Panorama Sport (Albania)

Golat, Ronaldo kurrë kaq dobët prej 10 vitesh

Ronaldo duhet të zgjohet ose lamtumirë “Topi i Artë”

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Kristiano Ronaldo, ku ke humbur? Pas mbrëmjes në “Vanda Metropolit­ano” janë të shumtë tifozët e Juventusit që pyesin veten se në çfarë drejtimi ka shkuar asi portugez, i cili u ble nga bardhezinj­të pikërisht për të bërë diferencën, mbi të gjitha në Champions, por që duke parë shifrat konkrete, 34-vjeçari po zhvillon në Europë sezonin e tij më të dobët, që kur u shenjtërua si “CR7”. Natën e së mërkurës, sulmuesi la zonën e gazetarëve të stadiumit madrilen duke përsëritur të njëjtin gjest që i drejtoi publikut të Atletikos në fushën e lojës, duke i treguar 5 gishtat atyre që e ofendonin: “Unë kam 5 Champions, Atletiko zero”, ishte kundërpërg­jigjja e tij kundrejt edhe ndonjë gazetari që ka dashur ta thumbojë. Kjo “shkreptimë” ka qenë edhe një reagim krenar pas zhgënjimit në fushën e lojës, sepse është e sigurt se edhe vetë Ronaldo nuk është i lumtur për rendimenti­n që ka pasur deri tani jashtë kufijve italianë (19 gola në Serinë A). Juventusi priste më shumë prej tij, por mbi të gjitha edhe vetë Kristiano do të kërkojë që të ndezë motorët sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse përveç objektivav­e me bardhezinj­të, ai ka “bastin” për të fituar me veten, të rikthehet që të jetë “Topi i Artë”, pasi u ndje i grabitur në sezonin e kaluar, teksa pa Luka Modriçin që ta fitonte këtë çmim.

NUMRA SHOKUES

Kanë kaluar 10 vite nga hera e fundit që CR7 kishte shënuar më pak sesa sivjet në Ligën e Kampionëve, pas 6 prezencash në fushë. Ishte viti 2009, ai luante sezonin e fundit me bluzën e Mançester Junajtid, përpara se të firmoste transferim­in e tij prej 94 milionë eurosh në radhët e Mançester Junajtid. Kristiano mbeti thatë në 6 ndeshjet e para në Europë dhe e mbylli atë edicion në kuotën e 4 golave, por duke humbur në finale përballë Barcelonës. Të agjëruarit në Champions pas 6 prezencash i kishte ndodhur edhe në sezonin 2006-2007, por ai ishte një tjetër Ronaldo kundrejt atij që të gjithë njohim, dhe jo vetëm sepse ishte shumë i ri, por edhe sepse roli i tij i parë te Junajtid ishte ai i mesfushori­t anësor. Por nëse shohim edhe më pranë, rendimenti aktual është mjaft i ngjashëm edhe me atë të sezonit 2016-2017, kur ishte pjesë e Realit të Madridit. Dy vite më parë, portugezi numëronte vetëm 2 gola pas 6 ndeshjesh, por atë vit jo vetëm që u ndez nga faza e 1/8-ave e në vazhdim, duke e mbyllur turneun me 12 gola, por në fund të tij ngriti në qiell edhe trofeun e Ligës së Kampionëve, i katërti në karrierë. Dhe mos është ky një ogur i mirë me shpresën se në ndeshjen e kthimit Juventusi do të përmbysë Atletikon? Presidenti Andrea Anjeli e shpreson këtë, i gjithë Juventusi dhe tifozët kanë nisur të luten për këtë, por në të njëjtën kohë edhe vetë Ronaldo po punon për këtë, pasi edhe ai vetë nuk ndihet i ngopur, por ndoshta ndien edhe peshën e investimit të “Zonjës së Vjetër”, të cilin kërkon që ta shpërblejë.

INVESTIMI

Është e qartë se Juventusi nuk u çmend papritur për të investuar 117 milionë euro për kartonin e Ronaldos për të fituar “vetëm” titullin. Me atë, bardhezinj­të presin shumë më shumë, sepse eliminimi që në 1/8-at nga Liga e Kampionëve do të krijonte jo pak probleme në librat kontabël të kampionëve të Italisë. Është gjithashtu e qartë se një eliminim i parakohshë­m nga Europa mund të detyronte klubin që të bënte edhe ndonjë sakrificë, pra të shiste ndonjë prej yjeve të Juves për të “drejtuar” bilancet, diçka që ndoshta mund të peshonte edhe në ndërgjegje­n e futbollist­it. Sigurisht, deri tani të gjithë zërat e faturimeve flasin për rritje të mëdha, falë “efektit Ronaldo”, duke nisur nga sponsorët e deri tek arkëtimet nga stadiumi, por investimi i bërë për Ronaldon (31 milionë euro neto në sezon) përbën gjithashtu një rrezik për Juventusin, ndaj të gjithë drejtuesit shpresojnë dhe bëjnë tifozllëk për eurozgjimi­n e portugezit. Fundja po flasim për CR7-ën! Nëse nuk beson te një fenomen si ai, te kush do besosh tjetër?!

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania