Panorama Sport (Albania)

Inter kompakt, tani lideri është Ivani

-

Sigurisht është shumë herët për të thënë nëse Interi ka gjetur shinat e duhura. Për konfirmimi­n duhet pritur sfida e së dielës me Fiorentinë­n, ku zikaltrit e Luçiano Spaletit do paraqiten me një qetësi të rifituar: kjo po. Në krahun tjetër pa Mauro Ikardin, i cili çdo sezon merr përsipër golat e skuadrës, paraqitjet interiste po shndërrohe­n në një paradoks: pa argjentina­sin Interi luan më mirë dhe di vetëm të fitojë. E thonë statistika­t: shtatë ndeshje, shtatë fitore me 20 gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar. KOMPAKTË - Të privuar nga ish-kapiteni, për të cilin megjithatë duhet gjetur një zgjidhje sa më shpejt së paku për të mos pasur një zhvlerësim ekonomik, zikaltrit janë më kompaktë dhe kanë formuar një grup solid: kanë ditur të vuajnë dhe të fitojnë. Spaleti ka bërë lëvizjet e duhura, duke bërë që të mos “kuptohet” se Mauro nuk është atje. Duke i thurur edhe elozhe ekipit pas fitores së bukur 4-0 kundër Rapidit të Vjenës: “Mungesa e Ikardit nuk ka ndikuar”. IVANI I RILINDUR – Ka “rilindur” edhe Ivan Perisiç, i cili në janar kishte përgatitur valixhet, pasi kërkoi largimin me në mendje Premier Ligën. Marota u përpoq t’i plotësonte dëshirën, por oferta e duhur nuk u prezantua në zyrën e administra­torit zikaltër e atëherë kroatit iu desh të zbrazë bagazhet dhe të fokusohet tek Interi: një kafshatë e hidhur për t’u kapërdirë, por tani gjithçka duket se është lënë pas krahëve. Sulmuesi duket të jetë rikthyer ai i kohëve më të mira dhe në harkun e katër ditëve zhvilloi dy paraqitjet më të mira sezonale: vrapon dhe shënon, siç prisnin tifozët dhe Spaleti. Meritë edhe e trajnerit dhe e klubit që nuk e braktisi: Ivani ua ka shpërblyer në mënyrën më të mirë duke marrë përsipër së bashku me Lautaron sulmin dhe golat e Interit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania