Panorama Sport (Albania)

Kimish: Guardiola më ndryshoi

-

24-vjeçari Joshua Kimish po luan sezonin e katërt me Bajernin e Mynihut. 156 ndeshje zyrtare me fanellën e kampionëve të Bundesligë­s ka zhvilluar mbrojtësi gjerman. Në një intervistë për "Franc Football" ai foli për ish-trajnerin e tij, Pep Guardiola dhe atë aktualin, Niko Kovaç. Spanjolli drejtoi skuadrën e Bajernit nga viti 2013 deri në 2016ën. Kimish arriti të luante një sezon me Pep, duke e cilësuar atë si një trajner të rëndësishë­m në karrierën e tij. "Me Pep e kam shijuar çdo stërvitje. Ai është një perfeksion­ist që merret gjithmonë me detajet duke mos ia lënë asnjë gjë rastësisë. Stërvitjet e tij ishin shumë intensive", u shpreh Kimish. "Ai është i dashuruar me futbollin e bukur dhe në aspektin personal më ka mësuar të luaj në shumë pozicione. Nën drejtimin tij kam bërë shumë hapa përpara, kam mësuar shumë për lojën, gjëra që nuk i dija më parë". Për lojtarin më të mirë me të cilin ka luajtur, Kimishit i vjen vetëm një emër në mendje: Ksavi Alonso. "Pasimet e tij ishin kirurgjika­le. Ai ishte shumë inspirues, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Ksavi është ndoshta lojtari më i fortë me të cilin kam luajtur. Ai e dinte gjithmonë se çfarë do të bënte me topin para se ta merrte atë. Ishte truri i skuadrës". Me Niko Kovaçin, Kimish e ka pasur jo të lehtë të tregojë aftësitë e tij, edhe pse është lojtari që ka dhënë më shumë asiste në Bundesligë. "Kemi vuajtur shumë në fazën e parë, ndryshimi i trajnerit është i vështirë për të gjithë. Duhet kohë për t'u përshtatur me sistemin e ri. Të presim edhe pak", përfundoi mbrojtësi. Në Mynih janë të shumtë ata që e krahasojnë me ish-kapitenin Filip Lahm, por Joshua ka ende shumë vite për të luajtur dhe që tani është shndërruar në një nga lojtarët më të mirë në Gjermani.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania