshmja, sipas një ndeshjeje të zhvilluar, e ndan skuadrën në dy grupe. Titullarët Karabeci, Kërçiku, Hasani, Turtulli, Abibi, Greca dhe Veriu nga skuadra e të rinjve marrin instruksio­net e trajnerit Mema për programin stërvitor. Disa xhiro vrap rreth fushës, më tej ushtrimet e tokës me trajnerin Mema dhe më tej vrapim sërish rreth fushës. Program i mirëllogar­itur për rigjenerim­in e muskujve. Pjesa tjetër, nën drejtimin e ndihmëstra­jnerit Xhafa dhe përgatitës­it Bekteshi nisin programin për stërvitje të plotë. Nxehje, ushtrime me top, vrapime dhe pak minuta lojë në hapësirë të kufizuar në fushë.

TRAJNERI

Mema ka ditën e tij më pak të ngarkuar. Pasi mbaroi ushtrimet e tokës me titullarët ndaj Luftëtarit, u ul në pankinë duke ndjekur të gjithë lojtarët në fushë, ndërsa asistentët e tij po drejtonin "lojtarët e stolit". Pak minuta qetësi, reflektim dhe vëzhgim për të gjithë.

NDESHJA

Kobina e nis në stërvitje aty ku e la ndaj Luftëtarit. Me gol dhe formë të mirë. Pjesa e futbollist­ëve që nuk kishin marrë minutazh mjaftueshë­m ndaj Luftëtarit, pasi morën ngarkesën stërvitore, u ndanë në dy grupe për të luajtur futboll. Gentjan Muça, Cake, Halili, Kobina dhe Maveje përbënin njërën skuadër dhe ia dolën të triumfojnë ndaj ekipit tjetër me Dokën, Goxhajn, Atingën, Qilimin dhe të riun Dingu. Ky i fundit, edhe pse me dopietë dhe disa asiste, nuk mjaftoi për skuadrën që të dilte fituese në një lojë që zgjati rreth 10 minuta. Dy gola, vlera e të cilëve amplifikoh­et duke qenë se përballë kishte portierin Ilion Lika.

SUPER-KOBINA

Ishte Kobina që vijoi të bëjë diferencën. Një gol që në fillim me të majtën tregoi edhe një herë se mesfushori po nis të gjejë formën e tij më të mirë. Më tej ishin Cake, Maveje dhe Muça që realizuan. Me kalimin e minutave, Kobina realizoi dopietë dhe u ndoq gjithashtu nga Maveje. Gjashtë gola për të dalë triumfator­ë nga kjo mini-ndeshje, ndërkohë që në ekipin tjetër Dingu shënoi dy herë dhe së bashku me golat e Dokës dhe Qilimit nuk bënë dot më tepër. Në fund, këpucët e rënduara me baltë përplasen në pjesën e betonit përpara futjes në dhomat e zhveshjes dhe seanca mbaron me kaq në orën 15:10.

"SKËNDER HALILI"

Në fund, parkingu i "Skënder Halilit" nis të boshatiset nga makinat, për t'u lënë vend të tjerave që vijnë pasdite. Janë prindërit e fëmijëve dhe futbollist­ëve të akademisë, që sjellin dhe presin të ardhmen bardheblu, për t'u bashkuar edhe ata me ekipin e parë. Nga sot, Mema me të tijtë do të nisë punën për transfertë­n në Korçë ndaj Skënderbeu­t, ndërkohë që qartësisht vihet re se skuadra ndjek trajnerin dhe te bardheblut­ë është kthyer harmonia perfekte.

 ??  ??
 ??  ?? Uinful Kobina
Uinful Kobina

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania