Panorama Sport (Albania)

Berluskoni: Milani s’më mungon, se kush jam e tregoj me Monzën

-

Silvio Berluskoni mbase nuk e ka harruar Milanin, por me siguri që nuk i mungon koha kur ishte president i klubit. Këtë e ka konfirmuar ai vetë në një intervistë për mikrofonat e televizion­it “La 7”, teksa ka sqaruar edhe pozicionin e tij: “Nuk më mungon as Milani e as darkat elegante të kohës kur isha presidenti. Deri disa kohë më parë, në fakt, darkat ishin një argëtim më vete, por më pas u shndërruan në raste për të ushqyer lajme negative rreth meje. Shpesh bisedat në ato mbrëmje janë shndërruar në shkas për lajme të pavërteta”. Nga Milani te Monza, presidenti i klubit në Serinë B i ka idetë e qartë për atë që pret nga skuadra dhe futbollist­ët e tij të rinj. “Sa i përket futbollit, tani kam marrë pronësinë e klubit të Monzës. Në krahun tim vijon të jetë Adriano Galiani, më të cilin dëshiroj të ndërtoj një skuadër model. Dua që të afroj në skuadër sa më shumë të rinj e sidomos italianë. Mundësisht të mos kenë mjekër, tatuazhe apo vathë”, sqaroi Berluskoni. Duke kaluar në detaje, tashmë ish-presidenti i Milanit sqaron edhe udhëzimet për futbollist­ët e Monzës: “Nëse shkaktojnë faull duhet t’i kërkojnë ndjesë rivalit dhe duhet të kenë shumë respekt për arbitrin. Kur të nënshkruaj­në autografe, dua që firma të jetë e qartë dhe emri të duket. Shqetësimi im më i madh si president është që skuadra ime të jetë shembull. Rënia nga kategoria apo ngjitja në Serinë A janë aspekte dytësore”.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania