Panorama Sport (Albania)

Kalaja: Kastrioti është super me Devollin

Flet mesfushori i huazuar nga Kukësi: U habita me ambientin që gjeta, meritë e trajnerit

- Bujar Balliu

Kastrioti po përgatitet për përballjen e radhës ndaj Laçit, takim që do të zhvillohet të dielën në stadiumin "Niko Dovana" në Durrës. Krutanët e kanë nisur 2019-ën me një marsh tjetër nga ai i dy fazave të para të kampionati­t, ku në katër javë kanë arritur të marrin tri fitore. Pjesë e këtij suksesi janë edhe afrimet e janarit dhe njëri prej tyre është shkodrani Arlind Kalaja, i cili u afrua te Kastrioti në formë huazimi nga Kukësi. Ai është përshtatur mjaft mirë me skuadrën dhe tashmë ka zënë vendin e tij në formacion. Në një prononcim për "Panorama Sport", Kalaja flet për përshtatje­n e shpejtë me grupin, takimin e radhës me Laçin, por edhe për rivaliteti­n me skuadrat e fundtabelë­s. "Kam gjetur një ambient të mirë. Madje jam habitur për atë që gjeta këtu. Janë të gjithë lojtarë të rinj që punojnë me shumë dëshirë. Edhe trajneri ka krijuar një atmosferë shumë të mirë në ekip, e cila realisht më pëlqen shumë", deklaroi fillimisht Kalaja. Më pas ai foli për momentin e mirë që po kalon skuadra. "Normalisht, tri fitore kanë ndryshuar komplet rrjedhën e ngjarjeve. Prej një ekipi që të gjithë e konsideron­in të rënë, tani jemi një skuadër që në çdo ndeshje po na rritet uria dhe kërkojmë në çdo takim të marrim maksimumin", ka thënë shkodrani, i cili në fund foli për sfidën e radhës me Laçin dhe luftën për mbijetesë. "Është një përballje relativish­t e vështirë, e dimë futbollin që zhvillon skuadra e Laçit. Edhe ata janë çuna të rinj dhe bëjnë një futboll agresiv. Por objektivi ynë dihet, do të futemi në ndeshje për të marrë maksimumin. Shpresoj që t'ia dalim me sukses. Sa i përket synimit që kemi, është mjaft i vështirë. Edhe pse fituam me Kamzën, nuk do të thotë se shpëtuam, pasi nëse kampionati do të mbyllej tani ne jemi automatiki­sht të rënë. Është pozitiv fakti që kemi marrë tri fitore në katër ndeshje, por ky është vetëm fillimi. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe me synimin për të grumbullua­r sa më shumë pikë", përfundoi titullari i Kastriotit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania